Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur tubim edhe në Sharr, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Peizazhet e detajuara harxhojnë shikimin, sidomos kur janë delikate dhe të ngjyrosura kaq bukur si në Sharrin tonë sot, ku një dritë sydjegëse buzë kodre na e bëri më të përshtatshme të tubohemi brenda për të folmen e ndryshimeve të mëdha që na presin me Qeverinë Kurti”, thuhet në komunikatë.
Doktor Mërgim Mestani, kandidat nga kjo anë e Dragashit, tha se prioritetet e qeverisë Kurti përmbushin nevojat dhe kërkesat e secilës kategori shoqërore ngase avancojnë arsimin, rrisin punësimin, ulin varfërinë dhe mbështesin rininë e ndërmarrësin.
Tutje në komunikatë thuhet se kandidatja Dafina Alishani përmendi interesimin e madh të turistëve vendorë e ndërkombëtarë në bukuritë e Sharrit dhe neglizhencën institucionale ndaj kësaj pjese. Me qeverinë e re Sharri do të jetë pika e zhvillimit të turizmit në vend.
Kurse kandidati Xhelal Sveçla kujtoi se me qeveritë që kanë sunduar vendi ynë është bërë gurë që nuk peshon shumë e ku të rinj e të reja po e braktisin vendin. Sipas tij Kosovës i duhet një fitore e thellë e Lëvizjes ngase edhe ndryshimet duhet të jenë rrënjësore.
Duke përmendur ndërtimin ilegal të hidrocentraleve që po shkatërrojnë lumenjtë dhe pellgjet lumore, kandidatja Fitore Pacolli tha se qeveria e re do të jetë e pakompromis në ndalimin dhe gjobitjen e tyre. E pakompromis edhe për gurthyesit që kanë bërë dëme.
Mytaher Haskuka tha se erdh dita për ta çliruar Kosovën nga kriminelët që po pengojnë zhvillimin e jetës në vend. Duke përmendur projektin e Parkut të Biznesit që nuk po merr dritën jeshile nga pushteti dhe çështjen e banimit për personat në nevojë që po përmbyllë çështjen e banimit në Prizren, ai tha se Albin Kurti duhet të bëhet sa më parë kryeministër në mënyrë që vendi të ecën para.
“Me Lëvizjen në qeverisje do të zhduken monopolet e miqve të PAN-it në ekonomi dhe fondet do të orientohen në forcim të prodhimit vendor, tha kandidati Glauk Konjufca, duke renditur tri gjëra që do t’i bëjë Lëvizja për rininë: Së pari, çdo i ri do të shkollohet mirë në të gjitha fazat e edukimit. Së dyti, një vend pune do ju sigurohet dhe së treti, do të mundësohet banimi i përballueshëm për qifte të reja përmes ndihmës shtetërore”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se, “për t'i hequr hajnat dhe për ta sjellë ndryshimin ka vetëm një garanci, Albin Kurti kryeministër dhe Lëvizja në qeverisje. Me datën 6 do të fitojë numri 6. Fitorja do jetë e popullit, kurse festa e qytetarëve”.