OpEd

Tri lexime të çerekshekullit XXI

Dhjetë fëmijë të amputuar e pa anestezion mesatarisht në Gazë, si e kaloi Kina Kosovën me vetura dhe si po e financojmë vdekjen e kapitalizmit në Facebook?

1.

Kemi hyrë në muajt e fundit të çerekshekullit. 

Ja një citat që e përshkruan si duket: “ Lidhur me sulmet përgjatë rrugëve të evakuimit dhe brenda zonave të sigurta të përcaktuara, Komisioni zbuloi se forcat izraelite të sigurisë kishin njohuri të qarta për praninë e civilëve palestinezë, përfshirë fëmijët. Megjithatë, forcat izraelite të sigurisë qëlluan dhe vranë civilë, përfshirë fëmijë që mbanin flamuj të bardhë të improvizuar. Disa fëmijë, përfshirë fëmijë të vegjël, u qëlluan në kokë nga snajperët”.

Citati i parë është pjesë e Raportit të Komisionit të Pavarur të OKB-së për territoret e okupuara palestineze, të kryesuar nga Navi Pillay, juriste e kampione e njohur e të drejtave të njeriut. Raporti, i cili konstaton se Izraeli po ushtron gjenocid në Gazë, ka edhe këto:  “... nga 7 tetori 2023 deri më 31 korrik 2025, nga 60.199 palestinezë të vrarë, 18.430 ishin fëmijë dhe dhjetëra mijëra fëmijë të tjerë janë plagosur, fizikisht dhe psikologjikisht” . Dhe: “Në qershor 2024, komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-së raportoi se, mesatarisht çdo ditë që nga 7 tetori 2023, 10 fëmijë kanë humbur njërën ose të dyja këmbët dhe se amputimet e tyre janë kryer kryesisht pa anestezi për shkak të parandalimit të hyrjes së furnizimeve mjekësore në Gazë”.

2.

Por çerekshekulli ka edhe citate të tjera. Ja një nga Dan Wang në librin e tij “Theqafje: përpjekja e Kinës për të projektuar të ardhmen”: “4.4 miliardë tonelata të cementit që ka prodhuar Kina prej vitit 2018 deri në vitin 2019 gati barazohet me sasinë e cementit që ka prodhuar SHBA-ja gjatë tërë shekullit XX”.

Ose një shënim që është më i afërt me Kosovën. Në vitin 1990 Kina kishte gjysmë milioni vetura, aq sa ka Kosova sot të regjistruara. Në vitin 2024, Kina kishte 435 milionë sish, shumë prej tyre elektrike dhe shumë prej tyre të prodhuara në Kinë. 

Ose një krahasim që flet prapë për dinamikën e dy superfuqive, po nga ky libër. Më 2008 Kina kishte vendosur që ta ndërtonte hekurudhën e shpejtë mes Pekinit dhe Shanghait në të njëjtën kohë kur Kalifornia (e cila po të ishte shtet i pavarur do të ishte ekonomia e katërt në botë me BPV) vendosi ta ndërtonte atë mes San Franciskos dhe Los Angeles; që të dyja me largësi pothuajse të njëjtë prej 1.300 kilometrash. Kina e përfundoi atë për tre vjet me kosto prej 36 miliardë dollarësh. Kalifornia nuk është as afër së ndërtuari dhe vlerësimi i kostos tash është 128 miliardë dollarë. Po ashtu vlerësohet se kjo linjë hekurudhe përfundon diku mes 2030 e 2033- në këtë margjinë gabimi prej tre vjetësh kinezët e kryen linjën e vet.

Dan Wang ka një teori që tingëllon simpatike në thjeshtësinë e saj. Kina është shtet inxhinierësh, madje pothuajse e tërë Politbyroja e saj përbëhet prej inxhinierëve të ndryshëm dhe inxhinierët bëjnë atë që duhet të bëjnë, të ndërtojnë, të prodhojnë. Ndërkohë, SHBA-ja është shtet i juristëve : “Janë katërqind për njëqind mijë banorë”, dhe sipas Wang, juristët janë aty për të bërë atë që bëjnë më së miri, të pengojnë proceset derisa të jenë krejtësisht konform ligjit.

Ky thjeshtësim bëhet anekdotal ndërkohë që shënimet e zhvillimit ekonomik dhe modeli kërkojnë një analizë më të madhe, me pyetjen e cila përcjell tërë librin: pse është ky model i zhvillimit të cilin kinezët e quajnë socializëm i ngjyrave kineze, por është në fakt një kapitalizëm shtetëror aq efikas, gjegjësisht pse është ai amerikan aq joefikas krahasuar me të?

3. 

Përgjigjen në këtë pyetje e jep në formën e vet Yannis Varoufakis, ish-ministër i Financave i Greqisë, i vetëdeklaruar marksist bashkëkohor dhe pa dyshim njëri prej intelektualëve publikë evropianë më krijues sot në librin e tij “Teknofeudalizmi: çka vrau kapitalizmin”.

Po të thjeshtësohet argumenti i tij (në një shkrim bindës e inspirues) kapitali i shekullit XXI jemi ne, përdoruesit e internetit , gjegjësisht rrjeteve sociale. Duke u dhënë pëlqim të gjitha kompanive të mëdha që na japin shërbime interneti që të mbledhim informata, u kemi dhënë kapitalin themelor me të cilin ata disponojnë për të nxitur kërkesën në treg tashmë të projektuar personalisht ndaj çdonjërit prej nesh. Ne, përdoruesit e Facebookut, Tik-tokut, Instagramit e kështu me radhë, kalojmë kolektivisht prej kapitalizmit të tregut të hapur tek “tregjet feudale” të fshehura në reklamat e ofertat brenda medieve sociale apo të atyre si Amazon. 

Dhe, po këta pronarë të kapitalit të ndërtuar me informatën tonë (si Zuckerberg, Musk, etj.) janë ata që do të kërkojnë të mbrojnë pasurinë e ndërtuar nëpërmjet një sistemi politik, i cili do të kërkojë pengimin e konkurrencës politike ashtu siç e pengon konkurrencën e tregut ekonomik.

4. 

Përgjatë këtij çerekshekulli është një listë e gjatë librash që u përpoqën ta përshkruajnë atë. Një numër bukur i madh librash, postulatesh, premisash, pikënisjesh, teorish e hamendësimesh kishin formulimin post-diçkaje. Kishim hyrë në post-modernizëm,  ose post-shembje të Murit të Berlinit, ose të post-pax americana (paqes amerikane), ose post-liberalizmit...Pra, në këtë shekull kemi hyrë në një periudhë që ende nuk mund ta përshkruajmë, jo vetëm në sensin e së tashmes, por me vështirësi përshkruajmë madje edhe atë që lamë pas. 

Derisa të gjendet libri apo teoria që do të shpjegojë se çfarë është ky çerekshekull (dhe kjo vështirë të ndodhë me një libër) mbase hyjnë në punë librat e shekujve të kaluar. 

Sot , më 7 tetor, kur po e shkruaj këtë tekst bëhen dy vjet të sulmit të Hamasit ndaj civilëve izraelitë, një orgji vrasjeje që për viktimë kishte çdo fëmijë, grua dhe burrë hebre që dilte përpara, mbi një mijë sish. Dhe pasoi një fushatë e ndëshkimit kolektiv nga ana e Izraelit që u shndërrua në gjenocid. Në çdo ditë të këtyre dy vjetëve është vrarë mesatarisht një fëmijë palestinez. Në “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit është një pyetje që i drejtohet Ivan Karamazovit: 

“Ju vetë më mësuat i pari se nuk ka Zot dhe se nuk ka pavdekësi të shpirtit.

Prandaj tani gjithçka është e lejuar, njeriu mund të bëjë ç’të dojë”.

Në shkrimet gjatë shekullit XX dhe tash në shekullin XXI ky këmbim mes dy personazheve është shndërruar në ligjërim popullor që i atribuohet Ivan Karamazovit: “Nëse nuk ka Zot, çdo gjë është e lejuar” e në kuptimin se nëse nuk ka norma morale, një rend i pranuar vlerash, atëherë çdo gjë është e lejuar. Dhe foshnjat e qëlluara në kokë me snajper janë dëshmi e mungesës së Zotit apo të lejuarit të çdo gjëje.

Duke u kthyer kah pak më shumë se çerekshekulli i tij , Antonio Gramsci në 1930 në  “Fletoret nga burgu” do të shkruante "E vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lindë; në këtë periudhë ndërmjetëse shfaqet një larmi e madhe simptomash morbide". Me këtë sot do të pajtoheshin Dan Wang e Yaanis Varoufakis, çdonjëri nga këndvështrimi i tyre.

Në ligjërimin popullor të medieve citati i Gramshit u shndërrua në “Bota e vjetër po vdes dhe bota e re po përpiqet të lindë: tani është koha e përbindëshave.”  Në frikën tonë kolektive, të një bote të vjetër që ka vdekur, mbase edhe ky citat e ka fituar të drejtën e qytetarisë.