Tri ideologjizëza bashkëkohore janë duke u bërë secilën herë më populliste në shoqërinë shqiptare: dersizmi i radikalëve fetarë, aktivizmistika e profesorëve universitarë dhe parahistoricizmi banal i historianëve trushpëlarës.
Dersizmi qe i zhurmshëm. U shukue. U kthy prapë para dy viteve dhe tani është duke u pehatur si krokodili nën ujë. Ders mbajnë predikuesit fetarë që kanë kaluar “hijen” e autonomisë së fesë dhe janë shndërruar në hoxhallarë gjuhëtherrcë helmues. Këta janë trushpëlarësit më oportunistë të kohës sonë, në vendet tona.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAktivizmistika është motoja e një numri të madh të profesorëve ojëqëistë që luajnë rolin si progresivist, por në realitet janë vetëm oportunist. Studenti mësohet të bëhet ushtar i përjetshëm i mendimit të ashtuquajtur kritik, por që nuk bëhet tjetër pos aktivist me parullë në dorë i rangut “piun”, i pajisur me gjuhë revolutuese kundër shtetit, shoqërisë e...gati gjithçkafit.
Parahistoricizmi banal është bërë “dija alternative” e kuluareve të restoranteve, festivaleve, shkollave mediokre, medieve, etj. Aty predikohet përkatësia e njëjtë e popullit tonë me Toti Tatin. Kjo ushqen edhe etnonacionalizmin banal, edhe turbofolkun edhe mediokritetin e zakonshëm.
Të tri këto ideologjizëza janë të ndryshme dhe të njëjta në shumë gjëra. Por, mbi të gjitha, këto zhumhure të kohës duan ta shkatërrojnë mendimin e lirë, moralitetin reciprok, vetëbesimin politik e kulturor të këtij vendi edhe ashtu të lodhur. Pse po i fut në një thes, bëhet pyetja? Radikalizmi. Të trijat e kanë të përbashkët radikalen/rrënjësoren sepse ofrojnë zgjidhje të shpejtë me ndryshime rrënjësore/radikale. Radikalët duan ta transformojnë shoqërinë shpejt e me zor e sipas diktatit të tyre.
Shteti, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duket se i kultivon të trijat edhe me taksa t'qytetarëve edhe me hapësirë publike edhe ligj. Po ashtu edhe mediet duket se i kultivojnë të trijat. Pa dyshim se shihet se universiteti i rekruton dhe ushqen të trijat po ashtu, por shpesh aktivizmistika mbizotëron sepse shitet si e kohës. As tregu s'lë mangu asgjë në këtë drejtim.
Duket se prej aktivizmistikës nuk ka shpëtim. Këtë betejë e kanë humbur shumica e vendeve perëndimore. Në emër të emancipimit, të drejtave të qejfit, dëshirave imagjinare, krijohet turma e pakënaqur dhe ndryshon shoqërinë, me hatër ose me protesta të dhunshme ose me sulme personale. Prandaj, ndoshta vetëm duhet përkrahur sa më shumë deri sa ta lajë fruthin e vet.
Dersizmi mund të shkaktojë dridhje dhe frikë, por betejën duket se do ta humb, sepse ka hyrë si mish i egër në botëkuptimet e pasluftës dhe luftohet nga aktivizmistika dhe parahistoricizmi banal. Por, edhe nga forcat e jashtme. E më së shumit nga mendjet e shëndosha të këtij vendi, që fatmirësisht ekzistojnë. Prandaj, ndoshta dersi duhet të merret si “flamë” prej së cilës duhet ruajtur me dietë 50 vjeçare, e jo me penicilin të shpejtë që mund të shkaktojë reaksion të madh.
Duket se parahistoricizmi banal është para të qenit “muzeal” si mendim. Andaj, një “dokumentim” i shpejtë i tij, për ta parë se si ka mbijetuar si botëkuptim, edhe do të mund të ishte i rëndësishëm. Por, rrezik të madh nuk duket se ka prej kësaj ideologjizëze vetëshkatërruese.
Se si mbetën gjallë shqiptarë e dimë deri diku, por se si do të mbesin gjallë në të ardhmen, kjo nuk dihet. Por, sot po dihet që këto ideologjizëza po rriten pandërprerë.