Dhuna në baza gjinore vazhdon të mbetet fenomeni nga i cili çdo ditë e më shumë po cenohet integriteti fizik, psikologjik, ekonomik, seksual dhe social i grupeve më të ndjeshme të shoqërisë në vend: grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Dhuna në familje tashmë përbën vepër penale si rezultat, shtetit obligohet të vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që ushtrojnë cilëndo formë të dhunës ndaj familjarëve të tyre. Të dhënat mbi rastet e dhunës në familje në Kosovë tregojnë se tashmë kjo dukuri mund të cilësohet si dhunë në baza gjinore. Konkretisht, mbi 90% të rasteve që raportohen në Polici dhe që gjykohen në kuadër të gjykatave të shkallës së parë, viktima janë gratë.
Sa raportohen rastet e dhunës në familje?
Gjatë vitit 2022 në nivel vendi u raportuan 2 mijë e 764 raste të dhunës në familje, që përkthyer në ditë, i bie 8 raste të dhunës në familje të jenë raportuar çdo ditë në Kosovë. Ndonëse numri i rasteve që raportohen në Polici karakterizohet me trend rritës, një përqindje e madhe e rasteve të kësaj natyre vazhdojnë të mbeten të paraportuara, për disa arsye. Dhuna në familje kryesisht perceptohet si një çështje private, e cila duhet të zgjidhet brenda familjes, pa pasur nevojë që dikush tjetër të ndërhyjë në raportet familjare. Si arsye shpesh paraqiten edhe frika nga hakmarrja dhe varësia ekonomike nga personi që ushtron dhunë në familje. Faktori kulturor dhe shoqëror në anën tjetër është segment mjaft ndikues që e bën paragjykues dhe ndalon raportimin e viktimave që janë subjekt i dhunës në familje. Për më tepër, raporti për të drejtat e njeriut i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2022, evidenton si arsye edhe stigmën sociale dhe mungesën e besimit në sistemin e drejtësisë dhe në organet përgjegjëse.
Ndonëse Kosova ka një bazë juridike të plotë në mbrojtjen e familjes dhe luftimin e dhunës ndaj anëtarëve të saj, trajtimin i këtyre rasteve në praktikë përcjellët me probleme të shumta. Nga analizimi i aktgjykimeve të shtatë gjykatave themelore që janë publikuar gjatë vitit 2022, evidentohen një sërë problemesh. Ndër to vlen të përmenden: a) mostrajtimi me kohë i këtyre rasteve nga ana e gjyqësorit; b) politika jo adekuate ndëshkimore të aplikuara ndaj kryerësve të dhunës në familje dhe c) dështimi për t’iu ofruar mbrojtje viktimave nga ana e shtetit.
Dukuria e tejzgjatjes së gjykimeve të rasteve në kuadër të gjykatave tona nuk ka kursyer as rastet e dhunës në familje, ndonëse të njëjtat parashihet që të trajtohen me prioritet të lartë. Nga analizimi i vendimeve të lartpërmendura, evidentohet se për gjykimin e një rasti të natyrës së dhunës në familje janë dashur mesatarisht 4 vite, 6 muaj e 11 ditë. Nga analizimi i 303 aktgjykimeve të publikuara nga gjykatat e shkallës së parë gjatë periudhës 1 janar – 31 dhjetor 2022, rezulton se problemi i trajtimit të rasteve të kësaj natyre fillon që nga momenti kur nuk respektohet afati për caktimin dhe mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar e cila duhet të mbahet më së largu 30 ditë nga ngritja e aktakuzës. Për më tepër, ka pasur raste kur gjykatat kanë mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar rreth 467 ditë pas afatit që e parasheh Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, janë evidentuar edhe raste ku vërehet efikasitet tejet i lartë i gjykatave të cilat kanë mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar qysh në ditën kur është ngritur aktakuza.
Edhe
Mbi 2 mijë e 800 viktima të dhunës në familje gjatë 2025-s, 75% gra
Nga këto 303 aktgjykime të analizuara rezulton se në 284 prej tyre (93.72%), gjykatat kanë gjetur fajtorë të akuzuarit dhe ndaj tyre kanë shpallur aktgjykime dënuese, në 8 rastet e tjera gjykatat kanë shpallur aktgjykime refuzuese, 4 aktgjykime ishin refuzues-dënuese dhe 7 aktgjykime ishin liruese. Kësisoj, problem në vendin tonë nuk qëndron në mungesën e faktimit të dhunës në familje dhe të aktgjykimeve dënuese, por nëse shohim dënimet që shqiptohen ndaj kryerësve të kësaj vepre penale, vërejmë që ato janë tejet të ulta në raport me sanksionimin që bën Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Neni 248 i Kodit Penal parasheh që ndaj kryesve të dhunës në familje, gjykatat mund të shqiptojnë dënim me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet. Nga analizimi i aktgjykimeve dënuese rezulton se numri më i madh i dënimeve të shqiptuara ndaj kryerësve të veprës penale dhunë në familje kanë qenë dënimi me kusht.
Më konkretisht, dënimi efektiv më i rëndë i shqiptuar për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje është dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 8 muajve dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 eurove. Kurse, si dënim më të butë që ka shqiptuar ndaj të akuzuarve për veprat penale të dhunës në familje është vërejtja gjyqësore.
Prandaj, këtu rekomandohen gjykatat e shkallës së parë që në rastet e dhunës në familje të shqiptohen dënime sa më adekuate, proporcionale me peshën e veprës penale dhe të arsyetuara, duke respektuar dhe zbatuar Udhëzuesin e Gjykatës Supreme për Politikën Ndëshkimore. Po ashtu, gjyqtarët me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të përshkruajnë dhe peshojnë rëndësinë e të gjitha rrethanave si ato lehtësuese dhe rënduese që parashihet me Kodi Penal dhe të njëjtat të arsyetohen.
Trajtimi sa më adekuat i këtyre rasteve nga ana e institucioneve ligjzbatuese do të shërbente si arsye që të rritej besimi qytetarë në raport me to e rrjedhimisht, edhe shkalla e raportimit të rasteve nga ana e viktimave apo edhe e viktimave potenciale të dhunës në familje. Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ftohet që të bëj një mbikëqyrje më të madhe të trajtimit lëndëve të dhunës në familje, dhe në rastet kur nuk trajtohen sipas prioritetit, e njëjta të shërbej si arsye për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve që janë të ngarkuar me këto lëndë.
Edhe
Raporti i UN Woman: Mbi gjysma e grave në Kosovë, viktima të dhunës nga partnerët
Marrë parasysh rëndësinë që ka familja si instituti më i rëndësishëm i shoqërisë, shteti duhet dhe obligohet që në çdo kohë të ofrojë siguri dhe mirëqenie për secilin qytetar. Në të kundërtën, mosndërmarrja e veprimeve nga ana e institucioneve nënkupton mosgatishmëri dhe mungesë të përgjegjësisë institucionale ndaj së drejtës për jetë të dinjitetshme e të sigurt të qytetarëve.
(Ky opinion është pjesë e projektit me titull "Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të listës së kontrollit të Këshillit të Evropës për Sundimin e Ligjit”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Autorja e shkrimit është drejtore Ekzekutive e GLPS-së)