Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Subvencionet tinëzare të karbonit do të na shkatërrojnë

Duke pasur parasysh këtë pabarazi të madhe, askush nuk duhet të tronditet nga qëndrueshmëria e vazhdueshme e industrisë së karburanteve fosile. Botës po i kalon me shpejtësi koha për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius dhe për të shmangur një katastrofë klimatike. Por sistemi ekonomik global dhe shumë qeveri duket se nuk janë në gjendje ta marrin seriozisht kërcënimin

Raporti i fundit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) duhet të tmerrojë politikëbërësit dhe njerëzit e zakonshëm anembanë botës. IPCC-ja paralajmëron se disa rezultate katastrofike klimatike ka të ngjarë të ndodhin jo në të ardhmen e largët, por brenda 15 vjetëve të ardhshme, apo edhe në dekadën e ardhshme.

Por në vend që të zgjohen nga kërcënimi dhe të kundërpërgjigjen shpejt, politikëbërësit mbeten të fokusuar në luftën e tmerrshme të Rusisë kundër Ukrainës dhe pasojat e saj të menjëhershme. Edhe pse kjo mund të jetë e kuptueshme, kriza e Ukrainës ka ekspozuar gjithashtu orientimin e tepruar të politikave afatshkurtra të qeverive perëndimore. Shumë prej tyre kanë refuzuar edhe premtimet relativisht të pakta dhe dukshëm të papërshtatshme për klimën që ata dhanë disa muaj më parë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Glasgow.

Pushtimi i Ukrainës dhe sanksionet pasuese të udhëhequra nga Perëndimi kundër Rusisë shkaktuan rritje dramatike të çmimeve të karburantit, kur tregu i energjisë tashmë po vlonte për shkak të rimëkëmbjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Megjithatë, në vend që ta shohin këtë rritje të çmimeve si mundësi për të përshpejtuar heqjen dorë nga karburantet fosile, qeveritë në ekonomitë e përparuara janë përpjekur të zvogëlojnë tkurrjen duke i mbajtur çmimet e brendshme të energjisë të ulëta, për arsye politike afatshkurtra.

Administrata e presidentit Joe Biden pasi i kërkoi pa sukses Arabisë Saudite të rrisë prodhimin e naftës, ka premtuar të nxjerrë një milion fuçi në ditë nga rezervat strategjike të qeverisë amerikane për gjashtë muajt e ardhshëm. Në Evropë, e cila është goditur shumë më rëndë nga pasojat e luftës për shkak të varësisë së saj të madhe nga gazi natyror rus, nuk flitet vetëm për më shumë energji bërthamore, por edhe për ringjalljen e energjisë me bazë qymyri. Qymyri është deri tani lënda djegëse fosile "më e ndotur" dhe vendet e pasura vazhdimisht kundërshtojnë Indinë dhe Kinën për përdorimin e tij.

Vetëm ata që më parë gëlltitën retorikën e gjelbër të pasinqertë të qeverive perëndimore, në vend që të shqyrtojnë realitetin duhet të befasohen nga kjo kthesë e ngjarjeve. Këto qeveri kanë subvencionuar shumë industritë e tyre të karburanteve fosile, edhe pse i kanë nxitur vendet shumë më të varfra të bëjnë më shumë për të reduktuar emetimet e gazrave serrë. Por shtrirja e plotë e këtyre subvencioneve është fshehur nga metodat e përdorura për matjen e tyre.

Edhe OpEd Nisja e Revolucionit të gjelbër të hidrogjenit

Mënyra standarde për të matur mbështetjen e qeverisë për prodhimin ose konsumin e lëndëve djegëse fosile është të vrojtojmë transfertat dhe subvencionet direkte buxhetore, si dhe lehtësimet tatimore për sektorin. Duke përdorur këtë metodë, OECD dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerësojnë se qeveritë në 52 ekonomi të përparuara dhe në zhvillim – që përbëjnë rreth 90% të furnizimit global të energjisë me lëndë djegëse fosile – siguruan subvencione për lëndët djegëse fosile me një vlerë mesatare prej 555 miliardë dollarësh në vit nga viti 2017 në 2019.

Kjo mbështetje ra në 345 miliardë dollarë në vitin 2020, kryesisht për shkak të rënies së çmimeve të karburantit dhe rënies së konsumit gjatë pandemisë COVID-19. Por, edhe para luftës në Ukrainë ekzistonte frika se rritja e çmimeve të karburantit mund të rriste subvencionet ndërsa ekonomia globale u rikuperua.

Këto shqetësime ishin më se të vërtetuara. Doli se vlerësimet më të zymta nënvlerësuan masivisht subvencionet aktuale të karburanteve fosile që ofrojnë qeveritë. Në një studim të kohëve të fundit Fondi Monetar Ndërkombëtar shpiku një masë më gjithëpërfshirëse që përfshin si subvencione të qarta ose tarifa të ulëta për kostot e furnizimit, dhe subvencione të nënkuptuara, ose tarifa të ulëta për kostot mjedisore dhe taksat e konsumit të harruar.

FMN-ja vlerësoi se subvencionet globale të karburanteve fosile në vitin 2020 arritën në 5.9 trilionë dollarë, më shumë se dhjetë herë më shumë se vlerësimi i OECD-IEA. Kjo nuk është për t'u habitur: subvencionet e nënkuptuara përbënin 92% të totalit.

Sipas të dyja metodologjive, India është subvencionuesja e madhe e lëndëve djegëse fosile – megjithëse vendet me të ardhura më të ulëta mund të justifikohen pjesërisht, duke pasur parasysh koston e lartë të transicionit të energjisë së gjelbër. Por renditja e vendeve të tjera ndryshon në mënyra interesante kur merren parasysh subvencionet e nënkuptuara. Rusia ishte ofruesi më i madh i subvencioneve të qarta të karburanteve fosile, por SHBA-ja – me rreth 662 miliardë dollarë subvencione të nënkuptuara në vitin 2020 dhe gati 800 miliardë dollarë në 2021 – ka dukshëm më shumë subvencione në përgjithësi. Kina ofroi subvencionet më të mëdha të nënkuptuara në vitin 2020, me një vlerë totale prej 2.2 trilionë dollarësh.

Këto shifra të rëndësishme nxjerrin në pah shkallën në të cilën ndërhyrja e qeverisë po anon çmimet, dhe për rrjedhojë edhe stimujt e tregut, në favor të lëndëve djegëse fosile dhe jo kundër tyre. Ndërsa qeveritë po mbështesnin industrinë e karburanteve fosile në masën 5.9 trilionë dollarë në vitin 2020, IPCC-ja vlerëson se financimi global i klimës nga burimet publike dhe private arriti në vetëm rreth 640 miliardë dollarë atë vit.

Edhe OpEd Kapja dhe vonesa e karbonit

Duke pasur parasysh këtë pabarazi të madhe, askush nuk duhet të tronditet nga qëndrueshmëria e vazhdueshme e industrisë së karburanteve fosile. Botës po i kalon me shpejtësi koha për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius dhe për të shmangur një katastrofë klimatike. Por sistemi ekonomik global dhe shumë qeveri duket se nuk janë në gjendje ta marrin seriozisht kërcënimin.

(Jayati Ghosh, profesor i ekonomisë në Universitetin e Masachussettsit, Amherst, është anëtar i Bordit Këshillimor të Nivelit të Lartë të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Multilateralizmin efektiv. Debamanyu Das është hulumtues në Universitetin e Massachussetts, Amherst. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)