OpEd

Nisja e Revolucionit të gjelbër të hidrogjenit

Bota është qartë në një udhëkryq. Ne mund të mbetemi të mbyllur në një të ardhme të kushtueshme e ndotëse, që është jashtëzakonisht joefikase dhe që fuqizon vetëm një pjesë të vogël të vendeve të pasura me lëndë djegëse fosile. Ose ne mund të zgjedhim një revolucion të gjelbër të energjisë, me kosto të ulët, për gjithçka që e mban të ardhmen tonë të sigurt nga ndotja, ngrohja globale dhe diktatorët

Ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu po krijon përçarje të rrezikshme dhe të përhapur mjedisore, si dhe po ndikon në jetën e miliarda njerëzve në mbarë botën. Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), bota do të përballet me rreziqe të pashmangshme klimatike gjatë dy dekadave të ardhshme. Por, me emetimet mesatare vjetore globale të gazrave serë, që kanë arritur nivelet e tyre më të larta në historinë njerëzore midis vitit 2010 dhe vitit 2019, ne thjesht nuk po bëjmë mjaftueshëm për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius.

Raporti i IPCC-së, i publikuar në muajin prill, rekomandoi që bota të reduktojë me shpejtësi ofertën dhe kërkesën për lëndë djegëse fosile nga tani deri në vitin 2050: me 95% në rastin e qymyrit, 60% për naftën dhe 45% për gazin natyror. Por, si mund të arrijmë objektiva kaq ambicioze?

Përgjigjja është: Duke kaluar te hidrogjeni i gjelbër, i cili mund të prodhohet nga të gjitha format e energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë diellin, erën, hidrogjenin dhe burimet gjeotermike. Hidrogjeni i gjelbër është lëndë djegëse me emisione zero; kur prodhohet nëpërmjet elektrolizës, i vetmi “emetim” është uji. Është zgjidhje praktike dhe e zbatueshme që, duke demokratizuar energjinë, duke dekarbonizuar industrinë e rëndë dhe duke krijuar vende pune në mbarë botën, do të ndihmonte në revolucionarizimin e mënyrës se si ne fuqizojmë planetin tonë.

Një përshpejtim i shpejtë i transicionit të energjisë së gjelbër mund të ndryshojë rrënjësisht peizazhin gjeopolitik, pasi vendet nuk do të jenë më të fuqishme thjesht për shkak të lëndëve djegëse fosile që prodhojnë. Në vitin 2021, Rusia siguroi 34% të naftës së papërpunuar të Gjermanisë dhe 53% të qymyrit të fortë të përdorur nga gjeneratorët gjermanë të energjisë dhe prodhuesit e çelikut. Gazi natyror me tubacione ruse ishte burimi më i madh i importeve të gazit të Gjermanisë në dhjetor të vitit 2021, duke përbërë 32% të furnizimit. Qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi luftën e tij të tmerrshme dhe të padrejtë në Ukrainë në shkurt, eksportet e karburanteve fosile në Evropë kanë bërë që Rusia të fitojë afërsisht 1 miliardë dollarë në ditë.

Por që nga fillimi i pushtimit në shkurt, veçanërisht vendet e Bashkimit Evropian kanë lëvizur me shpejtësi për të reduktuar varësinë e tyre energjetike nga Rusia, duke rënë dakord së fundmi të ndalojnë të gjitha importet e naftës ruse nga deti. Këto sanksione të reja kundër makinerisë luftarake të Putinit mund të ulin sasinë e naftës që BE-ja blen nga Rusia me 90% këtë vit. SHBA-ja ka shpallur një ndalim të plotë të importeve ruse të naftës, gazit dhe qymyrit, ndërsa Mbretëria e Bashkuar po heq gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit 2022.

Këto politika kanë rritur çmimet e karburanteve. Por çmimet shumë më të larta njëkohësisht e kanë shpërfaqur mundësinë për të ulur kostot e energjisë, duke investuar në burimet e rinovueshme dhe prodhimin e hidrogjenit të gjelbër.

Hulumtimet e reja bëjnë të ditur se hidrogjeni i gjelbër do të jetë konkurrues me lëndët djegëse fosile gjatë dekadës së ardhshme. Kostoja e hidrogjenit jeshil pritet të bjerë ndjeshëm deri në vitin 2025, duke pësuar rënie në 1 dollarë për kilogram deri në vitin 2030, në vende të favorshme si Australia. Për krahasim, hidrogjeni gri, i cili prodhohet duke përdorur gaz natyror të lëngshëm ndotës, kushton aktualisht rreth 2 dollarë për kilogram.

Disa mbrojnë përdorimin e LNG për të “zgjidhur” krizën aktuale të sigurisë së energjisë, por “gazi natyror” përmban metan, dhe IPCC thotë se ne duhet të reduktojmë përdorimin e gazit natyror me pothuajse 45% deri në vitin 2050; shtimi i më shumë përzierjeje të energjisë tani, do të ishte një gabim katastrofik.

Pra, tani ka një garë globale për energjinë e gjelbër, dhe veçanërisht për hidrogjenin e gjelbër. Dhjetëra vende që kanë burime të bollshme të energjisë së ripërtëritshme mund të zhvillojnë pavarësinë e energjisë duke prodhuar hidrogjen të gjelbër në shkallë. Dhe, importuesit e energjisë nuk do të duhet të mbështeten vetëm në ato pak vende (siç është Rusia) që kanë një pasuri natyrore të lëndëve djegëse fosile.

Në një raport të fundit, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Ripërtëritshme tha se hidrogjeni (i gjelbër) mund të forcojë sigurinë e energjisë në tri mënyra kryesore: duke reduktuar varësinë nga importi, duke zbutur paqëndrueshmërinë e çmimeve, si dhe duke rritur fleksibilitetin dhe elasticitetin e sistemeve të energjisë nëpërmjet diversifikimit. Derisa teknologjitë përmirësohen, kostoja e hidrogjenit të gjelbër do të bjerë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar këtë proces.

Kompani si “Fortescue”, ku unë jam drejtor bordi, po investojnë ndjeshëm në hidrogjenin e gjelbër dhe do të ndihmojnë në zëvendësimin e karburanteve fosile ruse me energji të gjelbër. “Fortescue” njoftoi kohët e fundit për një marrëveshje me shpërndarësin më të madh të energjisë gjermane, E.ON, për të furnizuar Evropën me pesë milionë tonë të hidrogjenit të gjelbër në vit deri në vitin 2030, ekuivalenti i një të tretës së vlerës kalorifike të energjisë që Gjermania importon aktualisht nga Rusia.

Por, derisa ndryshimet e shpejta në energjinë dhe peizazhin gjeopolitik paraqesin një mundësi të qartë për të adresuar krizat e energjisë dhe klimës, në të njëjtën kohë, duke investuar në energjinë e gjelbër, ekziston një perceptim i qartë i padrejtësisë kur vendet e zhvilluara pretendojnë se ekonomitë në zhvillim me emetim të ulët duhet të ndalin përdorimin e lëndëve djegëse fosile. Pse duhet ata të rrezikojnë të ngadalësojnë zhvillimin e tyre, për të adresuar një problem, për të cilin nuk kanë luajtur asnjë rol në shkaktimin e tij?

Është një pyetje e vlefshme. Politikëbërësit do të duhet të marrin parasysh interesat e vendeve në zhvillim gjatë tranzicionit të gjelbër dhe të rrisin fondet dhe stimujt që ata të kalojnë drejt energjisë së pastër si bazë e industrializimit.

Bota është qartë në një udhëkryq. Ne mund të mbetemi të mbyllur në një të ardhme të kushtueshme e ndotëse, që është jashtëzakonisht joefikase dhe që fuqizon vetëm një pjesë të vogël të vendeve të pasura me lëndë djegëse fosile. Ose, ne mund të zgjedhim një revolucion të gjelbër të energjisë, me kosto të ulët, për gjithçka që e mban të ardhmen tonë të sigurt nga ndotja, ngrohja globale dhe diktatorët. Duke pasur parasysh se energjia e gjelbër ka fuqinë për të demokratizuar furnizimin global, derisa sa më shumë vende arrijnë pavarësinë energjetike, zgjedhja nuk është e vështirë.

(Jean Baderschneider është drejtoreshë joekzekutive e “Fortescue Metals Group”. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)