OpEd

Sex, drogë pa rock 'n roll

Kthimi i 12-të apostujve diplomatikë pritet që të ndodhë ditëve në vijim. Pati një reagim publik nga njëri prej tyre i quajtur Juda alias Gjergj Dedaj, i cili deklaroi se diçka e tillë i ka ndodhur vetëm kur Slobodan Milosheviqi ia kishte vrarë anëtarët e familjes. Këtu edhe do të përfundojë pelegrinazhi i tij politik i nxitur nga disa shuplaka të nxehta të pranuara në kohë lufte nga Hashim Thaçi (gjithmonë sipas fjalëve të Judës) dhe shantazheve të tija të njëpasnjëshme për poste politike pas secilave zgjedhje të mbajtura në Kosovën e pasluftës. Sistemimi potencial i dishepujve të kthyer pritet që të bëhet nëpër studiot e shumta të debateve politike, në televizionet e shumta kosovare, në rolin e tyre të ri potencial si analistë dhe zhurmëtarë politikë

Kabllogramet e grumbulluara mbi tavolinën time shënojnë një javë mjaft të ngjeshur diplomatike. Pasi që nuk i seleksionova sipas rendit dhe kohës së ngjarjes, do t’i përmend ashtu pa ndonjë rend të veçantë.

Sex, drogë pa rock 'n roll - jo nuk bëhet fjalë për organizimin dhe mbajtjen e një tjetër koncerti gjigand në natyrë të hapur në Woodstock, por bëhet fjalë për aksionet e fundit të Policisë së Kosovës, e cila në bashkëpunim me DEA-n amerikane (Drug Enforcement Administration - Administrata e zbatimit të narkotikëve), Policinë italiane, si dhe atë të Shqipërisë arritën që të përcjellin lëvizjet e një sasie të madhe të kokainës, e cila pastaj së fundmi u sekuestrua në një kamion në Lipjan. Sasia e përfolur e kokainës është diku rreth 400 kg e që në vlerën e tregut të saj do të kapte shumën prej 10-20 milionë eurove, varësisht se ku do të ishte destinacioni i saj i fundit.

Facebooku u vërshua nga status të shumtë me përmbajtje qesharake, pasi që kamioni me ngarkesën e 400 kg të kokainës ishte gjithashtu i ngarkuar edhe me kaçikë të skaduar të pulave braziliane. Kombinim fatal, kaçikë të skaduar dhe kokainë.

Doganat e Kosovës gjithashtu lajmëruan për identifikimin e 47 të dyshimtëve në lidhje me kontrabandimin e 80,000 kg duhan, në mesin e të cilëve gjenden edhe 9 zyrtarë.

Kabllogrami tjetër i radhës ndërlidhet me një aksion të doganave të Kosovës dhe kapjen e një sasie të madhe të prodhimeve të prodhuesit “Pfeizer”, mirëpo kësaj radhe nuk flitet për vaksinat e shumëkërkuara kundër Covid-19 të prodhuara nga ky prodhues farmaceutik, por për hapat e tyre të famshëm blu, viagrat.

Një zyrtar doganor i Kosovës është ndaluar gjatë një operacioni, i cili është kryer pas një hetimi dymujor nën dyshimet për përfshirje në kontrabandim të produkteve farmaceutike dhe marrje e dhënie të mitës, si dhe keqpërdorim të detyrës. Gjatë aksionit janë konfiskuar sasi të mëdha të stimuluesve seksualë, si viagra e kamagra, etj.

Si pasojë e përdorimit të pakontrolluar të këtyre substancave për stimulim seksual, kohëve të fundit kemi pasur rënien e martirëve të shumtë të moshuar nëpër motelet e Gjilanit. Lavdi!

Njëri nga kabllogramet diplomatike gjithashtu lajmëron për hapjen e Sex Shopit të parë në Kosovë, respektivisht në Prishtinë.

Fatkeqësisht, bazuar në lajmet e vetëm dy javëve të fundit dhe me abuzimet dhe ngacmimet seksuale, të cilat dërguan deri në vrasje, janë indikatorë se shoqëria jonë e ka një problem të vazhdueshëm të frustrimit seksual e si pasojë e të cilit pastaj na paraqiten këto dukuritë makabre, siç ishte përdhunimi i vajzës së re 7-vjeçare në shkollën "Faik Konica", pastaj vrasja në Pejë nga ana e arsimtarit, i cili kishte tentuar që ta përdhunonte një nxënëse të tij, si dhe denoncimi për përdhunim nga ana e një falltari në Fushë-Kosovë ndaj një të reje në banesën e tij, me pretekstin se do ta mësonte që të "lexonte Kuranin".

Po ashtu, përsëri në Fushë-Kosovë, lajmërohet edhe për një denoncim për ngacmim seksual, ku i dashuri i një nëne ngacmon të bijën e saj të mitur 15-vjeçare. Këto janë vetëm katër nga ngjarjet e përdhunimeve dhe veprave të rënda të ngacmimeve seksuale të shënuara dhe të lajmëruara në vendin tonë dhe të cilat janë indikatorë alarmues për gjendjen në të cilën gjendet shoqëria jonë. Hapja e Sex Shopeve të tilla nëpër të gjitha qytetet kosovare e edhe fillimi i edukatës seksuale nëpër shkolla mendoj se do të duhej që të ishin masa të cilat ne si shtet dhe shoqëri do të duhej t’i mendonim seriozisht dhe të ndërmerrnim diçka urgjente në lidhje me këtë problematikë, e cila na ka plandosur. T'ia lëmë rrugës që të na i edukojë fëmijët në lidhje me seksualitetin do të ishte qasje e gabuar dhe vetëm shtim i përdhunuesve seksualë në të ardhmen.

Me vendimin e radhës të ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, dhe me aprovimin e presidentes së Republikës së Kosovës, shkëlqesisë së saj, Vjosa Osmani, pritet kthimi i 12 ambasadorëve të emëruar politikisht nëpër ato poste.

Kthimi i 12 apostujve diplomatikë pritet që të ndodhë ditëve në vijim. Pati një reagim publik nga njëri prej tyre i quajtur Juda alias Gjergj Dedaj, i cili deklaroi se diçka e tillë i ka ndodhur vetëm kur Slobodan Milosheviqi ia kishte vrarë anëtarët e familjes. Këtu edhe do të përfundojë pelegrinazhi i tij politik i nxitur nga disa shuplaka të nxehta të pranuara në kohë lufte nga Hashim Thaçi (gjithmonë sipas fjalëve të Judës) dhe shantazheve të tija të njëpasnjëshme për poste politike pas secilave zgjedhje të mbajtura në Kosovën e pasluftës.

Sistemimi potencial i dishepujve të kthyer pritet që të bëhet nëpër studiot e shumta të debateve politike, në televizionet e shumta kosovare, në rolin e tyre të ri potencial si analistë dhe zhurmëtarë politikë. Mirëpo po qe se këta 12 dishepujt politikë-diplomatikë zëvendësohen me qasje të njëjtë me 12 dishepuj të rinj politikë-diplomatikë, atëherë nuk është bërë asgjë për të cilën vlen të shkruhet.

Unë vazhdoj të mbetem ambasador i vetemëruar i Republikës së Kosovës në Facebook dhe lajm i mirë për lexuesit e Ditarit tim është se pozita ime diplomatike nuk është e rrezikuar nga asnjë qeveri e Republikës së Kosovës, qofshin ato të kaluarat, qoftë kjo e tanishmja.

Kabllogramet diplomatike nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti dhe nga vizita e tij e radhës në Bruksel mbeten të njëjtat. "Jo Negociata, VEÇ DARKOSJE".

Nuk ke se si ta anashkalosh peshën e një kabllogrami diplomatik siç ishte rasti me atë të Departamentit të Shtetit amerikan dhe personalisht të sekretarit të Shtetit, z. Antony Blinken. Bëhet fjalë për dokumentin e publikuar, ku ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar, z. Sali Berisha dhe familjes së tij iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shpallen persona non-grata (të padëshirueshëm). Arsyeshmëria e këtij vendimi të Departamentit të Shtetit amerikan dhe sekretarit të saj qëndron në faktet e bazuara në korrupsionin e ushtruar ndër vite të z. Berishës, abuzimit me fondet publike, si dhe me pengimin e demokracisë në vend. Sigurisht se shumë nga ne u pyetëm pse tash dhe pse në këtë mënyrë?

Asnjë lëvizje politike amerikane e një karakteri të këtillë nuk merret ad-hoc e as pa një analizë të detajuar se çfarë dëshirohet që të arrihet me atë gjë.

Figura kontroverse e Sali Berishës në politikën shqiptare karakterizohet me disa suksese të tija, por edhe me dështimet e edhe korrupsionin e madh të instaluar në shoqërinë shqiptare.

Një vendim i tillë i Departamentit të Shtetit amerikan, e që unë personalisht nuk jam i bindur se do të jetë i vetmi, do të duhej të ishte indikator dhe sinjalizues alarmi për të gjithë politikanët shqiptarë nëpër trevat shqiptare. Mendoj se durimit të politikës dhe diplomacisë amerikane i ka ardhur fundi dhe se ata tash e mbas do të tregohen të pamëshirshëm për të gjithë abuzuesit politikë në trojet shqiptare. Nuk mund të vraposh e të fotografohesh nëpër Washington me figura politike dhe të kthehesh në vendin tënd për t’u krekosur për miqësinë dhe partneritetin me shtetin Amerikan e në të njëjtën kohë këtë ta shfrytëzosh si paravan për të gjitha të këqijat e tjera të cilat i bën në vendin tënd. Kostoja e fotografive të bëra në Washington do të jetë e lartë për politikanët e korruptuar.

Në Amerikë edhe padia civile ndaj ish-kompanisë së ish-presidentit Trump për evazionin e tij fiskal të ndërlidhur me kompaninë e tij "TRUMP" dhe mospagesën e taksave ndaj shtetit tashmë veçse është ngritur në aktakuzë kriminale. Të gjitha këto, secili politikan, qoftë ai shqiptar apo një politikan botëror, duhet të dijë që t’i lexojë midis rreshtash dhe ta kuptojë qasjen e administratës së re amerikane, ku si "kokë turku" së pari ra Sali Berisha, ndërsa unë mbetem i mendimit se kokat e tjera do të pasojnë, dhe Washingtoni, Las Vegasi, si dhe Disneylandi nuk do të jenë më destinacionet më të preferuara të politikanëve botërorë.