Kosova edhe këtë vit iu bashkua karvanit të shteteve që e shënojnë shtatorin si muaj ndërkombëtar për parandalimin e vetëvrasjes. Shumë figura publike dhe persona me ndikim shoqëror ndanë mesazhe parandaluese. Po ashtu u bënë thirrje të shumta që secili person që për shkak të problemeve me shëndetin mendor e situatave të caktuara sociale dhe ekonomike të kërkojë ndihmë dhe mbështetje nga institucionet dhe profesionistët e fushës, me qëllim që të përmirësohet cilësia e jetesës së tyre.
Thirrja kryesore ishte e qartë, se askush nuk duhet të mbetet i vetmuar përballë vështirësive sociale, psikologjike apo atyre ekonomike. Një angazhim shumë të madh në ngritjen e vetëdijes dhe jo vetëm e bën dhe Qendra për Parandalim të Vetëvrasjes – Linja e Jetës, e cila ofron mbështetje konkrete për personat në vështirësi emocionale, ndër të tjera.
Vetëvrasja nuk është një fenomen që duhet anashkaluar, sepse ajo është çështje e shëndetit publik. Shto këtu faktin se në Kosovë, ndërmjet viteve 2000-2020, rreth 1 mijë persona i kishin dhënë fund jetës, kurse mbi 4 mijë të tjerë kishin tentuar një veprim të tillë. Ndonëse arsyet që i shtyjnë personat në vetëvrasje janë, por nuk kufizohen në problemet e shëndetit mendor, abuzimi me substanca narkotike, gjendja ekonomike dhe sociale, hulumtimet tregojnë që shkaktimi i një ngjarjeje të tillë zakonisht nuk është një arsye e vetme – për shembull: humbja e një anëtari të familjes, borxhet, ndarja nga partneri etj.
E përderisa e ka një rëndësi të tillë, pa dyshim që raportimi dhe informimi i publikut është i rëndësishëm deri në masën sa ky raportim nuk shërben si arsye për t’u treguar qytetarëve metodat e mundshme të kryerjes së aktit të vetëvrasjes. Mediat, që shpesh konsiderohen si “pushteti i katërt” pas legjislativit, ekzekutivit e gjyqësorit, duhet të jenë më të kujdesshme në raportimin e rasteve të vetëvrasjeve, duke respektuar kështu parimet e etikës së gazetarisë mbi raportimin e të vërtetës për aq sa ky raportim i shërben interesit publik e jo në masën kur interesi publik cenohet nga raportimi i “gjithë të vërtetës”.
Raportimi i vetëvrasjeve në vendin tonë nga ana e mediave të shkruara dhe atyre audiovizuale duhet të vendoset në ekuilibrin mes të drejtës për ta informuar publikun dhe mbrojtjes së dinjitetit e privatësisë së viktimës dhe familjarëve të tyre. Raportimet e tilla nuk duhet të përmbajnë detaje ose të shpalosin mënyrën se si viktima i ka dhënë fund jetës apo rrethana që e ka sjellë deri tek ky akt. Një studim i kryer gjatë vitit 2020 në vende të ndryshme të botës erdhi në përfundim që kur mediat raportuan mbi metodat e vetëvrasjes që ishin përdorur nga personazhet e famshme, pati një rritje prej 30% të vetëvrasjeve nga e njëjta metodë. Pra, përvojat ndërkombëtare kanë dëshmuar tashmë për fenomenin e imitimit të vetëvrasjeve pas leximit të shkrimeve apo lajmeve që përmbajnë detaje, fenomen i njohur si “efekti Werther”.
Janë të papranueshme si në aspektin e etikës gazetareske ashtu edhe në kundërshtim të plotë me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit, kur mediat në emër të “ekskluzivitetit” dhe që storiet e tyre të bëhen më “virale” publikojnë fotografi/video nga momenti i vetëvrasjes së personave, emrin dhe mbiemrin dhe karakteristikat e tjera personale të tyre, pjesë nga letra lamtumire dhe konstatime rreth mënyrës së kryerjes së aktit të vetëvrasjes.
Disa nga udhëzimet praktike se si duhet të raportohet për vetëvrasjet janë: ruajtja e të dhënave personale të viktimës; mospërmendja e formës apo e mjetit me të cilin është kryer vetëvrasja; mospërfshirja e fotove/videove nga lokacioni ku ka ndodhur ngjarja; mospërdorimi i termave si “numri i madh i vetëvrasjeve”, mospublikimi i mesazheve të fundit nga viktima etj.
Prandaj, në vend të publikimit të “detajeve” që nuk i kontribuojnë interesit publik, një praktikë e mirë që do mund të përdorej në këtë rast është ajo që brenda secilit raportim - sipas standardeve - mbi personat që kanë përfunduar në vetëvrasje, audienca të ketë mundësi të gjejë edhe linja ndihmëse për personat që eventualisht mund të kenë mendime për vetëvrasjen.
Deri në raportimin e rasteve të vetëvrasjeve sipas standardeve ndërkombëtare dhe në pajtueshmëri me legjislacionin vendor, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) bazuar në komponentin e shëndetit mendor, i fton familjarët e personave që kanë përfunduar në vetëvrasje e që raportimi i mediave ka cenuar privatësinë e tyre, të ndjekin rrugët ligjore përmes ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
(Ky editorial është shkruar nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, në kuadër të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF)