Nga Fadia SAADAH, Massimiliano PAOLUCCI, Rita ALMEIDA, Tigran SHMIS dhe Mrikë ALIU
Era, një vajzë e vogël nga Prishtina, e nis mëngjesin me nxitim. Prindërit ia përgatisin mëngjesin dhe ia bëjnë gati çantën për në kopsht. Era është një nga fëmijët me fat në Kosovë. Shumica nuk e kanë mundësinë ta frekuentojnë kopshtin e fëmijëve ose të zhvillojnë shkathtësi të hershme që janë themelore për të ardhmen e tyre. Kur të arrijnë moshën madhore, bashkëmoshatarët e Erës të lindur sot do të jenë vetëm 57% po aq produktivë sa mund të ishin nëse do të merrnin shërbime të plota dhe cilësore shëndetësore dhe arsimore që në periudhë të hershme në jetën e tyre.
Literatura tregon se Zhvillimi në Fëmijërinë e Hershme (ZHFH) është kritik për formimin e kapitalit njerëzor. Investimi në vitet e para është investimi më i mençur që mund të bëjë një vend për të krijuar kapital njerëzor që promovon rritjen ekonomike.
Një nga pengesat më të mëdha ndaj avancimit ekonomik të Kosovës është kapitali njerëzor që nuk u përgjigjet sfidave të ekonomisë globale gjithnjë në zhvillim. Shumicës së kosovarëve të rinj sot u mungojnë shkathtësitë themelore të nevojshme për një fuqi punëtore moderne. Treguesit bazë të kujdesit shëndetësor si vdekshmëria foshnjore ose vdekshmëria nën pesë vjeç janë shumë më të larta se në Bashkimin Evropian. Dhe tre nga katër fëmijë në Kosovë mbeten analfabetë funksionalë në moshën 15 vjeçare, sipas rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). COVID-19 vetëm sa e përkeqësoi të gjithë këtë. Pengesë kanë qenë edhe mbylljet dhe ndërprerjet e institucioneve parashkollore dhe shkollave, grevat e mësimdhënësve dhe paqëndrueshmëria e të nxënit.
Shumica e sfidave të lartpërmendura janë të pranishme në jetën e fëmijëve që në moshë shumë të hershme. Në Kosovë, vetëm 23% e fëmijëve të moshës 36-59 muajsh ishin në rrugën e zhvillimit në fushën e shkrim-leximit-numërimit. Teksa shumica e bashkëmoshatarëve nëpër Ballkanin Perëndimor kanë mbulim më të lartë me shërbime parashkollore, Kosova ka norma shumë të ulëta. Në rajon, vetëm Bosnjë dhe Hercegovina ka qasje kaq të ulët.
Regjistrimet, cilësia dhe barazia
Edhe
Raporti i Progresit: 15-vjeçarët kosovarë, 4.5 vjet prapa atyre evropianë në mësimnxënie
Këta hendekë kërkojnë veprim urgjent dhe të qëndrueshëm për të investuar në ZHFH. Por çka mund të bëhet sot për t’u siguruar që gjeneratat e ardhshme të kosovarëve të jenë në gjendje të arrijnë potencialin e tyre të plotë?
Do të duhej të rriteshin regjistrimet në shërbimet cilësore për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme në mënyrë që të gjitha familjet të kenë mundësi për qasje në to. Kosova është e pozicionuar mirë sa i përket mundësive. Teksa regjistrimet në Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme janë të ulëta, vetë sistemi është i larmishëm me shërbime publike, private dhe ato të bazuara në komunitet. Nëse rriten, balanci aktual i ofrimit publik dhe privat mund të sigurojë fleksibilitet për t’iu përgjigjur trendeve demografike me ritme të shpejta në vend.
Megjithatë, nuk mjafton vetëm qasja - cilësia e shërbimeve të Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme është kritike. Ka disa mënyra për ta përmirësuar cilësinë e shërbimeve: ndërtimi dhe mbështetja e sistemeve të sigurimit të cilësisë; rritja e kualifikimeve të mësimdhënësve; përmirësimi i vazhdueshëm i shkathtësive të mësimdhënësve, platformat digjitale për prindërimin, identifikimi i hershëm i problemeve rreth zhvillimit të fëmijës, mjediset e të nxënit me cilësi të lartë që mbështesin zhvillimin e fëmijës dhe një kurrikulë moderne e bazuar në shkencë; si dhe materiale të përditësuara për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Cilësia e ndërveprimeve të përditshme mësues-nxënës është në qendër të cilësisë dhe sigurisht ka nevojë për më shumë vëmendje. Një studim rishtas i Bankës Botërore, që do të botohet së shpejti, tregon se edukatorët nuk i mbështesin mjaftueshëm aktivitetet e pavarura të fëmijëve dhe e kanë të vështirë të zbatojnë kurrikulën e bazuar në lojë.
Nevojë për përmirësim ka edhe sa i përket barazisë në Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme. Sot, fëmijët në zonat rurale në Kosovë kanë tre herë më pak gjasa të regjistrohen në shërbimet për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme sesa bashkëmoshatarët e tyre në qytetet ku shkalla e regjistrimeve është më e lartë. Komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane kanë gjithashtu më pak gjasa se popullata e përgjithshme të kenë qasje në libra për fëmijë: 4% e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptian posedojnë të paktën tri libra për fëmijë në krahasim me 27% të popullsisë së përgjithshme. Dhe pjesëmarrja e fëmijëve kosovarë në ZHFH është tepër e pabarabartë ndërmjet grupeve socio-ekonomike.
Progresi deri më sot
Sot, Kosova po i përgjigjet sfidës për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme duke i kuptuar qartë problemet. Vendi ka miratuar kohët e fundit Planin Strategjik të Arsimit të Kosovës (PSAK) 2022-2026, Ligjin e ri për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, dhe ka hartuar plane të detajuara zbatimi për Planin Strategjik të Arsimit të Kosovës. Dokumentet strategjike janë të përqendruara në zgjerimin e ofrimit të Zhvillimit në Fëmijërinë e Hershme, i cili do të sigurojë qasje më të gjerë në shërbimet për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë, rishikime dhe përshtatje të kurrikulave të reja dhe investime për sigurimin e cilësisë.
Edhe
Dafina Zeqiri i bashkohet iniciativës për zhvillimin e hershëm të fëmijëve
Banka Botërore ka disa vite që mbështet sektorin e zhvillimit të fëmijërisë së hershme në Kosovë. Inputet e fundit analitike që shërbejnë për të informuar zhvillimin e suksesshëm të fëmijëve në çerdhet e Kosovës përfshijnë analizën e situatës dhe Memorandumin Ekonomik të Vendit. “Këndet e leximit të fëmijëve” ishte një nismë që Banka Botërore e mbështeti me ndihmën e fondeve nga Early Learning Partnership për të mbështetur qasje më të gjerë në materiale të leximit për fëmijët parashkollorë më te cenueshëm në mbarë vendin. Së fundi, Kosovën e vizitoi një nga autoret e këtij blogu, Fadia Saadah — Drejtoreshë e Grupit të Praktikave për Zhvillim Njerëzor për Evropën dhe Azinë Qendrore e Bankës Botërore. Fadia ndihmoi në shpërndarjen e librave për shumë kënde të reja të leximit për fëmijë, duke përfshirë të fundit nga 450 shkollat e mbështetura nga kjo iniciativë.
Grupi i Bankës Botërore dhe Kosova tani janë duke përgatitur një projekt investues që do të ndihmojë për zbatimin e një politike të re për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme duke përfshirë intervenimet në kujdesin shëndetësor. Kjo punë potencialisht do të mobilizojë përpjekjet e partnerëve të tjerë zhvillimorë, si UNICEF-i dhe BE-ja.
Këto përpjekje do t’i ndihmojnë Kosovës që të ndërtojë një sistem më të fortë për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme me fëmijët në qendër dhe i hapur për të gjithë, si dhe të promovojë kapital më të fortë njerëzor për rritje ekonomike sot dhe për gjeneratat që do të vijnë.
-Fadia Saadah është Drejtoreshë e Zhvillimit Njerëzor për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore
-Massimiliano Paolucci është Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut
-Rita Almeida është Menaxhere e Bankës Botërore në Praktikën Globale të Arsimit për Evropën dhe Azinë Qendrore
Edhe
KOMF-i bën thirrje për reforma urgjente në sektorët që prekin jetën e fëmijëve
- Tigran Shmis është Specialist i Lartë i Arsimit në Bankën Botërore
- Mrikë Aliu është Specialiste e Zhvillimit Njerëzor në Bankën Botërore