OpEd

Populisti që donte ta varroste Bosnjën, hodhi veten në një gropë të thellë

Milorad Dodik, aleati më besnik i Moskës në Bosnjë-Hercegovinë, është dënuar me një vit burg dhe ndalim të ushtrimit të posteve politike për gjashtë vjet. Kjo është një pikë kthese për Ballkanin

Nëse nuk ndodh ndonjë e papritur apo ndonjë mrekulli, e premtja e kaluar mund të hyjë në historinë e Ballkanit si dita kur nisi përfundimi i karrierës politike e Milorad Dodikut, presidentit të entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës. Një gjykatë apeli ka konfirmuar dënimin ndaj tij: ai duhet të vuajë një vit burg dhe i ndalohet ushtrimi i funksioneve politike për gjashtë vjet. Arsye për këtë janë aktivitetet e tij separatiste dhe kundërkushtetuese.

Populisti me lidhje të ngushta me diktatorin rus Vlladimir Putin ndjek prej vitesh vetëm një qëllim: të shkatërrojë shtetin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës dhe të bashkojë pjesën që kontrollon me Serbinë. Ky ishte edhe qëllimi i kriminelëve të luftës Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq në vitet 1990. Ata tashmë janë dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia e OKB-së, por Dodiku vazhdoi veprën e tyre me mjete politike. Për të Bosnja është një “shtet artificial”, një “shtet prej letre”, një “përbindësh”.

Milorad Dodik e shpalli përfaqësuesin e lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë si kundërshtarin e tij kryesor – politikanin gjerman Christian Schmidt, i cili prej katër vjetësh mban këtë funksion në kryeqytetin boshnjak. Sipas marrëveshjes së paqes së Daytonit, nënshkruar para 30 vjetëve, detyrë e Schmidtit është të ruajë unitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të ndërhyjë sa herë që politikanët vendorë përpiqen ta dobësojnë apo ta shpërbëjnë shtetin.

Përshkallëzimi më i fundit mori hov në vitin 2023, kur Dodik vuri në fuqi dy ligje që shpallnin të pavlefshme të gjitha vendimet e Schmidtit në territorin e Republikës Serbe (RS). Gjermani i durueshëm e paralajmëroi udhëheqësin boshnjako-serb për pasojat – por më kot. Në fillim të këtij viti Dodiku u dënua për mosrespektim të urdhrave të Schmidt. Me konfirmimin nga Gjykata e Apelit, dënimi është bërë tashmë i formës së prerë dhe nuk mund të kontestohet më.

Dodiku mund t’i shpëtojë burgut nëse paguan rreth 19.000 euro – që korrespondojnë me 52 euro për çdo ditë burgimi. Ende nuk është e qartë nëse ai do të tërhiqet nga posti i presidentit të Republikës Serbe, siç kërkon vendimi. Në një paraqitje për mediat të premten, Dodiku tha se nuk do ta pranojë vendimin e gjykatës, por ai dukej i zhgënjyer. I mbështetur për muri, ai deklaroi se do të kandidojë sërish pas gjashtë vjetësh – “por shpresoj që deri atëherë Bosnja të mos ekzistojë më”. Ajo që binte në sy ishte mungesa e kërcënimeve për tensione të mëtejshme në Bosnjë. “Populli nuk ka pse të frikësohet. Këtu nuk do të shkrepet as edhe një plumb.”

Siç pritej, vendimi i gjykatës kundër Dodikut u kritikua nga autokrati hungarez Viktor Orbán si një “gjueti shtrigash”, Ambasada ruse në Sarajevë foli për një drejtësi të “politizuar”, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi melodramatikisht: “Për sa kohë që më rrjedh gjaku në deje, nuk do të them asnjë fjalë pozitive për dënimin e Dodikut”.

Në muajt e fundit Dodiku ka luajtur lojën e maces me miun me autoritetet boshnjake. Ai ka injoruar një urdhër arresti duke udhëtuar lirshëm jashtë vendit dhe u kthye në Bosnjë pa probleme. Në pikat kufitare me Serbinë, zyrtarët boshnjako-serbë refuzuan ta arrestonin. Më 31 mars ai u lajmërua nga Moska dhe lavdëroi Putinin si “udhëheqës historik” të Rusisë, i cili – bashkë me Donald Trumpin – lufton kundër “elitës globaliste”.

Më parë Dodiku kishte marrë pjesë në një konferencë kundër antisemitizmit në Jerusalem – bashkë me politikanë të tjerë të ekstremit të djathtë nga Evropa. Gazeta më e vjetër hebraike, “The Jewish Chronicle”, reagoi ashpër: “Të ftohet një mohues i gjenocidit në një konferencë kundër antisemitizmit është turp për Izraelin.” Dodiku vetë e mohon gjenocidin e kryer nga trupat serbe ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë. Më 9 maj ai u pa sërish në Moskë gjatë festimeve për 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin.

Pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, Dodiku shpresonte në mbështetje nga Washingtoni për të shkatërruar përfundimisht Bosnjën. Por ndodhi e kundërta: në fillim të marsit, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio shkroi në platformën X: “Veprimet e presidentit të RS, Milorad Dodik, minojnë institucionet e Bosnjë-Hercegovinës dhe rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. U bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për ta ndalur këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese.”

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione ndaj Dodikut prej vitesh. Për shkak të provokimeve të tij të vazhdueshme, Gjermania dhe Austria ia ndaluan hyrjen në prill.

Rrethi i Dodikut u ngushtua - madje edhe në vilajetin e tij në Bosnjë. Zgjedhjet e fundit ai i fitoi me pak vota epërsi dhe me dyshime për manipulime. Bashkimi Evropian bëri thirrje që të respektohet vendimi i gjykatës. Njëjtë bëri edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Sarajevë. Dodiku mund të vazhdojë lojën e tij, por gjasat janë të mëdha që do të futet thellë e më thellë në gropën që deshi t’ia bënte Bosnjës.