Simpatia pasive për viktimat nuk mjafton. Eliminimi i kësaj padrejtësie kërkon prioritetizim, përkushtim, këmbëngulje dhe veprim të përbashkët. Duke filluar nga familja, institucionet edukativo-arsimore, shoqëria civile, udhëheqësit e besimeve fetare, mediat, ligjvënësit, e në veçanti institucionet e drejtësisë dhe ato të sigurisë
Shtëpia që tradicionalisht supozohet të jetë streha më e sigurt e qenies njerëzore, është gjithnjë e më pak e tillë për gratë dhe vajzat. Të sigurta nuk janë as rrugët, as sheshet, e ndodh të mos jetë as vendi i punës.
Pesëdhjetë gra janë vrarë nga burrat në Kosovë brenda një periudhe 12-vjeçare (2010-2022), sipas të dhënave nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Prezenca gjithnjë e më e evidentuar e dhunës shpie gradualisht drejt normalizimit të saj. Dhuna ndaj grave nuk paraqet një gjendje të natyrshme të shoqërisë, mirëpo ajo ushqehet në rrethana ku tradicionalisht kanë frymuar e dominuar supozimet e gabuara për vlerën dhe rolin e gruas. Niveli i dhunës në familje dhe niveli i dhunës ndaj grave në përgjithësi lë të kuptohet se këto supozime mbeten të fuqishme dhe efektive, edhe pse ato shpesh fshihen pas dyerve të mbyllura.
Trishtuese, e frikshme dhe alarmante!
Statistikat nuk dëshmojnë veç një trend shqetësues. Ato bartin barrën e historive të dhimbshme të grave dhe vajzave të shumta. Shpesh e për fat të keq, për shkak të heshtjes, këto histori të trishta reduktohen vetëm në numra. Mirëpo, kur rastet rriten nga dita në ditë, ne obligohemi të rishqyrtojmë përgjegjësinë tonë si shtet dhe si shoqëri në raport me dhunën ndaj grave, e cila po merr përmasa të epidemisë.
Edhe
Raporti i AI-së për Kosovën: Dhuna me bazë gjinore, sulmet ndaj gazetarëve, ndër ngecjet kryesore
Femicidin duhet ta parandalojmë e ta luftojmë, ndaj ky synim duhet të shndërrohet në emergjencë kombëtare, sepse asgjë nuk është më e rëndësishme sesa jeta e qytetarëve tanë. Duhet, po ashtu, ta luftojmë mendësinë, sipas së cilës jeta e vajzave dhe grave vlen më pak sesa ajo e djemve dhe burrave, sepse është pikërisht kjo mendësi primitive që rezulton me vrasje e me shkatërrim jetësh.
Kosova ka krijuar kornizë të mjaftueshme ligjore për mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore. Do të ishte mirë që problemi të përfundonte me kaq. Por, mjerisht, e vërteta është se veç ekzistenca e kornizës ligjore nuk mjafton për të prodhuar rezultate përmbajtjesore në drejtim të luftimit të kësaj dukurie të tmerrshme. Respektimi strikt i kësaj kornize ligjore pa dyshim se do të ishte një hap esencial. Mirëpo, në një vend ku qëndrimet si rezultat i mendësisë patriarkale janë të rrënjosura thellë, çrrënjosja e një mendjeje dhunuese realizohet vetëm me çrrënjosje të atij mentaliteti.
Luftimi i këtyre qëndrimeve është detyrë e secilit prej nesh, sepse ligjet pa emancipim shoqëror rrezikojnë të mos gjejnë zbatim. Simpatia pasive për viktimat nuk mjafton. Eliminimi i kësaj padrejtësie kërkon prioritetizim, përkushtim, këmbëngulje dhe veprim të përbashkët. Duke filluar nga familja, institucionet edukativo-arsimore, shoqëria civile, udhëheqësit e besimeve fetare, mediat, ligjvënësit, e në veçanti institucionet e drejtësisë dhe ato të sigurisë. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në përkushtimin për ndërtimin e një vizioni të drejtë të barazisë gjinore.
Andaj, në vend të dorëzimit, dëshpërimit dhe zhgënjimit, duhet ta zgjedhim përballjen, emancipimin dhe ngadhënjimin.
Nuk ka vetëm një kohë të caktuar të përshtatshme për të rezistuar kundrejt padrejtësive dhe dhunës mbi baza gjinore. Rezistenca e aktivizmi duhet të jenë të çdoditshme.
Edhe
Mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në pritje të drejtësisë
Jo vetëm në Kosovë, por gjithandej nëpër botë, gratë dhe vajzat po ekspozohen ndaj rreziqeve të shtuara. Në raste të shumta, realiteti i së tashmes është i hidhur e perspektiva për të ardhmen ballafaqohet me shumë pikëpyetje. Prandaj, ndërgjegjësimi dhe vetëdijesimi mbi fuqizimin e grave, duke investuar në arsimim, duke iu mundësuar qasje të barabartë në trashëgimi, si dhe duke iu ofruar mundësi të barabarta ekonomike dhe në punësim janë jetike. Masat që fuqizojnë gratë, ekonomikisht dhe politikisht, do të sjellin ndryshime pozitive në qëndrimet dhe sjelljet familjare e shoqërore.
Duke qenë një njësi matëse e emancipimit të një shoqërie, arritja e barazisë gjinore është shndërruar në një betejë universale. Por, teksa një vajzë ngacmohet seksualisht apo dhunohet, një grua abuzohet fizikisht e vritet, ne mbetemi shumë larg fitimit të kësaj beteje.
Një gjë është e qartë, dhuna ndaj grave është dhunë ndaj mirëqenies së tërë shoqërisë. Dhuna ndaj grave ka pasoja të mëdha për gratë, fëmijët, shoqërinë dhe vendin. Përveçse shkel të drejtat e njeriut, minon zhvillimin e demokracisë, gjeneron paqëndrueshmëri dhe e bën paqen vështirë të qëndrueshme dhe të arritshme.
Duke qenë të sfiduar si shoqëri me dhunën mbi baza gjinore, vetëm qasja proaktive dhe gjithëpërfshirëse mund të jetë mjet efikas në përballje me këtë fenomen. Prandaj na duhet një angazhim gjithëpërfshirës për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave. Një angazhim i tillë kërkon komunikim të qartë e sistematik, koordinim ndërinstitucional, prioritet kombëtar, mobilizim të të gjitha grupeve shoqërore, dhe angazhim të barabartë të grave dhe burrave. Çdo thirrje për drejtësi duhet të na shërbejë si thirrje për reflektim mbi këtë emergjencë kombëtare. Është e domosdoshme t'u përgjigjemi zëshëm thirrjeve për drejtësi të grave e të bëjmë shumë më tepër për t'iu dhënë fund abuzimeve të tmerrshme e sidomos mosndëshkimit, i cili mundëson që shkeljet e të drejtave të vazhdojnë. Por, me po kaq ngulm, ne duhet ta trajtojmë edhe gjenezën e këtij fenomeni, shkaktarët e tij dhe format e ndryshme me të cilat manifestohet.
Angazhimi kundër dhunës në baza gjinore është kauzë e përditshme e imja, ndaj vitin 2023 do ta shpall “Vit i luftës ndaj dhunës mbi baza gjinore”, në funksion të një fronti kombëtar kundër këtij fenomeni. Është koha e fundit që pasiguritë të luftohen me siguri shtesë, që pabarazitë të zëvendësohen me barazi të shtuar, e që të drejtat e grave të shihen si hap drejt fuqizimit të shoqërisë e shtetit tonë. Trendin përshkallëzues në raport me dhunën mbi baza gjinore duhet ta ndalim, duke u radhitur të gjithë në një front, duke e shndërruar në një projekt shtetëror në vitin që po hyjmë.
Edhe
Mbi 2 mijë e 800 viktima të dhunës në familje gjatë 2025-s, 75% gra
Në një vend ku vriten gratë nuk mund të flitet as për vlera e as për tradita. Vlerë është mbrojtja e jetës. Pa dallim. Ta bëjmë këtë së bashku. Ta kthejmë vitin 2023 në një pikë kthese për tërë shoqërinë e shtetin tonë. Një vit ku mbizotërojnë njëmend vlerat e vërteta: ato të barazisë e të dinjitetit, të grave e burrave, vajzave e djemve, bashkërisht.
*Autorja është presidente e Republikës së Kosovës dhe ky editorial është shkruar enkas për numrin festiv të gazetës “Koha Ditore”