OpEd

Një marrëveshje të gjelbër globale

Të gjithë duhet të bëhemi tok – jo vetëm qeveritë, por edhe bizneset, qytetet, institucionet financiare dhe shoqëria civile – për të konfrontuar sfidën klimatike. Evropa i ka mjetet, shkathtësitë dhe njohurinë për të prirë me shembull. Duhet të përkthejmë lidershipin tonë të politikës klimatike në lidership tregu për të siguruar një Marrëveshje të Gjelbër Globale. Le t’i përvilemi punës

Në Evropë kemi dëgjuar paralajmërimet për ndryshimin klimatik. E dimë se nëse sistemet tona ushqimore, transportuese, energjetike dhe industriale nuk ndryshojnë, mund të përballemi me ngritje katastrofale temperature prej më shumë se tri shkallësh celsius në këtë shekull.

Derisa po i afroheshim fundit të vitit 2020 – viti i dytë më i nxehtë i Evropës – ne në Bashkimin Evropian morëm një vendim të përbashkët për reduktimin e emetimeve të gazrave tona serrë prej rreth 55 për qind nga nivelet e vitit 1990 deri më 2030. Komisioni Evropian tani po e zbaton këtë zotim me ndryshime konkrete politikash dhe Banka Evropiane e Investimeve po e mbështet përpjekjen me fuqinë e saj financiare.

Dekada aktuale është një moment jetik për planetin tonë. Për të konfrontuar, sfiduar akute që na shfaqen ne, dy organizatat tona po i bindin qeveritë, institucionet dhe investitorët më 24 mars 2021 për një ngjarje të spikatur: “Investimi në Veprimin Klimatik”.

Kjo ngjarje do të bashkojë liderë botërorë për të ndarë planet e tyre për zbatimin e politikave të nevojshme në vend dhe për të siguruar koordinim ndërkombëtar. Dhe do t’u kërkohet të ndihmohen investitorët dhe që liderët biznesorë të përmirësojnë njohuritë e tyre lidhur me mjedisin politik në të cilin ata do të operojnë së paku edhe gjatë dekadës së ardhshme.

Veprimi klimatik kërkon ndryshim strukturor gjithëpërfshirës dhe nivele të theksuara të investimeve anembanë botës. Vetëm në Evropë përmbushja e cakut të reduktimit të gazrave deri më 2030 do të kërkojë rreth 350 miliardë euro investimeve shtesë në vit. Megjithatë, kjo figurë është e rëndësishme krahasuar me kostot e lidhjes së duarve kryq.

Për të zgjidhur sfidën e investimeve, Banka Evropiane e Investimeve, huadhënësi më i madh multilateral në botë, është kthyer në Bankë Klimatike të BE-së, duke i lidhur të gjitha aktivitetet e veta me qëllimet e trasuara në Marrëveshjen e Parisit. Në mesin e gjërave të tjera, Banka Evropiane e Investimeve ka zotuar mbështetje në vlerë prej 1 bilion eurosh investime në veprim klimatik dhe qëndrueshmëri mjedisore në dekadën e ardhshme.

Por vetëm financimi nuk do të na përmbushë nevojat drejt cakut të synuar. Na duhet edhe një doracak, gjë që tregon se pse Komisioni Evropian doli me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane në dhjetorin e vitit 2019. Si strategji e re e ngritjes ekonomike e Evropës, ajo synon të transformojë BE-në në një shoqëri më prosperuese dhe më të drejtë, duke udhëhequr transicionin drejt një ekonomie më konkurruese dhe më efikase në burime. Fundja, qëllimi është që të arrihen emetime pa gazra serrë deri më 2050.

Megjithatë, BE-ja përfaqëson më pak se dhjetë për qind të emetimeve botërore, kështu që vetëm veprimi evropian nuk do të jetë i mjaftueshëm për të ngadalësuar ngrohjen globale. Për të mbajtur ngritjen në temperaturën botërore afër 1.5 shkallësh celsius, duhet të mbështesim përpjekjet dekarbonizuese përtej kufijve tanë. Kjo është arsyeja pse na duhet një Marrëveshje e Gjelbër Botërore.

Për këtë qëllim, ne ia kemi vënë vetes tri prioritete investimi. Së pari, na duhet të sigurohemi se teknologjitë më të avancuara të pastra duhet të jenë gjithkund. Pavarësisht përparimit të mirë në prodhimin e energjisë së ripërtërishme, 40 për qind e elektricitetit të botës ende gjenerohet nga thëngjilli, burimi më i papastër i energjisë. Me zhvillimin ekonomik që po kërkon përherë e më shumë elektricitet, andaj edhe përgjegjësi për përshtatje të zgjidhjeve të teknologjisë së gjelbër dhe krijim të rrjeteve botërore elektrike.

Evropa është e gatshme të investojë gjithkund nga programet e gjelbra të elektrifikimit në Afrikë dhe në projekte industriale dekarbonizuese në Azi, deri te dërgimi i baterive në Amerikën Latine. Dhe kemi ekspertizë të përshtatjes klimatike që mund ta ndajmë, bashkë me teknologjitë e kontrollit të vërshimeve, mjete të avancuara të parashikimit meteorologjik dhe infrastrukturë qëndrueshmërie. Me mjetet financiare dhe me njohurinë për të mbështetur përpjekjet për përshtatje klimatike, Banka Evropiane e Investimeve do të përdorë burimet e veta si levë më të madhe në investimet e sektorit privat në këtë fushë kritike.

Prioriteti ynë i dytë është investimi në teknologji të avancuara të gjelbra, si asnjëherë më parë. Hulumtimi dhe zhvillimi i tillë është edhe i nevojshëm, edhe mundësi enorme tregu. Tashmë, një grup vendesh që përfaqësojnë gjysmën e hises së ndotjes klimatike kanë përshtatur qëllimet e “rrjetit zero”, dhe sigurisht se këtë rrugë do ta rrahin edhe të tjerat. Të gjithëve iu duhet teknologjia dhe investimi evropian për të jetësuar cakun. Hidrogjeni i pastër, energjia e ripërtërishme dhe zgjidhjet e ruajtjes së energjisë mund të kthehen në dinamizues të fuqishëm për sektorët e fuqishëm të BE-së.

Në fund, na duhet të përqafojmë idenë e një “ekonomie qarkulluese”. Qysh qëndrojnë punët, më shumë po marrim prej planetit sesa mund të na dhurojë, dhe efektet e kësaj strategjie do të jenë edhe më dramatike dhe më destruktive me kalimin e viteve. Ne duhet të reduktojmë urgjentisht gjurmët mjedisore dhe karbonike të mallrave që i konsumojmë.

Për ta arritur këtë, na duhet të investojmë në teknologji qarkulluese që ripërdorin burimet, në vend se vazhdimisht të prodhojmë ose të importojmë mallra të reja dhe të nxjerrim më shumë materiale të papërpunuara. Ekonomia qarkulluese ka potencial të madh jo vetëm për të reduktuar varësinë tonë nga burimet që po rrallohen, por edhe të krijojmë vende pune. Sikurse Evropa që po vazhdon ta demonstrojë, Marrëveshja e Gjelbër nuk është vetëm politikë mjedisore; është edhe domosdoshmëri ekonomike dhe gjeopolitike.

Pesë vjet më parë, 196 shtete u bashkuan dhe nënshkruan Marrëveshjen e Parisit, me zotimin se do të mbajnë temperaturën mesatare botërore brenda 2 shkallësh celsius – preferueshëm nën 1.5 shkallë celsius – të nivelit paraindustrial. Deri tani, ky zotim ende nuk është përcjellë me veprim të mjaftueshëm. Është koha të ngremë ambiciet tona dhe ta zgjerojmë progresin. Ky do të jetë mesazhi ynë në “Investimin në Aksionin Klimatik” më 24 mars.

Të gjithë duhet të bëhemi tok – jo vetëm qeveritë, por edhe bizneset, qytetet, institucionet financiare dhe shoqëria civile – për të konfrontuar sfidën klimatike. Evropa i ka mjetet, shkathtësitë dhe njohurinë për të prirë me shembull. Duhet të përkthejmë lidershipin tonë të politikës klimatike në lidership tregu për të siguruar një Marrëveshje të Gjelbër Globale.

Le t’i përvilemi punës.

(Ursula von der Leyen është presidente e Komisionit Evropian. Werner Hoyer është president i Bankës Evropiane të Investimeve. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)