OpEd

Gjeopolitikat e ndryshimeve klimatike

BE-ja ka përqafuar tranzicionin e gjelbër, shkaku se shkenca na thotë se duhemi, ekonomia na mëson se do të duheshim dhe teknologjia na tregon se mundemi. Jemi të bindur se një botë me teknologji të pastër do të sjellë përfitime në mirëqenien e njerëzve dhe në stabilitetin politik. Por, rruga deri aty do të jetë e mbushur me rreziqe dhe pengesa... Sa më parë që sigurojmë se mallrat publike globale janë aty për t’i gëzuar të gjithë, është aq më mirë

Bashkimi Evropian është duke u shfaqur si shtegndërtues botëror për klimën. Vetëm para pak kohësh, ligjvënësit dhe qeveritë evropiane janë pajtuar rreth Ligjit Evropian të Klimës, i cili e ankoron cakun tonë të neutralitetit klimatik në statut. Me Ujdinë e Gjelbër si strategji tonën të rritjes dhe cakun tonë të 2030-s për reduktimin e emetimeve deri në të paktën 55 për qind, BE-ja është pozicionuar bukur mirë në shtegun e arritjes së neutralitetit klimatik deri më 2050. Por, Evropa nuk është e vetme: një masë kritike është duke u zhvilluar globalisht, teksa përherë e më shumë vende po i fuqizojnë zotimet e tyre të dekarbonizimit.

Takimet e fundit me John Kerryn, të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan për klimën, kanë konfirmuar se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bashkëpunojnë sërish për mobilizimin e një koalicioni ndërkombëtar përreth synimit të ngritjes substanciale të ambicieve klimatike para samitit klimatik të Kombeve të Bashkuara (COP26), gjatë këtij nëntori, në Glasgow.

Nuk ka kohë për të humbur. Ndryshimet e pakontrolluara klimatike – bashkë me thatësinë shkatërrimtare, urinë, vërshimet dhe zhvendosjet masive – do t’i ushqejnë valët e reja të mërgimit dhe të ndikojnë në shpeshtimin e theksueshëm dhe intensitetin e konflikteve rreth ujit, tokave të punueshme dhe burimeve natyrore. Për ata që ankohen rreth investimeve të mëdha që nevojiten për luftimin e ndryshimeve klimatike dhe humbjes së biodiversitetit, ne thjesht mund të themi se mosveprimi do të kushtonte larg më tepër.

Duke i luftuar krizat e klimës dhe biodiversitetit, çdokush do të kalonte më mirë, falë vendeve më të mira të punës, ajrit dhe ujit më të pastër, pandemive më të pakta dhe shëndetit e mirëqenies së përmirësuar. Por, sikurse në çdo tranzicion tjetër të gjerë, ndryshimet pasuese do t’i shqetësojnë disa dhe do t’u sjellin përfitime të tjerëve, duke krijuar tensione përbrenda dhe midis vendeve. Teksa po e përshpejtojmë tranzicionin prej një ekonomie të bazuar në hidrokarbure drejt një tjetre të qëndrueshme që mbështetet në energjinë e ripërtëritshme, ne nuk mund të jemi symbyllur karshi këtyre efekteve gjeopolitike.

Vetë tranzicioni, në veçanti, do të nxisë ndryshime energjetike nëpërmjet largimit prej atyre që i kontrollojnë dhe eksportojnë karburantet fosile drejt atyre që i zotërojnë teknologjitë e gjelbra të së ardhmes.

Për shembull, shkëputja nga karburantet fosile do ta përmirësonte theksueshëm pozitën strategjike të BE-së, jo vetëm nëpërmjet reduktimit të varshmërisë së saj nga importet e energjisë. Më 2019, 87 për qind e naftës tonë dhe 74 për qind e gazit tonë kanë ardhur nga jashtë, duke na kërkuar që të importojmë produkte të karburanteve fosile me vlerë prej më shumë se 320 miliardë eurosh, atë vit.

Për më tepër, me tranzicionin e gjelbër, pikat e vjetra strategjike të bartjes – nisur prej Ngushticës së Hormuzit – do të bëheshin më pak relevante dhe kësisoj më pak të rrezikshme. Këto pikëkalime detare i kanë preokupuar strategët ushtarakë për dekada me radhë. Por, derisa epoka e naftës po kalon, ato do të jenë subjekte më të rralla të garës për qasje dhe kontroll të fuqive rajonale dhe globale.

Shkëputja prej importeve të energjisë do të ndihmojë gjithashtu në reduktimin e të ardhurave dhe fuqisë gjeopolitike të vendeve si Rusia, e cila aktualisht varet theksueshëm nga tregu i BE-së. Sigurisht, humbja e këtij burimi kyç të të ardhurave ruse mund të shpjerë drejt jostabilitetit në një periudhë të afërt, veçmas nëse Kremlini e sheh këtë si ftesë për aventurizëm.

Por në një periudhë më të largët kohore, një botë me energji të pastër do të mund të ishte njëherësh një botë me qeveri më të pastra, ngase eksportuesit tradicionalë të karburanteve fosile do të kenë nevojë që t’i diversifikojnë ekonomitë e tyre dhe të lirohen prej “mallkimit të naftës” e korrupsionit që ai aq shpesh e ngërthen në vete.

Në të njëjtën kohë, vetë tranzicioni i gjelbër do të kërkonte më pak lëndë të para, disa prej të cilave janë të përqendruara në vendet që veçse kanë treguar gatishmëri për përdorimin e burimeve të tyre natyrore si mjete të politikave të jashtme. Kjo brishtësi në rritje do të duhej adresuar në dy mënyra: nëpërmjet riciklimit të këtyre burimeve kyç dhe me anë të lidhjes së aleancave më të gjera me vendet eksportuese.

Për më tepër, për aq kohë sa zotimet klimatike të vendeve të tjera nuk janë në një linjë me të tonat, do të ketë gjithmonë rrezik për “rrjedhje të karbonit”. Kjo është arsyeja pse BE-ja është duke punuar në mekanizmin e rregullimit të kufirit të karbonit (CBAM). Ne e dimë se disa shtete, madje edhe mes aleatëve tanë, kanë shqetësime për këtë çështje. Por duam që të jemi të qartë: caktimi i një çmimi për mallrat e importuara me përmbajtje karboni nuk është i destinuar të jetë ndëshkues apo proteksionist.

Përveç garantimit se planet tona janë në përputhje të plotë me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, ne do të angazhohemi bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë që qysh më herët të shpjegojmë çfarë kemi në mendje. Synim yni është që ta lehtësojmë bashkëpunimin dhe t’u ndihmojmë të tjerëve që t’i përmbushin caqet e tyre klimatike. Shpresojmë fort se CBAM-ja do të nxisë një garë në krye.

Ndonëse trazicioni i gjelbër do të gjenerojë ekonomi më të qëndrueshme dhe elastike, nuk do të shpjerë automatikisht drejt një bote me më pak konflikt apo garë gjeopolitike. BE-ja, duke mos ushqyer kurrfarë iluzionesh, do të duhet që ta analizojë ndikimin e politikave të saja përreth rajoneve të ndryshme, me qëllim të identifikimit të pasojave të mundshme dhe planifikimit të rreziqeve të parashikueshme.

Për shembull, në Arktik, ku temperaturat po rriten dyfish më shpejt sesa mesatarja globale, Rusia, Kina dhe të tjerat veçse janë duke u munduar që ta krijojnë një terren gjeopolitik mbi territorin dhe burimet që dikur ishin nën akull. Derisa krejt këto fuqi janë goxha të interesuara për reduktimin e tensioneve dhe për “mbajtjen e Arktikut në Arktik”, përplasjet e fundit për rang po e vejnë të gjithë rajonin në rrezik.

Në jugun e Evropës ekziston një potencial enorm për gjenerimin e energjisë nga dielli dhe hidrogjeni i gjelbër, si dhe për formësimin e modeleve të reja të rritjes së qëndrueshme, bazuar në energjinë e ripërtërishme. Evropës do t’i duhet që të bashkëpunojë ngushtë me vendet në Afrikën nënsahariane dhe gjetkë për t’i rrëmbyer këto mundësi.

BE-ja ka përqafuar tranzicionin e gjelbër, shkaku se shkenca na thotë se duhemi, ekonomia na mëson se do të duheshim dhe teknologjia na tregon se mundemi. Jemi të bindur se një botë me teknologji të pastër do të sjellë përfitime në mirëqenien e njerëzve dhe në stabilitetin politik. Por rruga deri aty do të jetë e mbushur me rreziqe dhe pengesa.

Kjo është arsyeja pse informatat mbi gjeopolitikat e ndryshimeve klimatike duhet t’i kemi parasysh. Rreziqet gjeopolitike nuk janë arsyetim për trazimin e shtegut tonë apo për ndryshimin e drejtimit. Përkundrazi, janë një shtysë për përshpejtimin e punë tonë drejt një tranzicioni të drejt për të gjithë. Sa më parë që të sigurojmë se mallrat publike globale janë aty për t’i gëzuar të gjithë, është aq më mirë.

(Frans Timmermans është nënkryetar ekzekutiv i Komisionit Evropian. Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri, është nënkryetar i Komisionit Evropian. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)