Kronikë

Parandalohet kontrabanda në Qendrën Korrektuese në Dubravë

Telefona

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se është parandaluar tentimi i disa të dënuarve për të kontrabanduar gjëra në Qendrën Korrektuese të Dubravës. 

Shërbimi Korrektues ka njoftuar se disa të dënuar, duke shfrytëzuar programin e punësimit jashtë institucionit, kanë tentuar të kontrabandojnë substanca narkotike, telefona dhe suplemente të ndryshme. 

“Sot, rreth orës 17:00, pas informacioneve të pranuara nga burime konfidenciale, në Qendrën Korrektuese të Dubravës është zhvilluar një bastisje e qëllimshme nga Departamenti i Sigurisë, në bashkëpunim edhe me njësinë K9. Gjatë këtij operacioni është parandaluar tentativa e disa të dënuarve, të cilët, duke shfrytëzuar programin e punësimit jashtë institucionit, kanë tentuar të fusin në mënyrë të kontrabanduar substanca të dyshuara narkotike, telefona, dhe suplemente të ndryshme brenda institucionit”, ka njoftuar SHKK. 

Materialet janë konfiskuar, ndërsa të dënuarit e dyshuar kanë humbur privilegjin që u ishte mundësuar dhe ndaj tyre do të iniciohen procedura penale. 

“Materialet e dyshuara janë konfiskuar, ndërsa për rastin është njoftuar Policia e Kosovës për ndërmarrjen e procedurave të mëtejme ligjore. Të dënuarit e dyshuar humbin privilegjin e mundësuar nga rendi shtëpiak dhe ndaj tyre do të iniciohen procedura penale. Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në zbatimin e masave të rrepta të kontrollit dhe sigurisë, me qëllim parandalimin e çdo veprimi të kundërligjshëm dhe ruajtjen e rendit, sigurisë dhe disiplinës brenda institucioneve korrektuese”, ka njoftuar SHKK.