Pasi është rreshtuar ngadalë pas lëvizjes protestuese në Serbi, tenisti i njohur Novak Gjokoviq po përballet me një fushatë të mediave proqeveritare në Beograd. Një kronikë e një konflikti
Ngado që shikon: presidenti serb Aleksandar Vuçiq duket sikur është i rrethuar me armiq. Nëse mund t’u besohet mediave të afërta me regjimin, armiqtë e presin Vuçiqin në çdo qosh. Tani madje edhe tenisti i njohur Novak Gjokoviq është vënë në shënjestër si një nga kundërshtarët e tij më prominentë.
Gazeta bulevardeske “Informer” e sulmoi së fundmi me fjalë drastike lëvizjen protestuese kundër Vuçiqit: i vetmi model ideologjik i saj, sipas “Informer”, është Adolf Hitleri. Vetë Vuçiqi i ka përshkruar protestuesit si “të çmendur”, “mercenarë të huaj” dhe “karrieristë”.
Shumë qytetarë serbë janë të tronditur nga fakti se shembja e çatisë së stacionit të trenit në qytetin Novi Sad, në nëntorin e kaluar, ua mori jetën 16 njerëzve të pafajshëm. Për këtë arsye ata po dalin në rrugë. Tragjedia ndoshta nuk do të kishte ndodhur, nëse në Serbi do të ekzistonin institucione funksionale dhe të pakorruptuara. Këto institucione do të kishin mundur ta kontrollonin në mënyrë efektive kompaninë kineze të ndërtimit, e cila ishte përgjegjëse për rinovimin e stacionit.
Në fillim të gushtit, kur njëmbëdhjetë funksionarë të lartë të partisë qeverisëse SNS u arrestuan nën dyshimin se kishin përvetësuar mbi 90 milionë franga zvicerane gjatë ndërtimit të linjës hekurudhore në veri të vendit, mediat bulevardeske ngritën alarmin. Ato panë në horizont një “grusht shteti gjyqësor” kundër Vuçiqit.
Prej disa javësh, edhe ylli i tenisit Gjokoviq është vënë në shënjestrën e mediave të regjimit. Për vite me radhë ai është lavdëruar si hero kombëtar, është nderuar me shumë dekorata shtetërore dhe vlerësuar si ambasadori dhe patrioti më i madh i Serbisë që nga Beteja e Fushë-Kosovës më 1389 kundër osmanëve. Por tani, kjo ikonë kombëtare po përshkruhet nga disa media serbe pothuajse si tradhtar.
Qëkur protestat masive nisën në Serbi para nëntë muajsh, Gjokoviqi është distancuar hap pas hapi nga regjimi. Më 18 dhjetor ai shkroi: “Si dikush që beson fort në forcën e të rinjve dhe dëshirën e tyre për një të ardhme më të mirë, e konsideroj të rëndësishme që zëri i tyre të dëgjohet. Serbia ka potencial të jashtëzakonshëm dhe rinia e arsimuar është forca e saj më e madhe. Ajo që na duhet të gjithëve janë mirëkuptimi dhe respekti. Jam me ju, Novaku.”
Edhe pse Gjokoviqi nuk e kritikoi drejtpërdrejt Vuçiqin, vetëm mbështetja e tij e kujdesshme për lëvizjen studentore bëri që platformat e lajmeve pranë qeverisë të mos raportonin më për sukseset e tij sportive. Ai thjesht u injorua.
Gjatë “Australian Open” në janar, Gjokoviqi shprehu solidaritet me një studente që ndodhej rëndë e plagosur në spital - e goditur nga një huligan i dyshuar dhe i afërt me regjimin, i cili gjatë një bllokimi rrugësh nga studentët hyri furishëm me makinë në trotuar. Në muajt e fundit protestuesit janë sulmuar herë pas here nga burra të maskuar, të dyshuar si të dërguar nga partia në pushtet. “Dhuna ndaj studentëve është një humbje e madhe për shoqërinë serbe”, kritikoi Gjokoviqi nga Australia.
Gazetat dhe disa politikanë reaguan menjëherë me një kundërsulm: sjellja e Gjokoviqit u quajt “turp”. Madje iu bë edhe akuzë për doping. Patrioti dikur i lavdëruar u etiketua papritur si armik i shtetit dhe përdorues dopingu, që bashkë me huliganë shkaktonte gjoja kaos në vend.
Në rrjetet sociale ai po paraqitet si vegël e forcave antiserbe, si mercenar i paguar nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe armiq të tjerë të përjetshëm. Një përdorues shkroi në Facebook: “Ndalojani atij bastardi të luajë nën flamurin serb, ai po e shkatërron vendin e vet.”
Fushata e shpifjeve duket se ka lënë gjurmë te Gjokoviqi. Sipas mediave greke, ai planifikon të zhvendoset me gruan dhe dy fëmijët në Athinë. Brenda pak ditësh u takua dy herë me kryeministrin grek Kiriakos Micotakis. Turneu “Belgrade Open”, licencën e të cilit e zotëron familja Gjokoviq, këtë vit nuk do të mbahet në Beograd, por në kryeqytetin grek.
Pas humbjes në gjysmëfinalen e Wimbledonit në fillim të korrikut, Gjokoviqi u targetua nga shtypi. Shkak u bë një lëvizje ritmike e tij, që i ngjante pompimit me pompë ajri, e interpretuar si shenjë solidariteti me protestat në Serbi. Slogani i protestuesve është “pumpaj” - që në shqip mund të përkthehet si “pompo” - dhe nënkupton rritjen e presionit ndaj regjimit.
Ndërsa mediat vazhdojnë fushatën e tyre të shpifjeve ndaj Novak Gjokoviqit, presidenti Vuçiq mban një ton të përmbajtur: “Ai mund të thotë ç’të dojë kundër meje, të mbështesë kundërshtarët politikë, por të them diçka të keqe për të do të ishte e marrë dhe budallallëk”, deklaroi ai.
Vuçiq e di shumë mirë sa i popullarizuar është Gjokoviqi te njerëzit në Serbi - të gjitha sondazhet e tregojnë këtë. Po ta sulmonte hapur nuk do t’i sillte përfitim politik. Ndër studentë ka zëra që kërkojnë që sportisti më i suksesshëm në historinë e Serbisë të kandidojë për opozitën në zgjedhjet parlamentare - dhe kështu të sfidojë Vuçiqin. Por, për presidentin jopopullor zgjedhjet e parakohshme aktualisht nuk janë një opsion.