OpEd

Mohim me vulë

Reagimi i Gërvallës ndaj vendimit që Kosova të mos përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave dje është tamam asi çfarë mund të pritet prej dikujt, që si kryediplomate, përdor shprehje “tigër prej letre”, duke hamendësuar për veten se është ministre e ndonjë superfuqie nga e cila varen tigrat e macet. Ajo vetëm sa mund t’i irritojë edhe më shumë ata që kanë vendosur të na dënojnë edhe me një shtyrje për pranim në një trup që identifikohet me mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Pra, Kosova nuk hyri në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE dhe mbeti pa u anëtarësuar në ditën e djeshme. 

Arsyeja? Insistimi i disa nga shtetet e fuqishme të BE-së që Kosova të ndërmarrë hapa konkretë për, praktikisht, themelimin e Zajednicës, në daç me Kushtetutë, në daç pa të.

Pra, kusht i cili u dëgjua nga publiku para nja tri-katër javësh. Kusht i cili është pjesë e një procesi krejt tjetër politik, me shumë gjëra të pasqaruara, me një qëndrim absolutisht mohues të Serbisë dhe me një ndërhyrje selektive nga ndërmjetësit, që lehtë do të mund të fajësoheshin edhe ata për dështimin e djeshëm. 

Lista e fajtorëve mund të jetë e gjatë – nisur nga obligimi i marrë më 2013, i ratifikuar nga Kuvendi, i shtuar me marrëveshje të re më 2015 – pra trashëgimia politike e komplet opozitës së tanishme, si dhe pushteti aktual dhe kryetarja e shtetit.

* * *

Në kohën kur filloi kërcënimi me këtë kusht, kryeministri Kurti bënte fushatë në Maqedoni, ministrja Gërvalla “lobonte” tek arbëreshët në Itali, e kryetarja Osmani merrte poza me kapuç kaubojsh në Teksas. Ndërkohë, opozita fërkonte duart në pritje të dështimit.

Një ditë para Komitetit të Ministrave, Gërvalla e nisi një letër në adresë të Asamblesë Parlamentare, pra me gjasë adresë e gabuar, duke u zotuar se një draftstatut i Asociacionit i punuar nga Qeveria do të nisej për në Kushtetuese në fund të majit. 

Pasdite, u lajmërua këshilltari për media i Osmanit dhe deklaroi se ajo nuk ishte konsultuar fare për këtë letër, ndërkohë që gjatë ditës ishte takuar me disa nga ambasadorët e pesëshes.

Duket shumë e çuditshme se si Osmani e Gërvalla nuk paskan komunikuar për temën dhe për letrën. Në fakt edhe nuk duket, ngase vetëm kanë mundur të bëheshin bashkë diku nga mesi i Oqeanit Atlantik mes udhëtimesh. Duke qenë themeluese të të njëjtit subjekt politik, duke qenë “ndrikulla” politike të njëra-tjetrës, duket shumë i çuditshëm ky moskoordinim, sidomos duke e pasur parasysh se politika e jashtme duhet të koordinohet mes këtyre dy posteve plus kryeministri. Se a me koordinim a pa të, letra shkoi në Strasbourg, pa mbërritur aty ku është dashur.

Veç të kujtojmë se në kohën para takimit të Asamblesë Parlamentare të KiE, Vuçiqi u ftua në vizitë në Francë te Macroni – një nga shtetet që e ka komplikuar procesin dhe që do të mund të ketë ndikuar në mospërfshirjen në agjendë. E kushedi sa vizita e kontakte i kanë bërë diplomatët e këtij shteti nëpër Evropë. Por jo edhe zyrtarët tanë. Jo Osmani. E cila është dashur ta merrte bajrakun dhe të komunikonte maksimalisht me përfaqësuesit e shteteve evropiane, sidomos në këtë muajin e fundit. Në vend të kësaj, shkoi në Teksas, dhe qëndroi një javë atje.

* * *

Veprimi minimal i këtij dështimi do të duhej të ishte dorëheqja e ministres Donika Gërvalla. Tigri prej letre ia tregoi dhëmbët edhe asaj edhe neve.

* * *

Dhe tash u ndezën gjakrat dhe ambiciet politike dhe sërish ia nisi fushata për zgjedhjet e parakohshme. LDK-ja e AAK-ja kërkojnë që Kurti të japë dorëheqjen, Kurti e Krasniqi i PDK-së duket se janë marrë vesh për shpërbërje të Kuvendit. Por edhe këtu, rrëfimi nuk është krejtësisht i plotë – Kurti i fton të gjithë të votojnë për shpërbërjen.

Se cili do të jetë modusi i zgjedhur për të shkuar në zgjedhje para kohe, mbetet të shihet, porse zgjedhje patjetër se do të ketë këtë vit. Porse do të jetë punë kalkulimi se cila kohë do të jetë më e përshtatshme: vera, kur edhe një pjesë e madhe e diasporës është këtu, apo vjeshta kur ditët janë të shkurtra dhe numri i votuesve do të jetë potencialisht më i vogël. Gjithsesi do të ketë kalkulime nga parazitët e Kuvendit, që mbesin pa rroga nëse Kuvendi shpërbëhet... pra pse të mos ia shohin hairin mandatit edhe ndonjë muaj, përfshirë edhe gushtin kur pushojnë (se mbaruan duke punuar), eventualisht t’i nxjerrin edhe disa mëditje nga ndonjë udhëtim kot studimor diku.

Falë takimit mes Kurtit dhe Krasniqit, më në fund kaloi një numër i caktuar marrëveshjesh ndërkombëtare, për të cilën situatë duhen fajësuar shumë edhe partitë opozitare, për shkak se dihet se ato nuk mund të kalojnë pa i pasur 80 vota. E bllokimi i marrëveshjeve për një vit i ka bërë dëm vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, kurse partive politike opozitare nuk u ka sjellë asnjë dobi. Bash asnjë. As nuk u ka dhënë rast për krekosje.

E dy ligjet që prej kohësh janë duke u kontestuar nga linja islamike e deputetëve të VV-së dhe të disa partive të tjera, duket se nuk do të kenë gjasa që të kalojnë në këtë legjislaturë. Dhe përderisa fajin kryesor do ta bartë VV-ja, me pamundësinë që t’i sigurojë 61 votat e kuorumit për t’i kaluar Kodin Civil dhe Ligjin për frytnimin e asistuar, faji për moskalimin e tyre bie edhe mbi partitë opozitare – që për pikë të inatit me VV-në, nuk marrin pjesë në seancë, ku mund të mos marrin pjesë në votim, që të kalojnë ligjet. Pra mohimin e të drejtave që i parashohin këto ligje, po e bëjnë edhe ato me mosveprimin e tyre. Duke dëshmuar se më me rëndësi janë kalkulimet partiake e politike. Dhe çka tregon kjo: që nuk është se kemi mësuar shumë në 20 e kusur vjet parlamentarizëm dhe nuk është se jemi pjekur politikisht ende.

* * *

Po mirë, zgjedhjet do të vijnë dhe do të shohim me çfarë rezultatesh do të përfundojnë ato. Gjithsesi do të jenë shans i mirë për pastrim listash zgjedhore nga deputetët që rastësisht u bënë të tillë, apo edhe u bënë e mandej ndërruan “shtëpi” duke kaluar nga një parti në tjetrën. Do të jetë edhe kombinim i ri politik në pushtet, për shkak se zor se cilado parti do të fitojë shumicën absolute për të qeverisur e vetme. 

Do të jetë shumë interesante të shihet po qe se partitë që e kalojnë kohën duke e sharë njëra-tjetrën, apo liderët e ndërsjellë, “pa pritur e pa kujtuar” do të bëhen bashkë në pushtet dhe si do t’i ndajnë resorët ministrorë. Po qe se qeveria e re do të ketë këtë strukturë, apo nëse do t’i shtohen (se zor të pritet që të hiqen) ministritë për të akomoduar marrëveshjet. Shumë me rëndësi do të jetë se kush bëhet kryeministër dhe cilët do të jenë ministrat e një qeverie që do të duhej të sillte ndryshimin, që nuk ndodhi substancialisht në tre vjetët e fundit. 

Tepër me rëndësi do të ishte të dihet se kush do të bëhej ministër i ekonomisë dhe nëse qeveria e re do të kishte një plan të njëmendtë të zhvillimit ekonomik dhe ndërprerjen e shpërndarjes së copëzave të buxhetit që askujt nuk ia zgjidhin as përqindjen më të vogël të problemit.

Për këtë qeveri që do t’i mbërrijë tre vjet e gjysmë mandat do të mund të thuhet se do të mbahet mend për dy gjëra pozitive: se nivelin e korrupsionit nuk e ka pasur të stilit të vjedhjes së parave nëpër tenderë pa asnjë dhimbtë si dhe me masat dhe veprimet e marra në veri – njësia speciale, targat, letërnjoftimet, patentë shoferët, imponimi i euros si valutë e vetme – krejt këto janë gjëra është dashur të jenë zbatuar para një dekade e nuk u zbatuan. Do të mbahet mend edhe për ministra të dobët me rezultate dëshpëruese dhe pa ndonjë ide se si duhet ecur tutje.  Por, analizat më të thukëta, kur të shpallen zgjedhjet.

* * *

Reagimi i Gërvallës ndaj vendimit që Kosova të mos përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave dje është tamam asi çfarë mund të pritet prej dikujt, që si kryediplomate, përdor shprehje “tigër prej letre”, duke hamendësuar për veten se është ministre e ndonjë superfuqie nga e cila varen tigrat e macet. 

Ajo vetëm sa mund t’i irritojë edhe më shumë ata që kanë vendosur të na dënojnë edhe me një shtyrje për pranim në një trup që identifikohet me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Mospërfshirja e Kosovës në agjendë dje është mohim i një të drejte të cilën do ta gëzonin të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht etnisë, dhe ky mohim erdhi me vulë. 

Vula e ka formën e shantazhit dhe të injorimit bashkë. Shantazh, se kontrabandohet një kërkesë që është menaxhuar keq, prej të gjithëve përfshirë BE-në prej vjetësh. Injorim për shkak se një rekomandim i Asamblesë Parlamentare zgjidhet të mos merret fare parasysh, me arsyetimin se “jemi duke e shqyrtuar çështjen e anëtarësimit të Kosovës”, se ta merr mendja se janë edhe nja 70 shtete të tjera që po presin rend për anëtarësim. 

S’është hera e parë. Dhe vazhdon të dhembë njësoj. Por këtë dhimbje nuk mund ta njohin ata që nuk e kanë ndier kurrë.

[email protected]