Imitimet e lodrave për fëmijë, si dhe produkteve ushqimore, janë disa nga mallrat që Dogana e Kosovës i konsideron të rrezikshme, e të cilat vazhdimisht tentohet që të futen në tregun e Kosovës.
Sadije Topojani, udhëheqëse e sektorit për të drejtat e pronës intelektuale, thotë se Dogana e Kosovës vazhdimisht lufton kundër piraterisë së mallrave që prezantohen si origjinale, por identifikohen si imitime.
Ajo thekson se vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti Dogana ka zbuluar mbi 200 lodra për fëmijë, të cilave nuk u dihet origjina.
Sipas saj, përveç lodrave, Dogana sekuestron dhe asgjëson edhe produkte ushqimore e artikuj të tjerë që paraqesin rrezik për qytetarët.
Shumicën e këtyre lodrave, Topojani i ka cilësuar si të dëmshme për shëndetin e fëmijëve.
Nga Dogana bëjnë të ditur se çdo person apo kompani që shkel ligjin përballet me procedura ligjore dhe me masat përkatëse sipas rregullave të Republikës së Kosovës.
Dogana e Kosovës është vlerësuar në nivel ndërkombëtar për punën dhe bashkëpunimin e saj në luftimin e kontrabandës dhe produkteve të falsifikuara.
Vetëm gjatë vitit 2025, Dogana e Kosovës ka ndaluar mbi 14 milionë mallra të falsifikuara dhe të kontrabanduara.
Të gjitha këto produkte, përfshirë artikuj kozmetikë, higjienikë dhe shumë të tjera, janë sekuestruar dhe asgjësuar në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit.