Arbëri

GLPS: Reforma dhe digjitalizimi për shërbime publike më efikase

Grupi për Studime Politike dhe Juridike

Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) ka mbajtur Konferencën Kombëtare me temë “Qytetarët të parët – Drejt shërbimeve publike me në qendër qytetarët në Kosovë”, ku u diskutua mbi modernizimin e administratës publike, digjitalizimin dhe zvogëlimin e barrës administrative.

Konferenca theksoi rëndësinë e krijimit të një administrate transparente, efikase dhe të qasshme për qytetarët në nivel lokal dhe qendror. Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive e GLPS, theksoi se reforma e administratës nuk është vetëm një kërkesë e Bashkimit Evropian, por edhe një nevojë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Kushtrim Canolli, koordinator i procesit për zvogëlimin e barrës administrative nga Zyra e Kryeministrit, vuri në dukje progresin e arritur përmes digjitalizimit dhe thjeshtimit të procedurave, në bashkëpunim me partnerë zhvillimorë, shoqërinë civile dhe odat e biznesit.

Jose Diaz, këshilltar i lartë për Politika nga SIGMA/OECD, nënvizoi rëndësinë e një portali të vetëm kombëtar, që lejon qytetarët të kenë qasje në të gjitha shërbimet publike në një pikë digjitale, duke përfshirë tatimet, sigurimet shoqërore dhe shërbimet sociale. Ai gjithashtu shtoi se inteligjenca artificiale po përdoret për identifikimin e barrave administrative dhe për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve.

Hulumtuesinë GLPS, Naser Shamolli, theksoi se sfidat kryesore mbeten legjislacioni i ndërlikuar dhe numri i madh i akteve nënligjore që qytetarët duhet të plotësojnë, duke nënvizuar nevojën për qartësi dhe diskutim më të madh mbi efektivitetin e reformave.

Raporti i prezantuar nga Elona Kurti, koordinatore e projekteve në GLPS, “Perceptimi i Qytetarëve për Shërbimet e Administratës Publike në Kosovë”, tregoi se qytetarët e tre komunave të analizuar – Podujevës, Prishtinës dhe Mitrovicës – vlerësuan pozitivisht shpejtësinë e marrjes së shërbimeve dhe sjelljen e stafit, ndërsa lokacionet e institucioneve u konsideruan më pak të favorshme.

Sipas raportit, në Podujevë 70% e qytetarëve vlerësuan shërbimet digjitale dhe fizike me nivelin më të lartë të kënaqësisë, ndërsa në Prishtinë dhe Mitrovicë u evidentuan përparime, por me variacione sipas aspekteve të matura. Qytetarët gjithashtu vlerësuan ndryshimet ndër vite, duke treguar përmirësim të shpejtësisë së shërbimeve dhe thjeshtësinë e procedurave.