Nuk është sekret se pakkush beson se Prokuroria në krye të së cilës jeni ju ka vullnet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërmarrja e veprimeve që po ua sugjeroj do të kthente sadopak besimin e humbur në Prokurorinë dhe në juve personalisht si Kryeprokuror
Zoti Kryeprokuror,
Prokuroria në krye të së cilës jeni ju nuk është e interesuar të hetojë krimin të cilin e denoncova një vit më parë në letrën time të hapur drejtuar juve dhe të publikuar me titullin “Letër pa zarf”.
Në këtë u binda pas dëshmisë para prokurorit të Gjykatës Speciale javën e kaluar gjatë së cilës kuptova se kjo prokurori ka zgjedhur të merret, jo me krimin në tërësinë e tij, por vetëm me një hallkë të tij.
Kështu kanë vepruar të gjithë paraardhësit tuaj të cilët janë marrë vetëm me një hallkë të këtij krimi, me synimin që edhe për atë hallkë keqbërësit e përfshirë të nxirren të pafajshëm, ashtu siç u nxorën.
Gjatë dëshmisë u binda se është duke u zbatuar e njëjta recetë, tashmë e provuar nga paraardhësit tuaj, për të nxjerrë të pafajshëm një grup tjetër keqbërësish e për të lënë të qetë të gjithë të tjerët. Për më tepër gjatë dëshmisë së javës së kaluar konstatova se Prokuroria ka shkuar edhe më larg se paraardhësit tuaj. Ajo jo vetëm që synon të amnistojë një grup keqbërësish të një hallke tjetër, por ajo synon amnistinë e të gjithë keqbërësve e hallkave të mëhershme të këtij krimi me arsyetimin se na paska “një vendim i plotfuqishëm gjykate për këtë rast” dhe se disa hallka të hershme të këtij krimi na qenkan të parashkruara “për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar”!!??.
Zoti Kryeprokuror, po bëhen gati 11 vjet që nga shfaqja e tij publike më 30 mars 2007, që në vazhdimësi jam duke e paraqitur këtë krim zyrtarisht te organet kompetente dhe publikisht kurdo që më është dhënë rasti. Askush nuk ka bërë asgjë edhe pse ka qenë fare e lehtë për ta parandaluar. Juve ua kam paraqitur para një viti, por vetëm tani, pas një viti, Prokuroria e gjeti të udhës të më ftojë të them diçka për këtë krim, por, siç e thash, jo për krimin si tërësi, por vetëm për një hallkë të vogël të tij.
Nga kallëzimi im i para një viti më parë tek ju, e i publikuar në shkrimin tim “Letër pa zarf”, i keni të gjitha hollësitë e këtij krimi. I keni individët që e kanë nisur dhe që e kanë miratuar në bordet e njëpasnjëshme të PTK-së, e dini personin me emër e mbiemër që e ka nënshkruar licencën në kundërshtim me ligjin, e dini personin që e ka nënshkruar kontratën, i keni zyrtarët e lartë që e kanë mbështetur këtë krim, qoftë duke mos bërë asgjë për ta penguar e qoftë duke e arsyetuar atë në Kuvend. I keni të gjitha.
Në kallëzimin tim nuk janë vetëm emrat e individëve që qëndrojnë prapa këtij krimi, por ata i dini ju edhe i di i gjithë publiku ynë. Nëse nuk i dini unë mund t’ua jap një ide se kush mund të jenë. Janë ata që me paratë e këtij krimi e “lagin fytin” kurdo që iu thahet, blejnë vota kur kanë nevojë, blejnë deputetë në shitje, blejnë individë që iu duhen për të kontrolluar çdo gjë në këtë vend, etj, etj. E paratë që kanë në dispozicion janë shumë. Janë më se 30% (me shkronja: më se tridhjetë për-qind) të të hyrave të Valës.
Përkundër kësaj, me gjithë faktin se ky është një shembull shkollor i krimit të organizuar, nga më të lehtit për t’u dëshmuar, me gjithë faktin se ky krim vazhdon para syve tonë edhe në momentin që po i shkruaj këta rreshta, Prokuroria në krye të së cilës jeni ju, gjen pretekst për të mos e hetuar krimin si të tillë, por merret me fragmente të tij për t’i amnistuar të gjithë individët e përfshirë në këtë krim – an block. Arsyetimi se na paska “një vendim i plotfuqishëm gjykate për këtë rast” dhe se ky krim na qenka parashkruar nuk e bind askënd. (Si mund të parashkruhet një krim pasojat e të cilit janë në vazhdim?). E dëmi që është duke iu shkaktuar interesit publik për shkak të këtij krimi është kolosal.
Prandaj, ju drejtohem me respekt, që:
- të suspendoni menjëherë dhe urgjentisht kontratën e PTK-së përmes së cilës i plaçkiten fonde publike në përmasa të mëdha; dhe
- të ndërmerrni krejt çka është e nevojshme për të hetuar krimin në tërësinë e tij, që do të provonte se kjo kontratë është produkt i krimit të organizuar ashtu siç është.
Nuk është sekret se pakkush beson se Prokuroria në krye të së cilës jeni ju ka vullnet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërmarrja e veprimeve që ua sugjerova do të kthente sadopak besimin e humbur në Prokurorinë dhe në juve personalisht si Kryeprokuror.