Edhe pse jam përkrahës i madh i qeverisjeve pa koalicion, për shkak të fuqisë për ndryshim, efektshmërisë që këto qeveri mund të kenë dhe për faktin se përgjegjësia është e qartë, “qeverisja me tepsi” duket se e ka një problem: avashllëkun
Këto 45 ditët e para të Qeverisë Kurti 2 ishin ditë të një qeverisjeje të zakonshme. E ky është problemi, ngase kjo qeveri ka marrë mandat të plotë pikërisht për një qeverisje ndryshe. Ditët e para të Qeverisë Kurti 1 ishin shumë më produktive sesa këto të Qeverisë Kurti 2. Ja disa arsye:
1.
Qeveria e koalicionit qeverisës mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që u votua në Kuvend më 3 shkurt 2020, kishte më pak poste ministrore sesa kjo e tanishmja. Përkundër asaj se dy parti të mëdha hynë në koalicion qeverisës, arritën që postet ministrore t’i ulnin prej 21 sa ishin në Qeverinë Haradinaj në 15; si dhe postet e zëvendëskryeministrave nga pesë në vetëm dy.
Qeveria Kurti 2, si e vetme në qeverisje, mund të zbatonte pa problem premtimin zgjedhor të 2019-s se ekzekutivi i Kosovës nuk ka nevojë për më shumë se 12 ministri, 24 zëvendësministra, 10 këshilltarë politikë të kryeministrit, e jo më shumë se 24 zëvendësministra. Por, në këtë mandat, Qeveria Kurti 2 mbajti numrin e njëjtë të ministrave (15) dhe dërgoi në katër numrin e zëvendëskryeministrave. Një qeveri me më pak poste ministrore është edhe më e efektshme, por edhe më pak shpenzuese.
2.
Edhe 100 ditët e para: Jo aq ndryshe sa frikësohej opozita e sa shpresonin qytetarëtPërkundër asaj se koalicioni i vitit 2020 mes LVV-së dhe LDK-së ishte koalicion i dy partive gati të barabarta për nga fuqia politike në Kuvend dhe dy partive të dy poleve të kundërta ideologjike, njëra e majtë e tjetra e djathtë, prapë se prapë arritën që të aprovonin një program të përbashkët qeverisës, shumë më shpejt sesa Qeveria Kurti 2. Në Qeverinë Kurti 1 plani qeverisës u aprovua 31 ditë pas marrjes së mandatit, kurse në Qeverinë Kurti 2 nuk kemi parë plan qeverisës as pas 45 ditësh.
3.
Në Qeverinë Kurti 1, Vetëvendosje po merrte për herë të parë pushtetin në nivel qendror. Ky fakt ishte i mjaftueshëm që ndaj Vetëvendosjes të kishte mirëkuptim më të madh edhe nëse do vonohej në aprovimin e planit apo do të kishte vonesa në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Qeveria Kurti 2 është një qeveri tashmë e sprovuar në qeverisje dhe puna në këtë mandat do të duhej të ishte me intensitet më të lartë.
4.
Vendimet e para të Qeverisë Kurti 1 dërguan sinjale të qarta për një prerje me qeveritë e kaluara, duke anuluar vendimet e dëmshme për buxhetin e shtetit. Kësisoj, në shkurt e mars të vitit 2020, u anulua vendimi për rritjen e pagave të njerëzve të afërt me kabinetin e kryeministrit, u anuluan vendimet për emërimin e koordinatorëve nacionalë, u anulua vendimi për dhënien e dhjetëra-milionave euro pa proces prokurimi për punët shtesë në autostradën e Shkupit. Në Qeverinë Kurti 2 deri më tani mungojnë vendime të tilla të mëdha.
5.
Reagimi ndaj pandemisë që u shfaq në mesin e muajit mars 2020 ishte shumë më i mirë sesa po e shohim tash me Qeverinë Kurti 2. Në Qeverinë Kurti 1 u vendosën masa të qarta kufizuese, u komunikua drejt me publikun sa u përket masave, si dhe në afat rekord u aprovua pakoja emergjente fiskale prej afër 180 milionë eurosh, e cila mbetet një ndër nismat më të mira sa i përket adresimit të problemeve me pandeminë, përkundër asaj se u aprovua në nguti.
Edhe
Demi: Qeveria Kurti 1 më e sukesshme se Kurti 2 deri tani
Në Qeverinë Kurti 2 kemi një mbyllje totale të Ministrisë së Shëndetësisë, që konfidencialitetin rreth negocimit me vaksina është duke e përdorur si arsyetim për mbyllje totale. Masat dyjavëshe kufizuese që u vendosën nuk ishin fare bindëse, edhe për faktin se në rritjen e rasteve me virus kishte ndikuar edhe fushata zgjedhore dhe, si partia më e madhe, Vetëvendosje bart fajin më të madh në proporcion me fuqinë e saj politike.
6.
Komunikimi me publikun, e me mediat në veçanti, në Qeverinë Kurti 1 ishte dukshëm më i mirë sesa po e shohim tani në Qeverinë Kurti 2, ani pse kjo qeveri ka emëruar dy persona përgjegjës për marrëdhënie me mediat. Vetëm mbrëmë në lajmet qendrore të KTV-së ishin së paku dy kronika të cilat mbylleshin me fjalët “përkundër se televizioni ka dërguar pyetje/kërkesa në Qeveri, deri më tash nuk kemi marrë asnjë përgjigje”. Një fillim zhgënjyes nga një qeveri e cila ka premtuar transparencë të plotë.
Nga mund të vijë kjo letargji e ditëve të para të Qeverisë Kurti 2? Arsyeja e vetme mund të jetë rehatia në numra. Për dallim nga Qeveria Kurti 1, e cila opozitën më të madhe e kishte te partneri i saj qeverisës, tani Qeveria Kurti 2 është e vetme në qeverisje dhe nuk e ka aspak telashe opozitën në Kuvend. Vetëvendosje tani qeveris “me tepsi”, ashtu siç e kërkonte kryeministri Edi Rama pushtetin, të qeverisë i vetëm, pa e ndarë “tepsinë” e pushtetit me askënd tjetër.
Edhe pse jam përkrahës i madh i qeverisjeve pa koalicion, për shkak të fuqisë për ndryshim, efektshmërisë që këto qeveri mund të kenë dhe për faktin se përgjegjësia është e qartë, “qeverisja me tepsi” duket se e ka një problem: avashllëkun.
Është gabim i madh nëse Qeveria Kurti 2 relaksohet në qeverisje, duke u mbështetur te koha e mjaftueshme katërvjeçare që do ta ketë. Mirëpo, ndryshimet që janë premtuar kërkojnë veprime të menjëhershme, ngase janë komplekse për t’u zgjidhur.
Edhe Rreziku nga arroganca e numravePapunësia nuk do të mund të zgjidhet brenda një mandati katërvjeçar, por nëse dëshirojmë të shohim sado pak ndryshim, vendimet e mëdha duhet të merren që tash. Procesi i vetingut në institucionet e drejtësisë tani po del se është më i komplikuar sesa kur premtohej me lehtësi, ngase kërkon ndryshime kushtetuese, që nuk do të jenë të shpejta. Duke filluar nga muaji qershor, Qeveria Kurti 2 do të jetë me një këmbë në Prishtinë e me tjetrën në Bruskel, për shkak të rifillimit të dialogut dhe kjo do ta humbë edhe më shumë fokusin nga problemet e tjera esenciale me të cilat përballen qytetarët.
Thjesht, Qeveria Kurti 2 nuk ka ditë për të humbur, e këto 45 ditë të para ishin ditë të humbura.