Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Epidemia e kapjes së mediave

Pa një përgjigje të vendosur, epidemia e kapjes së mediave do të vazhdojë që të përhapet. Për aq kohë sa përhapet, asnjë shtet nuk do të jetë i sigurt nga kërcënimi

Vendimi i shtatorit të shkuar i Këshillit të Mediave në Hungari për të mos ia përtëritur licencën e transmetimit “Klubradios”, radiostacionit të fundit opozitar në vend, nuk e befasoi askënd. Këshilli as që e mori mundin për të ofruar ndonjë mbështetje për pretendimin e tij se “Klubradio” ka shkelur vazhdimisht ligjet për media, por as që ndokush priste se do ta merrte. Ky episod është thjesht rasti më i fundit i fushatës së kahershme të Qeverisë hungareze kundër mediave të pavarura.

Sulmi i furishëm ka nisur menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2010-s, kur kryeministri Viktor Orban dhe partia e tij djathtiste Fidesz u kthyen në pushtet. Qeveria i miratoi menjëherë një varg ligjesh që e parashikojnë zbatimin e kufizimeve të reja ndaj redaksive të lajmeve dhe ka caktuar Këshillin e Mediave, të mbushur me njerëz besnikë të saj, për zbatimin e tyre. Brenda një viti e ca të gjithë gazetarët e pavarur që kanë punuar në mediat publike janë shkarkuar nga puna, ndërsa transmetuesi publik është shndërruar në një zëdhënës të Qeverisë.

Që atëherë, Fideszi ka ngushtuar vrullshëm lakun mbi mediat hungareze. Nëpërmjet oligarkëve të shumtë mbështetës, partia ka rrëmbyer kontrollin mbi televizionet dhe radiostacionet kryesore, portalet e lajmeve dhe botuesit e mediave të shtypura. Dhe në fund të 2018-s, oligarkët e afërt me Orbanin kanë themeluar Fondacionin Qendror Evropian të Shtypit dhe Mediave, i cili tani shërben si një lloj “holdingu” për rreth 500 media.

Ndikimi i një centralizimi të tillë mbi pronësinë dhe kontrollin e mediave – i tillë që nuk është parë që prej periudhës komuniste të para viteve 1989 – ka qenë i thellë. Verën e shkuar, kryeredaktori i “Indexit”, portalit kryesor të lajmeve në Hungari, ishte shkarkuar për shkaqe qartazi politike, duke nxitur një eksod masiv të gazetarëve, të cilët kanë dhënë dorëheqje në shenjë proteste.

Ajo që dikur mund të ishte mohuar si një eksperiment i izoluar i një regjimi përherë e më autokratik tani ka evoluar në një program gjithëpërfshirës të kapjes së mediave, një term ky që po përdoret për t’i përshkruar nivelet ekstreme të kontrollit nga autoritetet qeveritare që bashkëpunojnë fshehtas me përfaqësues të fuqishëm të biznesit. Qasja e Orbanit karshi mediave është bërë burim frymëzimi për oligarkët dhe qeveritë autokratike përreth botës. Veçanërisht në Evropë, modeli hungarez është duke u replikuar me ritëm të përshpejtuar.

Edhe “Media publike s’mund të gënjejë”, televizioni shtetëror hungarez ndal transmetimin Botë 2 j. më parë “Media publike s’mund të gënjejë”, televizioni shtetëror hungarez ndal transmetimin

Për shembull, “Telekom Srbija”, që është në pronësi të shtetit të Serbisë, është duke i përdorur paratë e taksapaguesve për t’i përfituar kompanitë e pavarura mediale dhe kanalet televizive, përfshirë “PRVA TV”-në dhe “O2”-në, dhe për t’i transformuar ato në shërbyes pro qeverisë. Dhe në Poloni, partia djathtiste në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) ka bërë haptas thirrje për “ripolonizimin” e mediave të vendit. Në këtë synim, “PKN Orlen”, një kompani kjo shtetërore e naftës, ka siguruar “Polska Pressin”, botuese në pronësi gjermane e 20 të përditshmeve rajonale dhe afro 120 të përjavshmeve.

Për më tepër, oligarkët hungarezë kanë zgjeruar ndikimin në disa vende të Ballkanit Perëndimor, me ç’rast “TV2 Group” i Jozsef Vidas ka marrë nën kontroll kanalin popullor televiziv të Sllovenisë, “Planet TV”. Ky zaptim ka pasuar një sërë investimesh që oligarkët hungarezë kanë bërë në kompanitë djathtiste mediale në Slloveni dhe në Maqedoninë Veriore. Orbani prej kohësh ka mbështetur kryeministrin slloven të së djathtës ekstreme, Janez Jansha, dhe më 2018 i kishte ofruar azil politik ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, i cili ka ikur nga vendi i tij për t’iu shmangur dënimit me dy vjet e gjysmë burgim për korrupsion.

Në fund, në një zhvillim të veçantë në tetorin e shkuar, grupi financiar “PPF” i afaristit çek, Petr Kellner, ka blerë “Central European Media Enterprises”, një rrjet ky transmetues që operon në pesë vende të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore. Ndonëse Kellneri është zotuar që ta respektojë pavarësinë redaktuese të “CME”-së, kritikët e vënë në pikëpyetje përkushtimin e tij, duke e ditur atë çfarë ka ndodhur me mediat e tjera të zaptuara nga oligarkët në tregun çek. Për shembull, mediat e blera më herët nga bizneset e kryeministrit çek, Andrej Babis, i kanë orientuar politikat redaktoriale të tyre kah interesat e pronarëve, me gjithë premtimet se pavarësia e këtyre mediave do të respektohej.

Zaptimi i mediave nuk është i kufizuar vetëm në Evropë. Nëpërmjet masave të detyrueshme dhe rregullatorëve, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka vënë shumicën e mediave më të njohura të vendit nën kontrollin e oligarkëve besnikë. Në Egjipt, presidenti Abdel Fattah al-Sisi e ka nisur mandatin e tij të dytë më 2018, duke i ristrukturuar mediat asisoj që të garantojë që ato do t’i shërbejnë regjimit të tij. Dhe gjatë dhjetë vjetëve të fundit, presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, ka vënë nën kontroll shumicën e mediave nëpërmjet trupave shtetërorë dhe anëtarëve të familjes, duke u bazuar në një strategji të orkestruar nga bashkëshortja e tij, Murillo.

Pa marrë parasysh nëse duhet një formë e Sisifikimit, Orbanizimit apo ripolonizimit, kapja e mediave është duke e vënë në vështirësi gazetarinë nëpër shtetet e prekura dhe po ua bën qytetarëve përherë e më të zorshme qasjen në informata objektive. Në rastet kur gazetaria e pavarur nuk është shtypur tërësisht, ajo është sforcuar deri në pikën më të skajshme të mundur. Ndonëse ka ende pak media që operojnë pa qenë nën ndikimin e Qeverisë në Hungari, ato janë tepër të vogla për ta luftuar makinerinë masive propagandistike të regjimit.

Për më tepër, kur kapja e mediave mbërrin deri në pikën si të Hungarisë, mediat e mbetura të pavarura duhet të veprojnë me kujdes. I këtillë padyshim ka qenë rasti me “RTL Klub”, një transmetues popullor televiziv në Hungari që është në pronësi të konglomeratit gjerman të mediave “Bertelsmann”, i cili ka pësuar humbje në të ardhura si pasojë e dispozitave ligjore të adoptuara nga Qeveria hungareze më 2014.

Ani pse luftimi i kapjes së mediave është një betejë titanike, ekzistojnë të paktën disa zgjidhje të pjesshme për këtë.

Njëra prej tyre është reformimi i mënyrës së financimit të mediave publike; megjithëkëtë, kjo është mbase qasja më e vështirë, për shkak se e vë në shënjestër mekanizmin qendror, me të cilin vetë autokratët synojnë që t’i kontrollojnë mediat. Një tjetër opsion është që të rritet varësia nga fondet prej donatorëve të tjerë, qofshin ato fondacione private, të ndërmarrësve apo filantropëve – shumë prej të cilëve veçse e mbështesin gazetarinë e pavarur. Dhe në fund, me anë të ndikimit të tyre disproporcional mbi ekosistemin aktual të mediave, gjigantët e sotëm të teknologjisë mund të shtrëngohen që ta përmirësojnë, mbrojnë dhe ta privilegjojnë gazetarinë e pavarur në platformat e tyre.

Edhe Perandoria mediatike e Orbanit po shembet Botë 2 muaj më parë Perandoria mediatike e Orbanit po shembet

Pa një përgjigje të vendosur, epidemia e kapjes së mediave do të vazhdojë që të përhapet. Për aq kohë sa përhapet, asnjë shtet nuk do të jetë i sigurt nga kërcënimi.

(Marius Dragomir është drejtor i Qendrës për Media, të Dhëna dhe Shoqëri në Universitetin e Evropës Qendrore, dhe është udhëheqës i portofolit për kërkime dhe politika në Programin për Gazetari të Pavarur në Londër. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)