Është ora 8:40, edhe pak minuta Fisniku duhet të hyjë në një takim virtual të rëndësishëm me një firmë të njohur zvicerane. Fisniku ofron shërbime të inxhinierisë softverike me firmën e tij dhe sot e ka mundësinë të shpalosë potencialin e firmës për të eksportuar shërbimet e saj në shtetin helvetik. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të rritur biznesin e tij me një kontratë afatgjatë. Por Fisniku është sot i pafat, sepse në zyrën e tij nuk ka rrymë. Kjo ia pamundëson atij mbajtjen e takimit. Ndoshta zviceranët kanë mirëkuptim kësaj radhe.
Në gati 25 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova vazhdimisht po has në vështirësi të menaxhojë sfidat për të ngritur kapacitete gjeneruese të reja të nevojshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Vetëm nga viti 2018 shohim disa investime në kapacitetet e energjisë së erës. Por edhe këto kapacitete shtesë janë larg nivelit të nevojshëm. Si rrjedhojë, furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike në shumicën e orëve të vitit është i mundur vetëm nëpërmjet importeve.
Mungesa e kapaciteteve gjeneruese adekuate për të mbuluar konsumin në çdo orë është thelluar me kalimin e viteve: konsumi i energjisë në sektorin e industrisë dhe të amvisërisë është ngritur. Pjesa më e madhe e kapaciteteve gjeneruese të Kosovës e kanë arritur ciklin maksimal jetësor. Kur flitet për gjendjen e Kosovës A dhe Kosovës B, atëherë flitet për pacientë të cilët mjekët mundohen t’i mbajnë gjallë artificialisht. Si pasojë e moshës së tyre blloqet e Kosovës A dhe B duhet të ndalin punën shpesh, sepse duhet të bëhen renovime të paplanifikuara të cilat mund të zgjasin me javë. Kjo e rrit drejtpërsëdrejti hendekun midis gjenerimit vendor dhe konsumit të energjisë elektrike.
Çka tregojnë të dhënat?
Me qëllim të llogaritjes së bilancit tregtar energjetik të Kosovës janë përdorur të dhënat e konsumit dhe gjenerimit nga të gjitha burimet energjetike të Kosovës (thëngjill, erë, dhe ujë) për çdo orë të vitit 2022 dhe 2023 të publikuara në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO-E). Nga kjo platformë ne i kemi marrë çmimet e energjisë elektrike të bursës hungareze, të cilat vlejnë si çmim referent i importeve të Kosovës.
Të dhënat e konsumit dhe gjenerimit vendor tregojnë se gjatë dimrit, kur temperaturat janë më të ulëta, konsumi i energjisë elektrike arrin majat e tij prej mbi 1400 MWh, ndërsa gjenerimi vendor mund të mbulojë vetëm 950 MWh për shkak të kapaciteteve të kufizuara gjeneruese. Ky hendek i lartë prej rreth 450 MWh, që shfaqet në disa orë të vitit gjatë stinës së dimrit duhet të plotësohet nga importet për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Në këto orë rreth 30% e konsumit mbulohet nga importet që sigurohen në tregjet energjetike evropiane. Mirëpo shpesh ndodh që të ndërpritet energjia elektrike, sepse sasia e energjisë së importuar nuk është e mjaftueshme për të plotësuar kërkesën.
Vlera e bilancit tregtar energjetik të Kosovës varet jo vetëm nga sasia e importeve, por edhe nga çmimet e importeve në tregjet energjetike evropiane. Figura më poshtë jep një pasqyrë të zhvillimit të çmimeve mesatare nga 2015 deri 2023. Çmimet e importeve kanë qenë mesatarisht rreth 45 €/MWh deri në vitin 2020, e që më pastaj janë ngritur mesatarisht deri mbi 270 €/MWh në vitin 2022.

Kjo tregon se çmimet e importit të energjisë elektrike që kosovarët kanë paguar janë pesëfishuar në vitin 2022 në krahasim me vitet paraprake. Fatmirësisht këto çmime kanë pësuar një ulje në prej rreth 165 €/MWh në vitin 2023, mirëpo prapëseprapë kanë qenë dyfishi i çmimit të importit në krahasim me vitin 2020.
Llogaritjet tregojnë se Kosova ka një bilanc tregtar energjetik negativ në të dy vjetët - një pasqyrë e pritur. Befasia fshihet në detaje: bilanci negativ i vitit 2023 është rreth 42 milionë euro më i lartë sesa ai i vitit 2022, apo rreth 53%. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin se çmimet e importit kanë pësuar ulje mesatare prej rreth 165 €/MWh apo 40%. Atëherë shtrohet pyetja nëse institucionet përgjegjëse të Kosovës kanë vështirësi në menaxhimin optimal të burimeve energjetike. Ato janë përgjegjëse të balancojnë konsumin dhe gjenerimin si pjesë e sistemit elektroenergjetik jo vetëm për një orë apo një ditë, por për një periudhë më të gjatë kohore.
Çka ka ndikuar në këtë rritje të deficitit tregtarë energjetik? Figura më poshtë tregon se gjenerimi nga termocentralet e thëngjillit ka qenë më i ulët në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022. Renovimet e domosdoshme të termocentraleve të thëngjillit kanë bërë që gjenerimi të bjerë në masë të madhe në muaj të caktuar. Mirëpo është e vështirë të shpjegohet ky nivel i ulët i gjenerimit në çdo muaj të vitit. Renovimet pa dyshim se nuk janë bërë për çdo muaj të vitit.

Çka na pret në 2024?
Deficiti tregtar energjetik prej 120 milionë eurosh në vitin 2023 është 42 milionë euro më i lartë në krahasim me vitin 2022. Kjo jep një pasqyrë jo të mirë të menaxhimit të sistemit elektroenergjetik me implikime të dëmshme financiare për bizneset dhe amvisëritë e Kosovës.
Qytetarët dhe bizneset në Kosovë kanë të drejtë të frikohen se në vitin 2024 mund të ketë një ngritje të re të tarifave të energjisë elektrike. Fatkeqësia është se Kosova do t’i rrisë shpenzimet e furnizimit me energji elektrike për të ruajtur status-quon afatshkurtër, mirëpo jo për t’i shtyrë përpara investimet në kapacitete te reja gjeneruese, zgjerim dhe modernizim të rrjetit të transmisionit dhe të shpërndarjes, të cilat janë elemente kyç për furnizimin të qëndrueshëm afatgjatë.
Këto zhvillime na shqetësojnë shumë, sepse nëse vazhdohet të mbulohet konsumi i energjisë elektrike nga importet me një varësi në rritje dhe nuk do të ketë një ofensivë të investimeve të domosdoshme në sistemin elektroenergjetik, atëherë e ardhmja e afërt do të jetë e zymtë sikurse tymi i Obiliqit. Banorët e Kosovës do të paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike, por prapëseprapë ndërprerjet e energjisë elektrike do të vazhdojnë, jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen. Kështu që rastet si ai i Fisnikut do të jenë të përditshme që do të rëndojnë punën e ndërmarrjeve kosovare duke e vështirësuar edhe më tej mbijetesën, por edhe qasjen në tregun ndërkombëtar.