Deputetë dhe personalitete të tjera prominente të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) e kanë ndezur një polemikë të ashpër me një “manifest”, nëpërmjet të cilit kërkojnë dialog me Rusinë. Në dokument përmendet edhe ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës më 1999 - me një interpretim tejet manipulativ të historisë.
Një muaj ka kaluar nga zgjedhja e Friedrich Merzit në postin e kancelarit gjerman. Ky politikan konservator i CDU-së qeveris bashkë me Partinë Socialdemokrate (SPD). Qeveria e re ka paralajmëruar reforma të thella në Gjermani dhe vazhdimin e përkrahjes për Ukrainën. Para 10 ditësh Merzi e takoi presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe, për dallim nga politikanë të tjerë perëndimorë, Merz kaloi relativisht mirë me Trumpin, i cili është i njohur për metodat e tij jokonvencionale diplomatike. Pas vizitës dukej se treni i qeverisë gjermane po vazhdonte të ecte në binarë normalë, por këto nuk janë kohëra normale në Evropë (luftë në Ukrainë) dhe në Lindjen e Afërt (konflikti brutal në Gaza), pa përmendur këtu edhe shumë kriza të tjera, që e tronditin botën.
Në këtë rrëmujë gjeopolitike dhe gjeostrategjike ka ngritur shumë pluhur një “manifest” i disa politikanëve socialdemokratë gjermanë, të cilët pozicionohen kundër qeverisë gjermane dhe kërkojnë korrigjimin e kursit ndaj Rusisë. Në “manifestin” e tyre ata kërkojnë dialog me Rusinë e diktatorit Vlladimir Putin, e kritikojnë “retorikën alarmante ushtarake” dhe bëjnë thirrje të ndërpritet stacionimi i raketave amerikane me rreze të mesme veprimi në Gjermani. Nënshkrues të “manifestit” janë edhe deputetët prominentë të SPD-së, Rolf Mützenich dhe Ralf Stegner. Mützenich ka qenë shef i grupit parlamentar të SPD-së në parlamentin gjerman. Stegner është takuar në prill, fshehurazi, me përfaqësues rusë në Baku të Azerbajxhanit. Të dy i përkasin krahut të ashtuquajtur pacifist të SPD-së dhe të dy janë anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit gjerman (Bundestag).
“Manifesti” i tyre e atakon direkt qeverinë e kancelarit konservator Friedrich Merz dhe SPD-në, e cila është pjesë e qeverisë. Pra, Mützenich, Stegner dhe të tjerët godasin edhe partinë e tyre me kryetarin Lars Klingbeil, i cili ka theksuar se qëndrimi i partisë është se siguria nuk mund të arrihet ME Rusinë, por KUNDËR Rusisë. Krerë të SPD-së janë distancuar nga “manifesti”, ndërsa në mediat kryesore gjermane është ushtruar kritikë e ashpër. Gazeta konservatore “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) i ka quajtur nënshkruesit e “manifestit” “pëllumba në portën e ferrit”. FAZ-i shton se refuzimi i këtyre politikanëve për ta parë realitetin të lë pa frymë. Kritika e ashpër dhe pjesërisht absurde e politikanëve që akuzohen si “miq të Rusisë”, u publikua pak ditë para Kongresit të SPD-së dhe para Samitit të NATO-s në Hagë.
Në “manifest” përmendet edhe Kosova, me një tendencë për ta manipuluar historinë: nënshkruesit i akuzojnë fuqitë perëndimore se me sulmet e NATO-s kundër Serbisë më 1999 e kanë prishur rendin e paqes në Europë. Tri ditë pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës më 2022, kancelari i atëhershëm Olaf Scholz pati thënë se me këtë akt agresioni është prishur në mënyrë fundamentale rendi i paqes në Evropë. Të ashtuquajturit “pacifistë” të SPD-së mendojnë ndryshe dhe pozicionohen si përkrahës të Sllobodan Millosheviqit. Në vitin 2025.
Rolf Mützenich, Ralf Stegner dhe të tjerët godasin me dokumentin e tyre, përveçse kryetarin e partisë Lars Klingbeil, i cili është nënkancelar në qeverinë gjermane, edhe ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, edhe ky socialdemokrat, por me orientim transatlantik dhe përkrahës i Ukrainës. Ditën që u bë publik “manifesti” (të mërkurën e kaluar) Pistorius po bëhej gati të nisej për vizitë në Kiev. Rrugës për në kryeqytetin e Ukrainës ai iu përgjigj ashpër kritikëve brendapartiakë. Në një deklaratë të gjatë, dhënë agjencisë gjermane të lajmeve DPA, ai hodhi poshtë me forcë kërkesat e politikanëve nga partia e tij SPD për një ndryshim rrënjësor të politikave ndaj Rusisë. “Ky dokument është një mohim i realitetit. Ai abuzon me dëshirën e njerëzve në vendin tonë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme në Ukrainë. Për paqe”, tha Pistorius.
Për dallim nga kolegët e tij, të cilët e mbyllin njërin sy (ose të dy) dhe në “manifestin” e tyre tregohen tepër naivë ndaj imperializimit rus, Pistorius nuk ka dilema. Ai tha se është presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, që i refuzon ofertat e Ukrainës për një armëpushim pa kushte. “Ai i ndërpret negociatat. Dhe kur i vazhdon ato, bombardon me forcë dhe brutalitet edhe më të madh qytetet në Ukrainë”, tha Pistorius. E gjithë kjo, sipas tij, tregon qartë se Rusia nuk dëshiron paqe, ose vetëm nën kushtet e saj. T’u nënshtrohesh kushteve të Putinit domethënë: “Një paqe e tillë do ta linte Ukrainën të pambrojtur ndaj arbitraritetit rus”. Në të njëjtën kohë, shtoi Pistorius, Putini po e forcon më tej arsenalin e tij, ka kaluar në ekonominë e luftës dhe flet vetë për një luftë serioze dhe të pamëshirshme për krijimin e një rendi të ri botëror.
Dokumenti i krahut pacifist të SPD-së e idealizon politikën e kancelarit Willy Brandt në vitet 1970. Atëbotë Brandt i shtendosi raportet me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Lindjes, dhe kësisoj i hapi udhë edhe bashkimit të Gjermanisë dy dekada më vonë. Por, pacifistët e SPD-së e harrojnë një gjë: në kohën e kancelarit Brandt shpenzimet e Gjermanisë për mbrojtje kanë qenë më të larta se sot. Këtë e potencon edhe ministri Pistorius tani. Ai thotë se nuk ka asgjë kundër negociatave me Rusinë, me kusht që ato të zhvillohen në kushte të barabarta. “Por, jo nënshtrim”!