Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Bideni kishte të drejtë

Afganistani e meriton mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për një të ardhme të parashikueshme. Por misioni ushtarak amerikan e ka kryer të veten. Mjerisht, më e mira që komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë tani është që të ndihmojë në lehtësimin e vuajtjeve njerëzore dhe t’i shtrëngojë afganët që të shikojnë kah demokracia, kompromisi dhe përmbajtja teksa vendi i tyre tani është në kërkim të një ekuilibri paqësor dhe të qëndrueshëm politik

Ishte torturuese t’i shohësh talebanët tek avancojnë nëpër Afganistan, duke i zhbërë brenda pak muajsh përpjekjet dydekadëshe të popullit afgan dhe komunitetit ndërkombëtar në ndërtimin e një shteti të denjë, të sigurt dhe funksional. Talebanët në fund e shtrinë avancimin e tyre nëpër vend të dielën, duke u vendosur në Kabul dhe duke e nxitur presidentin Ashraf Ghani në ikje.

Zaptimi faktikisht i pakontestueshëm taleban mbi Afganistanin ngre pikëpyetje të qartë rreth mençurisë së vendimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për tërheqjen e forcave amerikane dhe të koalicionit nga vendi. Megjithatë, paradoksalisht, shpejtësia dhe lehtësia e avancimit të talebanëve vetëm sa riafirmojnë se Bideni ka marrë vendim të drejtë – dhe se nuk duhet të zmbrapset nga shtegu.

Joefikasiteti dhe rënia e ushtrisë dhe institucioneve qeverisëse të Afganistanit e vërtetojnë theksueshëm skepticizmin e Bidenit se përpjekjet amerikane për ta përkrahur Qeverinë në Kabul do t’ia mundësojnë asaj qëndrimin në këmbë të veta, ndonjëherë. Komuniteti ndërkombëtar ka kaluar afro 20 vjet, ka dhënë me mijëra jetë dhe me biliona dollarë në të mirë të Afganistanit – duke e rrëzuar Al-Qaedan; duke i fuqizuar institucionet qeverisëse; dhe duke investuar në shoqërinë civile të vendit.

Përparim i jashtëzakonshëm është arritur, por jo i mjaftueshëm. Siç ka treguar avancimi i shpejtë i talebanëve, edhe dy dekadat e mbështetjes së madhe dështuan që të krijojnë institucione afgane të afta që të qëndrojnë në këmbë të veta.

Kjo për shkak se misioni kishte pasur të meta fatale qysh prej fillimit. Ishte punë e pamend që të synohet shndërrimi i Afganistanit në një shtet të centralizuar e unitar. Topografia e vështirë e vendit, ndërlikueshmëria etnike dhe besnikëritë fisnore e lokale prodhuan fragmentime të vazhdueshme politike. Fqinjësia e saj problematike dhe armiqësia karshi ndërhyrjes së jashtme i vënë në rrezik investimet e huaja.

Edhe Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit Botë 6 d. më parë Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit

Këto kushte të pashmangshme bënë të mundur që akëcila përpjekje për ta shndërruar Afganistanin në një shtet modern të dështojë. Bideni e mori vendimin e vështirë dhe të drejtë që të tërhiqet dhe t’i japë fund një përpjekjeje të humbur në kërkim të një qëllimi të paarritshëm.

Tërheqja mbështetet gjithashtu nga realiteti që edhe nëse Shtetet e Bashkuara kanë dështuar në frontin e ndërtimit të shtetit, e kanë përmbushur synimin e tyre parësor strategjik: shmangien e sulmeve të ardhshme në Amerikë apo tek aleatët nga territori afgan. SHBA-ja dhe partnerët e saj të koalicionit e shkatërruan Al-Qaedan në Afganistan dhe Pakistan. E njëjta vlen edhe për degën afgane të Shtetit Islamik, i cili nuk ka dëshmuar aftësi për të ndërmarrë sulme transatlantike nga Afganistani.

Në ndërkohë, SHBA-ja ka ndërtuar një rrjet global të partnerëve për luftimin e terrorizmit kudo në botë, për të ndarë të dhëna të rëndësishme të inteligjencës dhe për ta fuqizuar bashkërisht mbrojtjen kundër sulmeve terroriste. SHBA-ja dhe aleatët e saj janë sot caqe shumë më të zorshme sesa që ishin më 11 shtator 2001. Al-Qaeda nuk ka qenë në gjendje që të ndërmarrë ndonjë sulm të madh jashtë që prej bombardimeve në Londër më 2005.

Natyrisht se nuk ka garanci se talebanët nuk do t’u ofrojnë sërish strehë të sigurt Al-Qaedas apo grupeve të ngjashme. Por një gjë e tillë është skajshmërisht e pagjasë. Talebanët po ia dalin mbarë edhe vetëm dhe kanë pak arsye për ta ringjallur partneritetin me grupet si Al-Qaeda. Talebanët gjithashtu do të duan që ta ruajnë një masë të legjitimitetit dhe mbështetjes ndërkombëtare, duke e shtypur mbase tundimin për të mirëpritur grupe që duan të organizojnë sulme terroriste kundër fuqive të huaja. Për më tepër, këto grupe kanë pak shtysa që ta kërkojnë rigrupimin në Afganistan, kurse këtë mund ta bëjnë më lehtësisht gjetkë.

Dhe në fund, Bideni ka të drejtë t’i përmbahet vendimit të tij për t’i dhënë fund misionit ushtarak në Afganistan, ngase një gjë e tillë është në përputhje me vullnetin e elektoratit amerikan. Pjesa më e madhe e publikut amerikan, si demokratë ashtu edhe republikanë, ka humbur durimin me “luftërat e përhershme” në Lindjen e Mesme.

Populizmi joliberal që shpiu në zgjedhjen e Donald Trumpit (dhe pothuajse rizgjedhjen) u shfaq pjesërisht si përgjigje ndaj tejdepërtimit të perceptuar amerikan në Lindjen e Mesme. Karshi një sfondi pakënaqësish ekonomike mes punëtorëve amerikanë, të përkeqësuara së fundi nga ndikimi shkatërrimtar i pandemisë, votuesit duan që dollarët e tyre të derdhur në taksa t’i shkojnë Kansasit e jo Kandaharit.

Suksesi i përpjekjes së Bidenit për ta riparuar demokracinë amerikane varet pjesërisht në jetësimin e investimeve të brendshme; pakot financiare për infrastrukturë dhe shoqëri që tanimë janë dërguar në Kongres përbëjnë hapa kritikë të hedhur në drejtimin e duhur. Por politikat e jashtme kanë gjithashtu rëndësi.

Kur Bideni premton që ta ndjekë “një politikë të jashtme për shtresën e mesme”, ai duhet që ta jetësojë atë me anë të ndjekjes së një krijimtarie shtetërore që e gëzon mbështetjen e publikut amerikan.

Edhe Haxhiu: Mënyra më e mirë për të nderuar mbështetjen amerikane, ndërtimi i shtetit të denjë Arbëri 3 j. më parë Haxhiu: Mënyra më e mirë për të nderuar mbështetjen amerikane, ndërtimi i shtetit të denjë

Afganistani e meriton mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për një të ardhme të parashikueshme. Por misioni ushtarak amerikan e ka kryer të veten. Mjerisht, më e mira që komuniteti ndërkombëtar mund të bëjë tani është që të ndihmojë në lehtësimin e vuajtjeve njerëzore dhe t’i shtrëngojë afganët që të shikojnë kah demokracia, kompromisi dhe përmbajtja teksa vendi i tyre tani është në kërkim të një ekuilibri paqësor dhe të qëndrueshëm politik.

(Charles A. Kupchan, anëtar i lartë i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Georgetownit dhe autor i librit “Isolationism: A History of America’s Efforts to Shield Itself from the World”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)