Lufta 20-vjeçare amerikane ndaj terrorizmit është katastrofa më e rëndë strategjike në historinë moderne të vendit. Nuk do të duhej të ishte zhvilluar fare. Dhe derisa SHBA-ja ka vendosur t’i shkurtojë humbjet e saja, afganët do të vazhdojnë që ta paguajnë një çmim edhe më të lartë për këtë
Me tërheqjen e ngutshme të trupave nga Afganistani, presidenti amerikan Joe Biden ka bërë një gabim të rëndë apo kështu argumentojnë shumica.
Lideri i shumicës në Senatin amerikan, Mitch McConnell, për shembull, e ka quajtur zaptimin e shpejtë të vendit nga talebanët si “ngjarjen edhe më të rëndë sesa rënien turpëruese të Saigonit më 1975”. Kjo ngjarje, parashikojnë gjeneralët, konservatorët dhe madje edhe liberalët amerikanë, do të karakterizohet nga ringritja e terrorizmit transkombëtar.
Parashikimi është i drejtpërdrejtë. Si një grup militant islamik, talebanët pashmangshëm do t’i ofrojnë “Al-Qaedas” – dhe potencialisht grupeve të tjera ekstremiste, si Shteti Islamik (ISIS) – strehë të sigurt për rekrutim, trajnim dhe planifikim të sulmeve kundër Perëndimit.
Deri në muajin e ardhshëm, paralajmëron McConnell, “Al-Qaeda” dhe talebanët do ta festojnë 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 duke “e djegur Ambasadën (amerikane) në Kabul”.
Por ekziston një e metë në këtë vlerësim: supozon se nuk ka fort dallim midis talebanëve dhe “Al-Qaedas”. Në realitet, derisa që të dy grupet vërtet ndajnë ideologji dhe botëkuptime të ngjashme fetare, ata kanë synime krejtësisht të ndryshme.
Edhe
Talebanët kundërshtojnë përpjekjen e Trumpit për të rimarrë bazën ajrore të Bagramit
Talebanët synojnë që ta themelojnë një teokraci apo Emirat Islamik në Afganistan, por nuk kanë shfaqur ambicie për t’u shtrirë përtej kufijve të vendit. Për dallim prej tyre, “Al-Qaeda” nuk ka një identitet kombëtar e as që njeh kufij. Është një lëvizje pa kufij, me degë në një mori vendesh përreth botës që synon ta përhapë ideologjinë e saj afër dhe larg me çdo kusht, përfshirë dhunën.
Ia vlen të përmendet se “Al-Qaeda” është një hije e vetes së saj të dikurshme. Sulmet e vazhdueshme amerikane e kanë degraduar substancialisht aftësinë e saj për të ndërmarrë sulme të mëdha kundër caqeve perëndimore qoftë nga Afganistani apo nga Pakistani.
Tani i mungojnë kapacitetet e nevojshme operacionale. Ndërkohë, xhihadizmi transkombëtar ka metastazuar bukur përtej Afganistanit, përgjatë Lindjes së Mesme dhe në Afikë e në Azinë Jugore.
Dikush mund të kundërshtojë se, nën strehimin prej talebanëve, “Al-Qaeda” mund të ringrihet në Afganistan. Kjo mundësi dhe kërcënimi i sigurisë që i përbën Perëndimi nuk duhen përjashtuar. Por, hëpërhë, grupit i mungon udhëheqja karizmatike dhe kuadrot e kualifikuara për të cilat ka nevojë ashtu që t’i ringjallë dhe gjallërojë radhët e veta. Nuk është madje e qartë nëse Ayman al-Zawahiri, lideri aktual (përçarës) i “Al-Qaedas”, është gjallë.
Ç’është më e rëndësishmja, talebanët nuk duket se do ta lejojnë “Al-Qaedan” që të krijojnë menjëherë një bazë të re në vend. Në bisedimet e shkurtit të shkuar me administratën e asokohe të presidentit amerikan, Donald Trump, në Doha, ata premtuan se nuk do të lejojnë që “Al-Qaeda” apo militantët e tjerë të operojnë në rajonet që ata i kontrollojnë.
Kjo nuk ishte vetëm një fashitje e thjeshtë. Talebanët po e përshkruanin një shteg të veprimit që ishte – dhe mbetet – në interesimin e vet atyre. Gjatë vitit të shkuar talebanët kanë ndjekur një “ofensivë sharmi” diplomatik, duke biseduar me armiqtë e tyre të përbetuar, përfshirë amerikanët, rusët dhe iranianët.
Ata duan që ta betonojnë kontrollin e tyre mbi Afganistanin dhe të përfitojnë njohje e legjitimitet ndërkombëtar.
Strehimi i “Al-Qaedas” nuk do t’i avanconte synimet e tyre. Përkundrazi, ishte sulmi i “Al-Qaedas” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 11 shtator 2001 ai që i dërgoi talebanët në ekzil, si e para e punës.
Edhe
Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit
Ata mund të jenë kthyer në pushtet, por për këtë iu deshtën 20 vjet dhe ata nuk do ta rrezikojnë atë që e fituan.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka gjë për t’u brengosur. Derisa fitorja mbresëlënëse ushtarake e talebanëve nënkupton disiplinë dhe koherencë, lëvizja nuk është politikisht monolitike. E kundërta, ajo ngërthen fraksione dhe klane konkurruese. Andaj, ekziston përherë rreziku që disa elementë të talebanëve të lidhen me “Al-Qaedan” dhe me grupet e tjera radikale në Pakistan.
Ka precedent për këtë. Në fund të të 90’ave një shumicë në këshillin këshilldhënës taleban (trupi i tyre ekzekutiv) kishte votuar për dëbimin e “Al-Qaedas” dhe liderit të saj të atëhershëm, Osama bin Laden, nga Afganistani, në përgjigje ndaj presionit ndërkombëtar.
Megjithëkëtë, shefi i lëvizjes, Mullah Omar, vendosi që ta lejonte Bin Ladenin të qëndronte, duke kërkuar vetëm që ai të heqë dorë nga ndërmarrja e sulmeve prej Afganistanit. Siç bota ka parë qartë më 11 shtator, sauditi dinak i mashtroi mikpritësit e tij afganë.
Prandaj, derisa talebanët nuk ka të ngjarë që ta mirëpresin “Al-Qaedan” krahhapur, grupi terrorist ka të ngjarë që të përfitojë nga kthimi i talebanëve në pushtet. E njëjta nuk mund të thuhet për ISIS-in, të cilin talebanët e kundërshtojnë ashpërsisht. Në fakt, talebanët kanë zhvilluar luftë kundër ISIS-it në rajonet që i kontrollonin, me qëllim të neutralizimit të çfarëdo rreziku potencial për dominimin e tyre në vend.
Bota nuk duhet të injorojë rrezikun se Afganistani mund të shndërrohet në një tokë të pëlleshme për terrorizmin ndërkombëtar. Por as nuk duhet të jetë e fiksuar pas kësaj gjase – e cila është larg më pak e mundshme sesa besojnë shumica – që e neglizhon katastrofën humanitare të shpalosur para syve tanë.
Pamjet e afganëve të dëshpëruar tek bërtasin për të hyrë nëpër aeroplanë drejt ikjes nga Kabuli dhe rrëfimet e grave që detyrohen t’i lënë vendet e tyre të punës – apo akoma më keq – luftëtarët talebanë e bëjnë dukshëm të qartë faktin se SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë braktisur popullin e Afganistanit, duke i lënë ata në mëshirën e lëvizjes brutale dhe represive.
Edhe
BE-ja pret për herë të parë në Bruksel një delegacion taleban, ngjall kritika
Lufta 20-vjeçare amerikane ndaj terrorizmit është katastrofa më e rëndë strategjike në historinë moderne të vendit. Nuk do duhej të ishte zhvilluar fare. Dhe derisa SHBA-ja ka vendosur t’i shkurtojë humbjet e saja, afganët do të vazhdojnë që ta paguajnë një çmim edhe më të lartë për këtë.
(Fawaz A. Gerges, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Londrës për Ekonomi, është autor i librit të porsabotuar “ISIS: A History”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht në rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)