Botë

Opsionet e Bidenit për Afganistanin

Afganistanit i duhet një plan afatgjatë sigurie që përfshin ndihmë teknike dhe materiale për ushtrinë dhe policinë afgane për vitet që vijnë, si dhe siguri të shtuar në kufirin me Pakistanin. Shqetësimi më i madh strategjik për amerikanët është se Afganistani përsëri do të strehojë “Al-Qaedan” ose Shtetin Islamik, të cilat do të ishin në gjendje që t’i sulmonin SHBA-në dhe aleatët e saj

Në një marrëveshje të nënshkruar me talebanët në shkurtin e vitit 2020, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që t’i tërhiqnin forcat nga Afganistani deri në majin e këtij viti.

Në një analizë rreth kësaj çështjeje, revista amerikane “Foreign Policy” ka vlerësuar se administrata e presidentit, Joe Biden, po përpiqet që t’i përmbahet kësaj marrëveshjeje të paqes, por është përballur me disa sfida të vështira pasi që dhuna mbetet e lartë dhe pak përparim është bërë në bisedimet mes afganëve dhe talebanëve.

“Me qëllim që të bëjë një tërheqje amerikane më të mundshme dhe të mos braktisë krejtësisht marrëveshjen mes SHBA-së dhe talebanëve, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paraqitur një plan të rishikuar të paqes me një formulë të përkohshme të ndarjes së pushtetit dhe një propozim për të përfshirë vendet kyç në rajon”, vlerëson revista politike.

Ajo shkruan se zhvillimet gjatë javëve të ardhshme do të përcaktojnë nëse administrata e Bidenit mund t’i përmbahet afatit të tërheqjes.

“Është e qartë, megjithatë, pas 20 vjetësh se asnjë qeveri në Afganistan nuk mund të ketë sukses pa pjesëmarrjen e talebanëve dhe se asnjë proces i paqes në Afganistan nuk mund të ketë sukses pa mbështetjen e plotë të Pakistanit”, shkruan revista “Foreign Policy”.

Pakistani, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara ishin vendimtare që afganët zmbrapsën sovjetikët nga Afganistani dhe i dhanë fund Luftës së Ftohtë, vlerëson FP-ja. Sidoqoftë, Afganistani u copëtua nga lufta e përgjakshme pas tërheqjes sovjetike në vitin 1989.

Grupet terroriste

“Kaosi lejoi Al-Qaedan të lulëzonte dhe udhëheqësi i saj, Osama bin Laden, të zbatonte planin e tij për terrorizëm global. Heroina tregtohej në vendet fqinje, sidomos Iranin. Kur talebanët morën Kabulin në vitin 1996, grupi arriti të frenonte prodhimin e opiumit, por sundimi i tyre ishte shtypës dhe i pamëshirshëm, veçanërisht ndaj grave”, thuhet në analizën e “Foreign Policy”.

Teksa konflikti zvogëlohej, India dhe Irani vazhduan të përfshihen në luftëra kundër talebanëve. Kur SHBA-ja u sulmua më 11 shtator 2001 dhe lideri taleban Mulla Omar refuzoi të dorëzonte Bin Ladenin, u nevojitën vetëm dy muaj për të përmbysur talebanët. Mirëpo, ata ishin larg humbjes.

Për dy dekadat e ardhshme, marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit ka qenë e dominuar nga situata në Afganistan dhe shpesh e rrënuar nga armiqësia dhe akuzat për falsifikim.

“Amerikanët ishin të pakënaqur që pakistanezët nuk po sulmonin foletë e fshehta të talebanëve brenda Pakistanit, veçanërisht rrjetin famëkeq Haqqani, dhe amerikanët argumentuan që strehët e sigurta të talebanëve në Pakistan parandaluan një fitore ushtarake të SHBA-së në Afganistan”, vlerëson “Foreign Policy”.

“Ata gabimisht besuan se miliardat në fondet e koalicionit për mbështetjen e ushtrisë pakistaneze do t’u siguronin atyre ndikim të mjaftueshëm për të siguruar qëllimet strategjike të Shteteve të Bashkuara”, shton revista amerikane.

Ama, shumë shpejt amerikanët nisën ta akuzonin Pakistanin se nuk po bënte sa duhet për të goditur problemin me terrorizmin. Nga ana tjetër, Pakistani i shihte debatet e vazhdueshme në SHBA rreth numrit të trupave ushtarake, dhunën dhe fraksionizmin në Kabul si provë se politika e SHBA-së ishte e paparashikueshme dhe rrezikonte të zgjeronte teatrin e luftës në Pakistan. Nëse talebanët ia kishin mësyrë këtij teatri, Pakistani kishte një detyrim të vazhdonte të angazhohej me ta.

Revista “Foreign Policy” shkruan se lidershipi i Pakistanit vazhdimisht ka argumentuar se paaftësia për të shkuar pas talebanëve afganë që kërkojnë strehim në tokën e tyre nuk ishte çështje vullneti, por kapaciteti.

“Ushtria e Pakistanit po luftonte njëkohësisht me një Indi gjithnjë e më armiqësore dhe një kërcënim të vazhdueshëm të kryengritësve në provincën e Balochistan, për të cilën dyshonte se ishte ushqyer nga India. Për më tepër, megjithëse Pakistani mban levat mbi talebanët, duke e shtyrë grupin më shumë, do të mund ta kishte çuar edhe më afër vendeve të tjera të cilat gjithashtu ndërtuan marrëdhënie me talebanët pas pushtimit të SHBA-së”, ka shkruar FP-ja.

Gabimet e SHBA-së

Nga perspektiva pakistaneze, SHBA-ja bëri dy gabime thelbësore: e para ishte të mos bënte dallimin mes al Qaedas dhe talebanëve; dhe e dyta ishte vendimi i Shteteve të Bashkuara për të ndaluar talebanët nga procesi i formimit të qeverisë pas Marrëveshjes së Bonit në vitin 2001 që kërkoi t’i rindërtonte institucionet qeveritare pas pushtimit të SHBA-së.

“Në vitin e kaluar, Pakistani ka qenë lojtari kryesor në sjelljen e talebanëve në tryezën e negociatave. Me marrëveshjen e tërheqjes së SHBA në rrezik, Pakistani tani pritet të bëjë presion ndaj talebanëve për të përmbushur angazhimet e vet. Por e vërteta është se çdo ditë që një zgjidhje politike vonohet, ndikimi i Pakistanit mbi talebanët do të shkatërrohet”, thuhet në analizën e “Foreign Policy”.

Procesi i paqes është i brishtë. Ushtria afgane dhe forcat e NATO-s ende janë duke luftuar talebanët. Megjithëse asnjë forcë amerikane nuk është shënjestruar kohët e fundit, një prishje e bisedimeve të paqes rrezikon shpeshtimin e sulmeve kundër amerikanëve, të cilat do të komplikojnë edhe më shumë tërheqjen e SHBA-së nga Afganistani, vlerëson revista amerikane.

“Destabilizimi i vonuar brenda Afganistanit do të çonte në një përkeqësim të situatës së brendshme të sigurisë së Pakistanit dhe do të nxiste një valë tjetër të refugjatëve afganë. Pakistani ende ka rreth 2.5 milionë refugjatë afganë brenda kufijve të vet; një Afganistan i qëndrueshëm do t’u jepte mundësinë e kthimit të tyre të shumëpritur në shtëpi. Paqëndrueshmëria e ripërtërirë në Afganistan do të sillte dhunë në qytetet kufitare të Pakistanit dhe të eliminonte çdo perspektivë të tregtisë bilaterale”, shkruan “Foreign Policy”.

Pakistani ka një rol të rëndësishëm strategjik dhe ekonomik për të luajtur në Azi dhe do të ishte e rëndësishme për SHBA-në që të përqendrojë vëmendjen në Pakistan vetëm për këtë arsye. Mirëpo, luftimet e reja në Afganistan do ta bëjnë këtë plan edhe më të vështirë.

“Destabilizimi në Afganistan nuk u shërben as interesave jetësore të Pakistanit dhe as të Shteteve të Bashkuara. Tani shtrohet pyetja se cilat hapa praktikë mund të ndërmerren për t’i përmirësuar shanset për paqe në Afganistan”, shkruan revista amerikane.

Plani i Bidenit

Duke pasur parasysh rezultatet e dobëta të krijuara nga bisedimet në Katar, plani i paqes i Bidenit propozon që Turqia të jetë nikoqire e bisedimeve të paqes për Afganistanin. Rusia ka bërë të ditura planet për të thirrur një konferencë tjetër të paqes më 18 mars. Ndërsa, lojtarë të ndryshëm rajonalë po përpiqen të pohojnë rëndësinë e tyre për zhvillimet e vazhdueshme në Afganistan, nevoja për një zgjidhje midis afganëve mbetet përparësia kryesore.

Sipas revistës amerikane, plani i Bidenit që bën thirrje për të zëvendësuar Qeverinë afgane me një administratë të përkohshme për ndarjen e pushtetit në pritje të zgjedhjeve sipas një kushtetute të re nuk është pritur mirë nga presidenti afgan. Megjithatë, mbetet fakti që talebanët duhet të akomodohen në marrëveshjen e re për ndarjen e pushtetit dhe një qeveri kalimtare është një mënyrë e mirë për ta bërë këtë derisa të mbahet një raund tjetër i zgjedhjeve.

“Bisedimet e diplomatit amerikan Zalmay Khalizad me qeverinë afgane dhe talebanët dhe me bashkëbiseduesit e Pakistanit, do të rezultojnë jetike në arritjen e një zgjidhjeje politike për këtë strukturë kaq të nevojshme transitore”, vlerëson “Foreign Policy”.

Përpjekja ndërkombëtare për të stabilizuar Afganistanin kërkon gjithashtu komponentë të tjerë jetësorë, përfshirë një plan ekonomik për Afganistanin dhe Pakistanin. Ashtu si në çdo situatë tjetër pas konfliktit, shkruan revista amerikane, gjenerimi i punësimit do të jetë thelbësor për suksesin e planit. Disa propozime u bënë në 20 vjetët e kaluar për t’i harmonizuar më mirë ekonomitë e Pakistanit dhe Afganistanit, dhe për të krijuar vende pune në të dyja vendet.

“Diskutimi i koncesioneve tregtare të SHBA për Afganistanin dhe Pakistanin, Zonat e Mundësisë së Rindërtimit, të cilat do të gjeneronin punësim dhe do të tërhiqnin investime duhet të rishikohen. Shtetet e Bashkuara gjithashtu mund të luajnë një rol jetik në ndihmën për ringjalljen e Marrëveshjes Afgane të Tregtisë Transit, së bashku me investime të tjera premtuese në infrastrukturë në rajonin kufitar”, shkruan “Foreign Policy”.

Rimëkëmbja e Afganistanit

Afganistanit i duhet një plan afatgjatë sigurie që përfshin ndihmë teknike dhe materiale për ushtrinë dhe policinë afgane për vitet që vijnë, si dhe siguri të shtuar në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit. Shqetësimi më i madh strategjik për amerikanët është që Afganistani përsëri do të strehojë “Al-Qaedan” ose Shtetin Islamik, që do të jenë në gjendje të sulmojnë SHBA-në dhe aleatët e saj.

“Duhet të ketë një diskutim të sinqertë të një strategjie vijuese të antiterrorizmit midis Shteteve të Bashkuara, Pakistanit dhe NATO-s në rast të një ngritjeje terroriste në Afganistan. Në planin afatgjatë, bashkëpunimi kundër terrorizmit afgan dhe pakistanez do të ishte gjithashtu i dobishëm, por bërja e kësaj do të kërkojë siguri se asnjëra palë nuk do të lejojë që territori i tyre të përdoret si shtylla nismëtare për sulmet ndërkufitare”, shkruan “Foreign Policy”.

Është në interesin e përbashkët të Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara për ta stabilizuar Afganistanin dhe për të siguruar që rrjetet globale xhihadiste të mos zgjerohen brenda rajonit më të gjerë. Pavarësisht periudhave të trazirave, Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve dypalëshe që i paraprin bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit. Në një intervistë të fundit në Institutin e Lindjes së Mesme më 8 shkurt, Kenneth McKenzie, komandanti i CENTCOM, e njohu Pakistanin jo vetëm si vendimtar për të ardhmen e Afganistanit, por edhe “një nga pikat kryesore në botën e sotme”.

Nevoja për një tërheqje të SHBA-së nga Afganistani nuk e ka zvogëluar vlerën e bashkëpunimit dypalësh midis Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi e ka përmirësuar atë.