Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Befasitë e një dileme të përmbysur

Kur nisi lufta në Ukrainë të gjithë kemi qenë të bindur se mund të mbështeteshim në SHBA-në, por dilema ishte se a mund të mbështeteshim në BE-në? Sot, dy vjet më vonë, jemi përballë dilemës së përmbysur: e dimë se mund të mbështetemi në BE-në, por a mund të mbështetemi në SHBA-në?

Para nisjes së luftës në Ukrainë ka ekzistuar një supozim në marrëdhëniet transatlantike: në përballje me Rusinë, SHBA-ja është aleat i parashikueshëm në të cilin mund mbështetemi, ndërsa Bashkimi Evropian është rrezik i paparashikueshëm që duhet menaxhuar. Kjo ishte kështu, jo për shkak të ndonjë arsyeje mistike, por sepse thjesht është provuar vështirë që BE-ja si trup i përbërë prej 27 qeverive sovrane të veprojë me shpejtësi dhe vendosmëri në skenën ndërkombëtare. Aty ku SHBA-ja kishte një vendimmarrës, BE-ja kishte 27.

Sidoqoftë dy vjet nga pushtimi rus i Ukrainës ky supozim është duke u sfiduar. Në një kohë kur lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë jashtëzakonisht fragjile dhe kur Ukraina ka nevojë urgjente për mbështetje ushtarake, Bashkimi Evropian është shndërruar në mbështetësin e saj më luajal. Deri më sot, BE-ja me 144 miliardë euro ndihmë financiare është larg mbështetësi më i madh i Ukrainës, ndërsa me pakon e re financiare prej 50 miliardë eurosh ajo ka çimentuar mbështetjen për Ukrainën deri në vitin 2027. Nga ana tjetër, përçarjet politike në SHBA dhe perspektiva e kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë kanë vënë në rrezik jo vetëm mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, por edhe kredibilitetin e saj ndërkombëtar. Si qëndrojnë gjërat tani dhe në një skenar ku Kongresi Amerikan dështon të miratojë pakon e fundit financiare ushtarake për Ukrainën, e gjithë ndihma për Ukrainën do të varet vetëm nga BE-ja. Me fjalë të tjera, i gjithë fati i rendit perëndimor do të jetë në duar të BE-së.

Natyrisht skepticizmi fillestar ndaj BE-së ishte i kuptueshëm. Duke njohur varësinë energjetike evropiane nga gazi rus, ishte tërësisht e pritur se BE-ja nuk do të arrijë të përballet me arushën ruse. Në fakt, as vetë BE-ja nuk ka pritur se pushtimi rus i Ukrainës do të jetë një ngjarje kaq thellësisht transformuese për BE-në. Në zanafillën e luftës në Ukrainë, maksimumi që kancelari gjerman Scholz ishte i gatshëm të ofronte ishte “qebe dhe helmeta”, ndërsa sot po flasim për furnizim të Ukrainës me tanke dhe aeroplanë.

Ekonomia e BE-së është në rrugë drejt vendosjes së të gjithë ekonomisë në gjendje lufte. Në vitin 2023 vendet anëtare të BE-së kanë ngritur buxhetin e tyre ushtarak në nivele rekorde që nga viti 1989, ndërsa deri në fund të këtij viti numri i vendeve anëtare të NATO-s, të cilat do të arrijnë standardin e 2% të NATO-s do të trefishohet. Buxheti ushtarak i BE-së do të arrijë 380 miliardë euro, nivel ky i barabartë me atë të Rusisë. BE-ja për herë të parë ka ngritur Mekanizmin Evropian të Paqes, i cili ka vendosur themelet e asaj që është konsideruar deri dje vija e kuqe për BE-në: integrimi ushtarak në mes vendeve anëtare. Në këtë frymë, Agjencia Evropiane e Mbrojtjes për herë të parë ka filluar prokurimin e përbashkët të municionit. Sipas të gjitha gjasave BE-ja do të arrijë të prodhojë 1 milion raketa deri në fund të këtij viti. E gjithë kjo ka shtyrë ministrin gjerman të Mbrojtjes të raportonte se po ndihej “shumë optimist” në kapacitetin e BE-së për të mbushur çfarëdo hendeku që tërheqja eventual e SHBA-së do të shkaktonte. Duke reflektuar përkushtimin e palëkundur evropian për fitoren e Ukrainës ndaj Rusisë, këtë javë presidenti Macron ka refuzuar të mohojë mundësinë e përfshirjes së ushtarëve evropianë në fushëbetejën e Ukrainës. Dhe përderisa kancelari Scholz ka qenë i shpejtë në mohimin e një gjëje të tillë, vetë fakti i diskutimit të një ideje të tillë mbrapa dyerve të mbyllura është tregues i transformimit të paprecedentë nëpër të cilin ka kaluar BE-ja që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

Nga ana tjetër, po aq impresiv ka qenë transformimi energjetik i BE-së. Me nisjen e luftës në Ukrainë, Rusia ka përdorur varësinë energjetike evropiane si armë ekonomike. Me shenjat e para të rezistencës evropiane Rusia mbylli gazsjellësin “Nord Stream 1” duke synuar gjunjëzimin ekonomik evropian. Këtij akti armiqësor BE-ja iu përgjigj me transformimin më të shpejtë energjetik në historinë e njerëzimit. Para nisjes së luftës në Ukrainë, 45% e gazit evropian është importuar nga Rusia. Sot ky numër ka rënë në 15% dhe vazhdon të bjerë. E gjithë kjo u bë e mundur falë programit financiar të BE-së “REPowerEU” prej 300 miliardë eurosh. Programi ka zvogëluar varësinë nga energjia ruse duke diversifikuar furnizuesit e saj nga Egjipti dhe Izraeli e deri te Norvegjia dhe Kazakistani. Po ashtu, programi ka siguruar për herë të parë blerjen e përbashkët të energjisë në emër të të gjithave vendeve anëtare të BE-së. Kësisoj BE-ja u furnizua me 13.4 miliardë metra kub gaz duke tejkaluar kështu planin e saj fillestar prej 11.6 miliardësh. Paralelisht BE-ja ka dyfishuar investimet e saj në burimet e ripërtërishme duke siguruar se tani për herë të parë BE-ja prodhon më shumë energji elektrike nga burimet solare dhe të erës sesa nga gazi. Tani totali prej 39% të energjisë elektrike të BE-së vjen nga burimet e ripërtërishme. Dhe e fundit, BE-ja ka vendosur çmimin tavan për gaz dhe naftë, duke siguruar kështu që sot çmimet e gazit në Evropë janë më të ulëta sesa para nisjes së luftës në Ukrainë, ndërsa magazinat evropiane të gazit janë të mbushura me stoqet rezervë.

Edhe Rusia po paguan për një gabim fatal në llogaritjet lidhur me Ukrainën Botë Rusia po paguan për një gabim fatal në llogaritjet lidhur me Ukrainën

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme janë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Këtë javë BE-ja miratoi pakon e trembëdhjetë të sanksioneve, të cilat privojnë qasjen e Rusisë në teknologjinë kritike të nevojshme për të mirëmbajtur aparatin e saj ushtarak. Bankat ruse janë të përjashtuara nga SWIFT-i, ndërsa sanksionet janë duke gërryer ekonominë e Rusisë duke goditur rezervat e saj të huaja dhe duke ndërprerë zinxhirin e saj furnizues. Dje presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar nisjen e procedurave për përdorimin e 200 miliardë eurove të aseteve të ngrira ruse për financimin e blerjes së municionit ukrainas.

Që nga nisja e luftës në Ukrainë ajo dëshmoi të jetë një luftë plot befasi. Ukraina befasoi me rezistencën dhe kurajën e saj heroike, ndërsa Rusia befasoi me dështimin dhe paaftësinë e saj mbresëlënëse. Dhe në frymën e befasive të këndshme është edhe befasia e BE-së. Kur nisi lufta në Ukrainë të gjithë kemi qenë të bindur se mund të mbështeteshim në SHBA-në, por dilema ishte se a mund të mbështeteshim në BE-në? Sot, dy vjet më vonë, jemi përballë dilemës së përmbysur: e dimë se mund të mbështetemi në BE-në, por a mund të mbështetemi në SHBA-në?