Vështrime

Devalvimi

Serbia ka vënë bast në dhjetë vjetët e fundit se ajo është më e rëndësishme për Evropën se sa është Evropa për të. Dhe në bastin mes monedhës politike të Serbisë dhe asaj evropiane, BE-ja është në gjendje të përhershme të devalvimit të monedhës së saj

1.

Në shtator të vitit të kaluar të dërguarit e posaçëm të kryeministrit gjerman dhe presidentit francez ua paraqitën Kosovës dhe Serbisë një plan për normalizim të marrëdhënieve të tyre të ndërsjella. Parimi ishte se këto dy shtete do të zhvillonin marrëdhënie normale ndërshtetërore, bazuar në Kartën e OKB-së, por nuk do t’u kërkohej fillimisht që të njihnin në formë të ndërsjellë pavarësinë e njëra-tjetrës.