Tokio 2020

Damian Warner futet në histori me triumf në dekatlon

Damian Warner është bërë garuesi i parë nga Kanadaja që ka fituar titullin olimpik në dekatlon. Garën e dhjetë disiplinave në atletikë, Warner e fitoi të enjten. Ai madje ka vendosur rekord olimpik duke mbledhur 9018 pikë.

Ai është bërë vetëm dekatleti i katërt në histori që ka arritur shifrën e 9000 pikëve. Pikët grumbullohen në bazë të suksesit në gara të ndryshme që përbëjnë dekatlonin.

Rekordmeni botëror, Kevin Mayer i Francës, fitoi medaljen e argjendtë me 8726 pikë, ndërsa Ashley Moloney i Australisë e fitoi të bronztën me 8649 pikë. Moloney vendosi rekord të Australisë.

Dekatloni për atletë është zhvilluar përgjatë dy ditëve. Të mërkurën janë zhvilluar garat në vrapim 100 metra, kërcim së gjati, hedhje të gjyles, kërcim së larti dhe 400 metra vrapim.

Ndërkohë të enjten ishin garat në 110 metra me pengesa, hedhje të diskut, kërcim me purtekë, hedhje të shtizës dhe vrapim në 1500 metra.

Kanadezi 31-vjeçar ka fituar garën në 100 metra vrapim, në kërcim së gjati, në 110 metra me pengesa. Ishte lartë në renditje edhe në shumë prej disiplinave të tjera.

Dekatloni nuk është prej garave më të popullarizuara të atletikës në programin olimpik. Por është përfundimisht prej garave me ngarkesën më të madhe. Atletët duhet të shfaqin në nivel të lartë në të gjitha disiplinat dhe kjo kërkon përgatitje të jashtëzakonshme.

Kufiri prej 9000 pikëve është kaluar për herë të parë në Lojërat Olimpike. Para garës së fundit, vrapimit në 1500 metra, Warner ishte në vend të parë me 8280 pikë. Rezultati prej 4:31.08 minuta në 1500 metra ia siguroi fitoren e përgjithshme dhe vendin në librat e historisë olimpike. Ai kishte fituar medaljen e bronztë në Rio 2016.

Për Kanadanë është vetëm medalja e dytë e artë në atletikë në Tokio 2020. Andre De Grasse fitoi të artën në vrapim 200 metra, të mërkurën.

“Ishin dy ditë shumë të gjata. Kur kaloni gjithë betejën në dekatlon, kur më në fund arrini fundin dhe keni rezultatin për të cilin po luftoni, atëherë nuk ka ndjenjë më të mirë. Është ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Warner.

Ai prej fillimit ka bërë të qartë se është atleti që duhet mposhtur në dekatlon. Me meritë e fitoi çmimin jozyrtqar “të atletit më të madh në botë”.

Francezi Kevin Mayer e ka rekordin botëror prej 9126 pikëve të vendosur në vitin 2018.

Ideja që kampioni i dekatlonit është atleti më i madh në botë është e vjetër mbi 100 vjet. Në Lojërat e vitit 1912 në Stokholm, fitoi amerikani Jim Thorpe. Ndërkohë Mbreti Gustav i Suedisë iu drejtua atij: “Zotëri, ju jeni atleti më i madh në botë”.

Warner e ka arritur rekordin në kushte shumë të vështira. Temperatura ishte mbi 40 gradë celsius në të dy ditët.

“Ka pasur shenja se do të jenë Lojërat më të ngrohta ndonjëherë. Jam në Lojërat e treta dhe mund të konfirmoj se janë më të ngrohtat në të cilat kam garuar”, ka pranuar Warner.

Ai është përballur me vështirësi të mëdha gjatë pandemisë. Mezi ia ka dalë të ushtrojë për shkak të bllokadave të shumta. Por të mërkurën dhe të enjten ka shfaqur nivel shumë të lartë dhe ka fituar të artën me rezultat historik.