Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Zekaj: Rastet që shkojnë në ndërmjetësim përfundojnë për 90 ditë

Avokati Yll Zekaj ka thënë se në procedurën e ndërmjetësimit, rastet përfundojnë për 90 ditë.

“Palët e zgjedhin ndërmjetësuesin nga lista e ndërmjetësuesve që ekziston në gjykatë dhe pastaj fillon edhe afati prej 90 ditësh për zgjidhjen e këtij rasti. Do të thotë se kemi të bëjmë me afate të shkurta, pra është 90 ditë, afat i cili duhet të zgjidhet një rast, eventualisht nëse rasti është shume i komplikuar mund të kërkohet edhe 30 ditë shtesë. Do të thotë gjithçka përfundon brenda një periudhe prej 4 muajve”, tha avokati Zekaj në emisionin “Tempus” të KTV-së të martën.

Sipas tij, kjo është përparësia e ndërmjetësimit nëse krahasohet me procedurën gjyqësore.

Tutje, ai sqaroi se Ligji për ndërmjetësimin ka paraparë dy forma të referimit të rasteve në ndërmjetësim.

“Forma e parë është që rastet referohen në ndërmjetësim nga institucione gjyqësore apo administrative, përkatësisht prej prokurorisë dhe gjykatës, kur këto lëndë janë në gjykatë, më herët është parashtruar një padi apo një rast është iniciuar në gjykatë në procedurë penale dhe rasti i dytë është kur qytetarët kanë një problem, një mosmarrëveshje dhe rastin e vetëreferojnë në ndërmjetësim pa e provuar procedurën gjyqësore. Kurse në rastin e dytë mjafton që qytetari me çfarëdo problemi të referohet një ndërmjetësuesin dhe të kërkojë që të kontaktojë me palën tjetër dhe ta provojnë procedurën e ndërmjetësimit”, deklaroi Zekaj.