Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Sogojeva: Me ndryshimet e MD-së për përmbaruesit, palët janë të pabarabarta

Avokati Fisnik Sogojeva ka thënë se me udhëzimin e ri të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me përmbaruesit, palët nuk janë të barabarta në procedurë.

I ftuar në emisionin “Tempus” të KTV-së, Sogojeva ka thënë se ka trajtim diskriminues në favor të institucioneve shtetërore.

Sipas tij, me ndryshimin e ri që është bërë, vlerat përmbarimore të realizuara dhe shpenzimet përmbarimore të procedurës, nuk janë të harmonizuara pasi tjetër vlerë ka në administrim të lëndës dhe tjetër në efikasitet.

Ai shtoi se me udhëzimin e ri, ka diskriminim në favor të institucioneve shtetërore, ngase të njëjtat nuk do të tarifohen.

“Në tarifën e re, parashihet që institucionet shtetërore, në këtë rast institucionet që shqiptojnë gjoba, nuk do të tarifohen për pagesë të efikasitetit, që nënkupton në qoftë se marrim institucionet komunale, Inspektoratin Komunal, Policinë, Komisionin për Miniera dhe Minerale që kanë dërguar lëndë, kemi Doganën që shqiptojnë gjoba dhe këto lëndë i çojnë tek përmbaruesi privat për inkasim të borxhit, në tarifën e re thotë që nuk paguajnë, përkundrazi thotë se tarifa e efikasitetit i ngarkohet debitorit, që nënkupton se palët atëherë nuk janë të barabarta në procedurë”, tha Sogojeva.