Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës, ua ul pagat në mënyrë arbitrare gjyqtarëve, gjë që nuk lejohet me ligj.
“E kam përcjellë këtë vendim që nga dita kur është marrë dhe në fakt disi u çudita kur e kuptova që qenka bërë pesë vjet. Vendimi i nxjerrë në dhjetor të vitit 2017 na Qeveria Haradinaj qartazi ka qenë një vendim kundërkushtetues dhe vendim që përbën konflikt interesi. Kam qenë monitorues në atë kohë në KGJK dhe praktikisht e di që Qeveria nuk e ka ditë që pagat preken edhe në sistemin gjyqësor dhe kjo vërtetohet me dy çështje. E para në vendimin e Qeverisë nuk përmenden fare pagat e gjyqtarëve. E dyta të nesërmen ka pasur mbledhje Këshilli Gjyqësor edhe atë ditë është futur në vend të ditës diskutim mbi nenin 29, që është thënë se Qeveria në këtë rast duhet me reflektu edhe ndaj gjyqësorit se ligji e kërkon”, tha Shala në Tempus të KTV-së.
Sipas tij, çuditërisht Kushtetuesja e vërtetoi atë vendim.
“Para disa ditësh, vendimi i ri nuk e anulon vendimin e Qeverisë Haradinaj, ky vendim i ri i ul pagat arbitrarisht të gjyqësorit përmes një vendimi në kundërshtim me garancionin që e ka mbrojt në vitin 2020, e abstrahon atë çështje dhe pastaj kthehet në vitin 2017. Në rastin konkret, përpos që paraqet ndërhyrje në pavarësi, paraqet edhe ndërhyrje të nenit 46 në kuptim të nenit 53 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shtoi ai.