Instituti Demokratik i Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore për anulimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI, ka thënë se Qeveria kur e ka marrë vendimin më 23 nëntor të vitit të kaluar sipas së cilit parashihej ulja e pagave, ka pasur tendencë të ndikoj në punën e sistemit gjyqësor.
“Në Kosovë ka mungesë të mosefikasitetit të gjyqësorit në luftimin e rasteve të korrupsionit. Jemi dëshmitarë se kemi aktgjykime me dënime të ulëta sa i përket ndëshkimit të personave, zyrtarëve të lartë që kryejnë vepra të korrupsionit. Arsyet që ka përdorur Qeveria kanë qenë të pakuptueshme sepse nuk mund të ndërhysh në një institucion të pavarur dhe me vendime të përcaktosh lartësinë e pagës së gjyqtarit. Kjo është tendencë që Qeveria të ndikoj dhe diktoj në punën e efikasitetin e sistemit gjyqësor”, ka thënë ai në Interaktiv në KTV.
Bugaqku ka shtuar se Ligji për Paga ka mangësi kushtetuese sepse parashihet zvogëlim i pagave të gjyqtarëve me “mbi 40% në krahasim me të kaluarën”.
“Në përmbajtjen e ligjit të pagave nuk ka arsyetim të bazuar që Qeveria të arsyetohet që këto paga po i rregullon në këtë mënyrë sepse është në krizë. Përveç kësaj Qeveria ka proklamuar se ka rritje ekonomike, është e kundërta”, ka deklaruar ai.
Bugaqku ka theksuar se nuk është në rregull që “sa herë që ndërron një Qeveri të nxjerrin vendime ku luhatet paga e gjyqtarit”.
Ndërkohë, duke folur për punën e Kuvendit, ai ka deklaruar se partitë opozitare që po bojkotojnë duhet të marrin pjesë në votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare. Por, e sheh të pakuptimtë edhe bojkotin e partisë në pushtet për formimin e komisionit hetimor për rezervat.
I pyetur nëse pushteti po përpiqet ta sabotojë punën në Kuvend, Bugaqku është përgjigjur: “Ndoshta e kanë atë qëllim që ta sabotojnë, por ndoshta edhe duke kalkuluar politikisht sepse mendojnë se qëllimi i komisionit do të ketë një debat që nuk u shkon në favor”.
“Nuk e kuptoj arsyen pse nuk po shkojnë, duket se nuk kanë qëllim që kjo punë të shkojë përtej Kuvendit”.