Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se vendi po ballafaqohet me një prej krizave më të ashpra ekonomike në 20 vjetët e fundit në Kosovë.
Koordinatori i Departamentit të Financave në Kabinetin për Qeverisje të Mirë ka thënë të martën, në emisionin “Tempus” në KTV, se ka një rritje të theksuar të nivelit të përgjithshëm të çmimeve dhe se inflacioni është një prej problemeve kryesore makroekonomike, me të cilat mund të përballet një vend.
“Kemi krizë ekonomike dhe po ballafaqohemi me një prej krizave më të ashpra ekonomike, me të cilat është ballafaquar ekonomia e vendit, përjashto periudhën e pandemisë, kur është dashtë gjithçka të mbyllet, përndryshe në këto 20 vjetët e fundit është një prej krizave më të rënda me të cilat po ballafaqohet ekonomia e vendit”, ka thënë ai.
Sipas Mustafës, ngritja e çmimeve po godet më së shumti shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.
“Po shohim që norma mesatare ka kaluar vetëm në shifër dyshifrore, në muajin maj ka qenë 12.5%, mirëpo nëse e shohim për produkte bazike, shohim norma mbi 20% dhe kjo rritje e çmimeve mbi 20% për produkte bazike, po godet më së shumti shtresat më të ndjeshme të shoqërisë. Për më tepër, nëse duam të shohim ekonominë në një perspektivë më të gjerë, kjo po shkakton një krizë ekonomike edhe në aspektin e rritjes së ekonomisë, sepse me këtë rritje ekonomike po zvogëlohet fuqia blerëse e qytetarëve dhe padyshim do të reflektohet në rënie të konsumit”, ka shtuar ai.
Edhe
Mustafa: Ekonomia e vendit nuk mban mend rritje më të ulët
Sipas Mustafës, sasia e importeve në pesë muajt e fundit ka shënuar rënie për rreth 14 për qind.