Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Miftaraj: Ndalimi i pagave, në kundërshtim me ligjin

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Ligji për greva në mënyrën se si është hartuar e ndalon ndaljen e pagave për grevistë.

Sipas tij, për një gjyqtar, për një jurist ose për një gjyqtar që nesër mund t’i shkojë një rast në bazë të kësaj, do ta ketë shumë të lehtë të vendosë në favor të mësimdhënësve.

Miftaraj ka thënë se çdo vendim që e merr Qeveria ose një autoritet publik, duhet të ketë shumë kujdes që të njëjtin ta bazojë në ligj, ta bazojë në procedurë, dhe se secili qytetar i këtij vendi ka pritshmëri për një ligj të miratuar, se cilat do të jenë pasojat e veprimit dhe mosveprimit me atë ligj.

“Nëse ky ligj nga viti 2010, pritjet legjitime kanë qenë që nuk mund të ndalet paga dhe fryma e ligjit të jep ta nënkuptosh atë, atëherë sigurisht që unë besoj që vendimi i fundit, ose së paku ato që janë thënë në publik për mospagesën e pagave, do të ishte në kundërshtim me këtë ligj”, ka thënë Miftaraj në “Tempus” të KTV-së.

“Është një lajm i mirë që së paku Ministria e Arsimit filloi të reflektojë, në bazë të një informate që doli në publik, edhe përkundër faktit që thanë se do të paguajnë avancë tanimë për mësimdhënësit e arsimit, ‘për shkak se është fillimi i muajit dhe mos t’i lëmë në pozitë të keqe’, unë prapë se prapë mendoj që ndoshta në ndonjë fazë të mëvonshme prapë do të reflektojnë dhe obligimet që i kanë ndaj mësimdhënësve për pagën e muajit shtator, t’i ekzekutojnë, në mënyrë që të mos vijmë në një situatë ku rreth 21 mijë raste të shkojnë në gjykatë”, ka thënë Miftaraj që ka shtuar se po që se paditet shteti, do të obligohet t’i paguajë mësimdhënësit shumë më shumë se paga e tyre, pasi duhet t’ua paguajë avokatët, kamatën ligjore e shpenzimet gjyqësore.