Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) thotë se është e guximshme të thuhet se Ligji e ndalon mosekzekutimin e pagave dhe se dispozitat janë të qarta.
“Pretendimi i Miftarajt se ndalja e pagave është e paligjshme dhe nëse do të atakohej në gjykatë do të fitohej si rast mendoj që është i guximshëm për shumë arsye. Arsyeja kryesore është se janë disa dispozita në ligjin për grevat aktualisht, të cilat fatkeqësisht për situatën aktuale u japin të drejtë të gjithë punëdhënësve që për punën e bërë t’i paguajnë punëtorët ose për punën e mosbërë të mos i paguajnë punëtorët, është neni 18 që e përmendi Miftaraj, i cili me plotësim ndryshim e specifikon edhe këtë pjesën e pezullimit të obligimeve përfshirë të drejtën në pagë. Është një dispozitë po ashtu e shtuar në vitin 2012, në nenin 13.3, e cila thotë se nëse të punësuarit që punojnë gjatë grevës me qëllim të plotësimit të shërbimeve esenciale jetësore, kanë të drejtë për pagën në përputhje me kohën e kaluar në punë. Do të thotë, e specifikon qartë që nëse punon për një kohë të caktuar në grevë, e ke të drejtën në pagë”, tha Hoxha në “Tempus” të KTV-së.
Sipas tij, kjo është në përputhje me parimin që paga është shpërblim financiar për punën e bërë.
Ai thotë se nevojitet kujdes me referimin te standardet ndërkombëtare.
“Pjesa e qartësisë së dispozitës unë besoj që nuk do të duhej të diskutohej sepse fatkeqësisht po sjell polarizim të skajshëm në shoqëri dhe nuk do të duhej të ishte tema e diskutimit tash në fund të grevës dhe, prap po e them është pretendim shumë i guximshëm për të thënë ligji në Kosovë nuk e ndalon ndaljen e pagave”, shtoi ai.
Hoxha: Ligji është i qartë, por Ministria e Financave s’duhet të bëjë selektim
Drejtori ekzekutiv i KCSF-sw ka thwnw se Ligji për Grevat është i qartë, por Ministria e Financave nuk duhet të bëjë selektim.
Edhe
Miftaraj: Ndalimi i pagave, në kundërshtim me ligjin
“Interpretimi im është që Ministria e Financave, Departamenti i Thesarit e ka për obligim t’i ekzekutojë pagesat të cilat i vijnë nga institucionet vartëse. Nuk është përgjegjësi i Ministrisë së Financave, gjegjësisht Departamentit të Thesarit, që të merret me selektime të ndryshme. Por, duhet të jemi shumë të kujdesshëm këtu, sepse është përgjegjësi e punëdhënësve, në nivelin qendror ministrive, në nivelin lokal komunave, që ta mbajnë evidencën që e kanë përgjegjësi ligjore, detyrë zyrtare, secili mbikëqyrës i institucionit, sikurse në secilin sektor tjetër, e ka përgjegjësi të mbajë evidencën se kush vjen në punë e kush jo, duke e përfshirë pjesën e grevave”, tha Hoxha.
Sipas tij, janë listat e punëtorëve, mbikëqyrësit e institucioneve varësisht nga niveli qendror apo lokal duhet t’i dërgojë listat, kurse Departamenti i Thesarit nëse ka dyshime që ato lista nuk janë të drejta duhet ta dërgojë dosjen në Prokurori apo tek Auditori.