Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Ministria e Drejtësisë nuk e ka argumentuar mirë se përse duhet t’ua ndërpres mandatin disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Sipas Miftarajt, Komisioni i Venecias në parim është gjithmonë kundër ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë dhe Këshillit Prokurorial, në kultura juridike që e kanë sistemin që kanë Këshilla Prokurorial, e kjo sipas tij është kryesisht në vendet sovjetike në vendet postkomuniste e në vendet e Ballkanit.
Por, kjo sipas Miftarajt nuk është në vendet demokratike, ku është krejt tjetër sistem.
“Në rastin e Kosovës do të thotë e përmend, e jep dritë jeshile që t’ju ndërpritet mandati disa anëtareve të Këshillit Prokruroial të Kosovës si mënyrë e vetme do të thotë me dalë kah gjendja ku është sistemi prokruroial i Kosovës. Tash sa ka qenë në gjendje Ministria e Drejtësisë me argumentu këtë pranë Gjykatës Kushtetues, si duket nuk ka qenë në gjendje fare”, ka thënë Miftaraj.
Ai gjithashtu ka theksuar se mjafton t’iu shkojmë tek dokumentet e politikave te rishikimi funksional në kohë kur është udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, e që sipas tij është bërë një punë e jashtëzakonshme.
“Po i kemi diku 14 dokumente të politikave që kanë folur për profesionalizmin, për integritetin, për efikasitetin, për llogaridhënien, domethënë është bërë një skanim i tërësishëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në fusha të caktuara në sistemin e sigurisë edhe ka dalë njëmend se Kosova ka probleme shumë, shumë serioze, do të thotë ku kryesisht janë të fokusuara në sistemin prokurorial”, ka thënë Miftaraj.