Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Miftaraj: Gjendja shumë e rëndë në Këshillin Prokurorial, reforma shumë e rëndësishme

Drejtori ekzekutiv i Insitutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se gjendja në Këshillin Prokurorial është shumë e rëndë dhe se kjo gjendje nuk mund të tejkalohet pa miratimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe pa ndërprerjen e mandatit të anëtarëve aktual.

Miftaraj në emisionin “Tempus” të KTV-së, ka thënë se lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, IKD-ja është shprehur se duhet të ketë siguri juridike, por nuk duhet të ketë një të drejtë të vetos të anëtarëve të këtij Këshilli, të cilit vijnë nga Kuvendi i Kosovës.

“Përderisa te Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës mund të them që e kemi një qëndrim pothuajse të përafërt me Projektligjin aktual, me përjashtim të disa çështjeve, të cilat i kemi ngritur në takimin e fundit, por edhe komentet që i kemi dërguar në Komision për Legjislacion, po këto komente janë kryesisht minore dhe që lidhen me atë që kemi thënë që duhet të ketë siguri juridike, por nuk duhet të ketë një të drejtë të vetos të anëtarëve të KPK-së që vijnë nga Kuvendi i Kosovës, e cila aktualisht qëndron në ligj dhe këtë nuk e lidhim me partinë politike që është në pushtet, por e lidhim me një parim që do të thotë se kushdo që është në pushtet, kushdo që i dërgon anëtarët e vet në Këshill Prokurorial mund ta bllokojë apo mund t’i zhvlerësojë katër anëtarët e tjerë që vijnë nga ana e prokurorëve”, ka thënë ai.

Sipas Miftarajt, kjo është një ndër reformat më të rëndësishme që është duke kaluar Republika e Kosovës.

“Unë besoj që kjo është një ndër reformat më të rëndësishme që është duke i kaluar Kosova, për arsye që e kemi një KPK, fatkeqësisht i cili nuk po është në gjendje që të mbajë vetën, në radhë të parë, llogaridhënës, transparent, po çka është më e rëndësishmja është duke e cenuar integritetin e vetvetes, është duke cenuar integritetin e sistemit prokurorial. Mjafton të shohim procesin e fundit për Kryeprokuror të Shtetit, mënyrën se si e kanë udhëheq dhe merr mesazhin se ky Këshill edhe pas mendimit, opinionit të Komisionit të Venecias, nuk e ka ndryshuar pothuajse qasjen e operimit, qasjen e funksionimit fare. Me vetë faktin që edhe Komisioni i Venecias i ka hapë rrugës ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës e dëshmon në njëfarë mënyre gjendjen shumë të rëndë që është sot sistemi prokuroria”, ka thënë ai.

Edhe Miftaraj: MD-ja në përpjekje për ta kapur Këshillin Prokurorial TEMPUS Miftaraj: MD-ja në përpjekje për ta kapur Këshillin Prokurorial

Miftaraj ka shtuar se partitë opozitare duhet të luajnë rolin e tyre për të siguruar që të kemi një ligj, i cili i mbijeton kohës.

“Besoj se të gjitha partitë politike, në këtë rast edhe opozitare, kur e lexojnë opinionin e Komisionit të Venecias, nëse nuk kanë besuar neve shoqërisë civile, s’ju kanë besuar raporteve ndërkombëtare, raporti i Komisionit të Venecias, opinioni i Komisionit të Venecias në një farë mënyre e tregon se në çfarë gjendje të mjerë është sot sistemi prokuroria dhe kjo gjendje nuk mund të tejkalohet pa miratimin e këtij ligji, pa ndërprerjen e mandatit të anëtarëve aktual”, ka thënë Miftaraj.