Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Miftaraj: Gjykata Speciale, qasje arrogante ndaj të pandehurve

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Insitutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se trajtimi i të pandehurve për krime më monstruoze ka qenë më dinjitoz, ndërsa tani duket një lloj arrogance.

“Nga ajo çka po shohim deri tani për gjykimin tim nëse marrim parasysh edhe tribunalet e tjera ndërkombëtare duke filluar nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi, Tribunali i Nurembergut, nëse kthehemi pas Luftës së Dytë Botërore apo Tribunali i Tokyos, flas padyshim që trajtimi i të pandehurve ka qenë shumë më dinjitoz”, ka thënë Miftaraj në “Tempus” të KTV-së.

Ai ka thënë se paraqitja e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë shumë më shumë me respekt ndaj të pandehurve.

“Ndonjëherë gjatë monitorimit tonë e shoh që duket një lloj arrogance, një lloj si të them e kemi pushtetin, na lejon ligji dhe e bëjmë këtë. Unë mendoj se kjo është një çështje e gabuar, për arsye se po flasim për procese gjyqësore që do të ndalemi para ekraneve për së paku edhe 7-8 vitet e ardhshme dhe në këtë drejtim besoj që gjykata, prokurorët, gjyqtarët duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të kenë një trajtim më të barabartë”, tha Miftaraj.