TEMPUS

Kontrata Kolektive- Zogaj: Askund në botë s’ka që çdo qytetar të ketë një lëndë në gjykatë

Albert Zogaj - kryesues i KGJK_se

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke folur lidhur me mbingarkesën e gjyqësorit me lëndë të Kontratës Kolektive, tha se kurrkund në botë nuk ka që secili qytetar të ketë një lëndë në gjykatë.

“Efekti negativ është zinxhir, e para është dëmtu buxheti i Komunave në mënyrë të veçantë në vend, është dëmtu gjyqësori sepse është dëmtu potenciali dhe orientimi në lëndë të vjetra dhe si me thënë zërja e hapit në adresimin e çështjeve dhe shkurtimin e afateve, sidomos në këtë periudhë kur ne e kemi jetike progresin për antarësim në Këshillin e Evropës, ka ndiku jashtëzakonisht keq”, tha Zogaj në një intervistë në “Tempus“ të KTV-së.

Ai tha se beson që kjo ka krijuar një kulturë jo të mirë që për secilën çështje, për secilën situatë të shkosh në Gjykatë.

“Duhet me u dominu nga profesionalizmi, objektiviteti edhe nga ideja që qytetari me marrë shërbimin kur ai është i përligjur dhe kur ai në fakt ka të drejtë diçka që në rastin e kontratave kolektive është torturu edhe mësimdhënësi edhe gjykata, edhe buxheti edhe të gjithë dhe mendoj që ka me pas një impakt negativ pavarësisht që mobilizimi që ka tregu gjyqësori është i jashtëzakonshëm. Në vitin 2023 deri në këtë periudhë deri në muajin nëntor kemi përfundu mbi 30 mijë raste, ndërsa në vititn 2024, 67 mijë raste. Pra, efikasiteti kur shikohet si krahasim në vitin e kaluar është mbi 100 për qind në Drejtësinë Civile dhe kjo ka tregu angazhimin e të gjithëve gjyqtarëve, kryetarëve të gjykatave dhe administratës pa i përjashtu”, tha Zogaj.

Sipas tij, kjo është kulturë jo e mirë dhe se në disa raste e drejta në padi edhe është keqpërdorur.

Po ashtu, Zogaj tha se për fat të keq në tri vitet e fundit pothuajse secili qytetar ka një çështje në gjykatë apo secili i punësuar që merr pagë nga shteti.

“Kurrkund në botë nuk ka, po më vjen keq me përseritë që çdo qytetar me pas një çështje në gjykatë, fatkeqësisht në tre vitet e fundit pothuajse e kemi secilin qytetar me një çështje në gjykatë ose të paktën me thanë secilin të punësuar që merr pagë nga shteti në njëfarë forme ka një çështje në gjykatë, madje në disa raste dy, tre, katër për shkak se kjo pastaj edhe si proces e them është kulturë jo e mirë sepse është keqpërdorë në disa raste duke ngritë tre-katër çështje pesë çështje për personin e njëjtë që nuk është brenda standardit të etikës dhe sjelljes profesionale, megjithatë ka ndodhë”, tha Zogaj.


Objektivat e gjyqësorit për 2025: Reformimi i administratës, përfundimi i procesit të rekrutimit, shkurtimi i kohëzgjatjes së lëndëve

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se objektivat e gjyqësorit për vitin 2025 janë reformimi i administratës, përfundimi i procesit të rekrutimit dhe shkurtimi i kohëzgjatjes së lëndëve.

“Objektivat e gjyqësorit për vitin 2025 janë të qarta, reformim i tërësisht i administratës gjyqësore, janë punuar koncepte edhe për reformë brenda adminstratës gjyqësore, por edhe trajnimeve të adminsitratës gjyqësore, përfundim i proceseve të rekrutimit dhe qartësim përfundimtar të organogrameve të gjykatave, shkurtim i kohëzgjatjes së qëndrimit të lëndëve nëpër gjykata, komunikim intensiv midis Gjykatës Supreme me gjykata dhe zvogëlim i kthimit të çështjeve në rishqyrtim, strukturë e re e Departamentit Special dhe fuqizim i këtij departamenti, por njëkohësisht e kemi në objektiv themelimin e Gjykatës Administrative, por se çështja e buxhetit është jetike për gjyqësorin, ku nuk është lejuar as edhe një pozitë shtesë”, tha Zogaj.


“Gjyqësori s’është parë asnjëherë më shumë”, kështu i komenton Zogaj deklaratat politike

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në tre vitet e fundit ka pasur qasje të papranueshme ndaj gjyqësorit dhe ‘konfronte’ me pushtetet tjera.

“Besoj që gjyqësori nuk është parë asnjëherë më shumë. Pra, në këto tre vite, gjyqësori është duk, ka pas shumë ‘konfronte’ me pushtetet tjera. Ka pas qasje jo të pranushme në raport me gjyqësorin. Por, njëkohëshisht ka pas reagim të fuqishëm të gjyqësorit në raport më krejt këtë situatë”, tha Zogaj.

Ai tha se edhe nismat që janë bërë për ndryshimet ligjore, kushtetuese, debati për Vettingun dhe ai për reformën, kanë ndikuar në narrativën dhe në përceptim jo të mirë për gjyqësorin.
“Njëkohësisht kanë ndiku, meqenëse këto nisma kanë përfunduar edhe në Gjykatën Kushetuese, ne të kemi një qartësi të plotë të kufijve të pavarësisë së sistemit të drejtësisë sot, si dhe imputi prej partnerëve dhe raporteve ndërkombetare, besoj kanë me i kontribu një kulture që pushtet e tjera duhet me ndejt indifernet prej gjyqësorit, në kuptimin e komentimit individual të rasteve apao gjyqtarëve sepse është krejtësisht e papranueshme”, tha Zogaj.

Po ashtu, Zogaj tha se pushtetet e tjera duhet të koordinohen për politikat të gjyqësorit dhe mbështetje të gjyqësorit.

Gjithashtu, sipas tij, as ky gjyqësor që është por as ata të tjerët në të ardhmen, nuk e kanë potencialin as mediatik, e as publik që të zhvillojnë debate permanente me Qeverinë dhe Kuvendin, por tha se e ka potencialin që të koorindohen për mbështetje.


Kryesuesi i KGJK-së për vendimin në rastin e gjykatësit Sejrani: S’mund të flas për rastin, puna jonë ishte transparente

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nuk mund të flasë për vendimin e Këshillit lidhur me rastin e gjykatësit Artan Sejrani, por tha se detyrë e tyre ishte transparenca në punë dhe se këtë e kanë bërë.

KGJK-ja nuk e ka gjetur përgjegjës Sejranin që nuk e kishte njoftuar kryetaren e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, se kishte pasur kontakte me të akuzuarin Shkodran Pulaj, të cilin po e gjykonte për shitblerjen e narkotikëve.

“Unë nuk mund të flas për rastin, ajo që ka qenë detyra jonë si KGJK, edhe e imja si kryesues i këtij institucioni  është dhe lidhet që detyrën tonë me ba transparente dhe e kemi ba. Po besoj që në masën e pakrahasueshme me periudhën e mëparshme dhe me sistemet përreth. Meqenëse puna jonë është krejtësisht transparente, për fat të mirë ka organizata profesionale të shoqërisë civile, ka publik të vetëdijesum, ka organizata ndërkombëtare që gjykojnë mirë-keq, pro- kundër. Pra, mbi këtë transaprencë dhe nivel të transaprencës realisht është ndërtu edhe koncepti në ndryshimet e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka ardhë si input i BE-së dhe partnerëve”, tha Zogaj.

Ai theksoi se kemi disa probleme në zbatimin e këtij ligji, por është bërë një proges i jashtëzakonshëm.

“Janë adresu shumë raste, janë shqiptuar shumë masa, është dhënë mesazh, por ka edhe disa çështje që duhet të adresohen dhe janë edhe terma ligjor, por njëkohësisht edhe reflektime që ne duhet të kemi si zyrtarë përgjegjës të këtij institucioni ose të sistemi”, tha Zogaj.


Kush nuk e arrin normën s’do ketë mundësi avancimi, sipas Zogajt

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, i ftuar në një intervistë në “Tempus”, tha se kush nuk e arrin normën, nuk ketë mundësi avancimi.

I pari i KGJK-së tha se me sistemin e ri të performancës së gjyqtarëve do të ketë katër shkallë të vlerësimit, por do të vendoset një masë, që gjyqtari i cili nuk ka performuar në tri vite duke realizuar normën 100%, nuk do të mund të arrijë shkallën “shumë mirë”.

“Kjo nënkupton që do të ketë pengesë për avancim”, tha Zogaj.

Ai tha se ky do të jetë një zotim i KGJK-së për vitin 2025. Mosrealizimi i performancës edhe në Departamentin Special, ai tha se do të rezultojë me largim të gjyqtarëve nga ai Departament.

“Departamenti Special do të ketë një derë për të hyrë, një për të dalë, çka nënkupton, dështimi në realizimin  e performacës dhe objektivave të Departamentit nënkupton se do të krijohet shkaku që gjyqtarët të largohen nga Departamenti Special. Tani unë po besoj se sistemi është matur në masë të mjaftueshme, të kemi konkurrencë të mjaftueshme për të përzgjedh gjyqtarët më të mirë në Departamenti Special, pra po adresohet edhe një çështje”, tha Zogaj.

Sipas tij, në Departamentin e Krimeve të Rënda numri i lëndëve të pranuara në nivel vendi ka rënë.

“Efikasiteti në Departamentin e Krimeve të Rënda është në masën 142 për qind, por është evidente se ka ra numri i lëndëve të pranuara në Departamentin e Krimeve të Rënda në nivel vendi, nuk është se kemi pas një angazhim të jashtëzakonshëm, por ka një numër të lëndëve të pranuara më pak dhe njëkohësisht ka pas një performancë konstante të Departamenteve të Krimeve të Rënda. Diskutimi i Këshillit dhe Kryetarëve të Gjykatave është që meqenëse në vitin e ardhshëm që në fakt po përbën çështje numër dy, të gjitha trupat në Krime të Rënda duhet të jenë nga gjyqtarët e Departamenteve të Krimeve të Rënda, atëherë në disa raste gjyqtarët e Krimeve të Rënda do të përfundojnë lëndë edhe nga Departamenti i Përgjithshëm”, tha Zogaj.


Zogaj: Rregullore e re për Departamentin Special, gjyqtarët që nuk tregojnë performancë “do ta gjejnë derën”

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Rregullorja e re parasheh më shumë liri në administrimin e Departamentit Special dhe më shumë resurse, por përmes një filtri serioz.

“Do të ketë një derë me dalë dhe një për të hyrë, që do të thotë dështimi në realizimin e performancës dhe objektivave të Departamentit, do të jenë shkak për largimin e gjyqtarëve”, tha Zogaj.

Ai tha se kjo Rregullore do të miratohet në janar të vitit të ardhshëm dhe numri i gjyqtarëve do të shkojë në 12 apo 13 dhe se kjo nënkupton që dinamika e një rasti në Departamentin Special nuk do të varet nga vullneti individual i  gjyqtarit, por nga planin i punës së Departamentit që ka gjykata në këtë rast.

Zogaj tha se Rregullorja e re për DS u hartua në dakordim me gjykatën dhe partnerët, në mënyër të veçantë USAID, por ditëve të fundit ka një diskutim me zyrën e BE-së për disa çështje teknike.

Po ashtu, ai tha se ka dy vite që Departamenti Special ka një plan të punës që e ka ngritur nivelin e perfomancës së Departamentit, e cila ka një njohje të rezultateve edhe nga Raporti i Progresit në përfundimin e më shumë rasteve, por që presin performancë ndryshe të këtij Departamenti, pasi që në të trajtohen edhe krimet e luftës.


 “Efikasiteti, cilësia dhe llogaridhënia e gjykatave kanë qenë pikat më kritike, ende duhet punë”

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se qëllimi i gjyqësorit është dhënia e shërbimit profesional dhe të besueshëm për qytetarin, e cila vazhdon të jetë pikë kritike.

“Efikasiti i gjykatave ka qenë pika më kritike dhe vazhdon deri në një masë të jetë, por me një adresim serioz, besoj që do të ndryshojë trendin në kuptimin e efikasitetit”, tha Zogaj në një intervistë në “Tempus”.

Zogaj tha se edhe cilësia e vendimeve po ashtu ka qenë e diskutueshme dhe me kritika, por edhe ajo ka marrë adresim serioz brenda gjyqësorit, kurse llogaridhënia mbetet po ashtu pikë kritike pavarësisht rezultatave.
“Ka qenë cilësia e vendimmarrjes e diskutueshme, me shumë kritika edhe sot, me shumë sfida, por edhe kjo po merr një adresim serioz brenda gjyqësorit. Ka qenë dhe po mbetet llogaridhënia në gjyqësor që po ashtu është pikë kritike pavarësisht rezultateve që ne i kemi tregu në këtë periudhë, vazhdon me pas akoma problematika me llogradhënie, por besoj që transparencën deri në një masë e kemi adresu”, shtoi Zogaj.

Ndërsa lidhur me çështjen e efikasitetit, Zogaj tha se ka pasur një sjellje jo mirë të organizuar nga gjykatat deri në vitin 2021. Sipas tij, rezultatet kanë qenë të varura nga sjellja individuale e secilit që ka qenë pjesë e gjyqësorit dhe jo nga një planifikim i mirëfilltë.

Megjithatë, pavarësisht rezultateve, ai tha se ende duhet punë në gjyqësor.


Zogaj: Gjyqësori është ballafaquar më krizë të menaxhimit, për shkak të strukturës së përgjegjësisë

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjyqësori për shkak të strukturës së përgjegjësisë, është ballafaquar me një krizë të menaxhimit.

“E vërteta është se gjyqësori është përballë me një tip krize të menaxhimit ta themi kështu, jo nga mungesa e vullnetit apo e dijeve të drejtuesve të gjykatave apo edhe të Sekretariatit Këshillit dhe Njësisë, por nga shkaku se në vitin 2016 ka pas një decentralizim në sistemin gjyqësor, ku disa përgjegjësi janë bartë nga Këshilli tek gjykatat dhe pastaj është parë se nuk ka funksionu sidomos me rekrutimet dhe me konceptin e llogaridhënies, sepse përgjegjësia është shpërndarë në dy-tri nivele dhe ka rezultuar se nuk ka qenë koncepti i duhur pastaj ka pas një rikthim të përgjegjësive”, tha Zogaj.
Me aktet e miratuara në dy vitet e fundit, Zogaj thotë se është qartësuar struktura organizative.

“Por, unë mendoj se me aktet e miratuara sidomos në vitin 2023 dhe 2024, ne kemi mbërri me qartësu në tërësi edhe strukturën organizative të gjyqësorit, por edhe nivelin e përgjegjësisë individuale të secilit në këtë strukturë”, tha Zogaj.


Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor: Viti 2024 është më i suksesshmi në historinë e gjyqësorit të Kosovës

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në një intervistë në emisionin “Tempus” në KTV, duke folur për performancën e gjykatave gjatë vitit 2024, tha se ky vit është më i suksesshmi në historinë e gjyqësorit të Kosovës.

“Edhe në ditët e gjyqësorit e kemi theksuar këtë vit që viti 2024 është më i suksesshmi në historinë e gjyqësorit të Kosovës. Për shkak të mobilizimit të jashtëzakonshëm që ka pasur gjyqësori, për shkak të planifikimeve të mirëfillta të Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave, për shkak të ndërveprimit dhe koordinimit të trupave të gjyqësorit, por njëkohësisht për shkak të rezultatit që kanë treguar gjykatat dhe sistemi gjatë këtij viti”, tha Zogaj.

Ai theksoi se ky njëkohësisht është viti me mbingarkesën më të madhe në historinë e gjyqësorit, por po ashtu edhe ai me rezultatet më të mira.

Sipas Zogajt, qasja këtë vit ka qenë më ndryshe, ngase nuk është vepruar me qasje individuale të gjykatave, por me koordinim të kryetarëve të gjykatave, Asamblesë dhe Këshillit, po ashtu me ndikimin që kanë dhënë trupat e veçanta të KGJK-së.

Në raportin që publikohet në janar 2025, Zogaj tha se do të tregohet puna e gjykatave dhe gjykatësve gjatë këtij viti. Tha se impakt ka pasur edhe norma e gjyqtarëve.

“Ajo që vërehet në vitet e fundit dhe veçanërisht këtë vit, janë degët e gjykatave që kanë pasur impakt jashtëzakonisht të rëndësishëm në kategorizimin e gjykatave në sukses”, shtoi Zogaj.

I pari i KGJK-së tha se ky rezultat vjen si rezultat i planifikimit që kanë krijuar me kryetarët e gjykatave dhe partnerët.