Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Cermjani: Ka raste kur shqiptarët ua zënë komuniteteve vendet e rezervuara në universitet

Emrah Cermjani, nga Organizata Joqeveritare Roma in Action- RIA, tha se ka pasur raste kur kuota e regjistrimit të komuniteteve pakicë në universitet publik, është plotësuar nga komuniteti shqiptar.

Sipas tij, një rast i tillë ka ndodhur në Komunën e Gjakovës.

“Vetëm me u ndërlidh edhe tek çështja e kuotave të regjistrimit në universitetet publike. Ne fatkeqësisht kemi deklarata publike në regjistrimin e fundit të studentëve, ku kemi pasur nxënës të komunitetit shqiptar që janë regjistruar si komunitet, vetëm e vetëm që të jenë studentë në këtë vit akademik. Fatkeqësisht në Komunën e Gjakovës kemi raste ku studentët e komunitetit shqiptar janë fut në kuadër të Universitetit të Gjakovës, e studentja që ka konkurru në radhët e komunitetit egjiptian, fatkeqësisht është jashtë studimeve. Domethënë nuk ka arritur të jetë pjesë e këtij viti akademik kinse që kuota është plotësuar, mirëpo nëse analizohet, kuota është plotësuar nga pjesëtarët e komunitetit shqiptar në këtë rast”, tha Cermjani në “Tempus“.