Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Johnson: MD-ja duhet të punojë me KGJK-në e KPK-në për t’i zbatuar rekomandimet e Venecias për vettingun

Lisa A. Johnson, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, tha se besojnë që Ministria e Drejtësisë (MD) duhet të punojë ngushtë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), dhe t’i zbatojë rekomandimet e Komisionit të Venecias plotësisht dhe me kujdes, lidhur me çështjen e vettingut.

Sipas saj, e rëndësishme është që procesi i bettingut të zhvillohet me transparencë dhe integritet, duke përfshirë akterët kryesorë dhe duke përfshirë rezultate që janë në përputhje me standardet.

“Reformat, vettingu është e gjitha shumë e rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit. E di, ka presion, ka dëshirë për të ecur shpejt, sepse Qeveria do të donte të tregonte rezultate për qytetarët e saj. Megjithatë, është gjithashtu e rëndësishme që ne ta zhvillojmë këtë proces me transparencë, me integritet, duke përfshirë akterët kryesorë dhe duke siguruar që rezultatet të jenë në përputhje me standardet, institucionet dhe pritshmëritë evropiane. Pra, në këtë drejtim mendoj që ishin disa lëvizje shumë të zgjuara nga ana e Qeverisë së Kosovës për t’ia referuar këto çështje Komisionit të Venecias. Së pari, mendoj se e para këtu është vettingu. Ne përkrahim jashtëzakonisht një gjyqësor që është i pavarur, që funksionon me integritet, standarde të larta profesionale, llogaridhënie. Këto elemente janë shumë të rëndësishme. Dhe tani që janë dorëzuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, ne besojmë se Ministria e Drejtësisë duhet të punojë ngushtë me Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe t’i zbatojë ato rekomandime plotësisht dhe me kujdes”, tha Johnson në “Tempus” të KTV-së.