Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paraqitur pakon e dokumenteve për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar. Në Komisionin Ad-hoc, Haxhiu të martën tha se janë marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias, derisa ka paralajmëruar se vetting do të ketë edhe në Polici
Përveç gjykatësve e prokurorëve, në procesin e vettingut do të përfshihet edhe Policia e Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë raportimit para Komisionin Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, të martën, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka krijuar grupin punues dhe po punon në koncept-dokumentin për vettingun në institucionet kyç të sigurisë.
“Vettingu në sistemin e sigurisë kjo është me lehtë proceduralisht siç e dini ne e kemi në programin qeverisës edhe vettingun në Polici por aty në nivelet më të larta dhe institucionet më të ndjeshme”, ka thënë Haxhiu.
Dosja për procesin e vettingut, e cila është dorëzuar në shtator në Kuvendin e Kosovës, sipas Haxhiut, përbëhet nga nëntë dokumente, ku pjesa kryesore është ajo e draftit me amendamente kushtetuese.
“Sa i përket dokumenteve të tilla konsideroj edhe njëherë se e kemi të nevojshme një sqarim marr parasysh që ka pas keqkuptime të shumta disa të qëllimshme e disa duke mos pasur informacioneve më lejoni ta sqaroj se dokumenti më i rëndësishëm në këtë dosje është drafti i amandamenteve kushtetuese, të cilat si drafte paraprake janë vlerësuar dhe rishikuar nga Komisioni i Venecias, Komisioni i ka mirëpritur ndryshimet e bëra në këto amandamente”, është shprehur Haxhiu.
Edhe
Paralajmërohet vetting në sistemin e sigurisë
Haxhiu u pyet nëse Qeveria ka insistuar te Komisioni i Venecias për një vetting më gjithëpërfshirës.
“A po punon nuk ka nevojë të na tregoni veprime konkrete por a ka filluar të punoj qeveria dhe MD që t’i sigurojmë votat e domosdoshme për kalimin e amendamenteve kushtetuese”, ka thënë deputetja e LDK-së, Doarsa Kica.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thekuar se vettingu është një ndër proceset më të rëndësishme për vendin.
“Konsideroj se vettingu në sistemin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm, unë mendoj se ky vetting duhet t’i përfshijë edhe institucionet e sigurisë gjithmonë duke pasur parasysh edhe hallkën që iu lidh institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë”, ka deklaruar Qalaj.
Edhe
Haxhiu pranon se Vettingu nuk është ai që është premtuar nga Vetëvendosja
Haxhiu ka thënë se Qeveria ka bërë përpjekje maksimale që të shtyhet përpara rekomandimi i Qeverisë për vettingun në sistemin e drejtësisë për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.
Ministrja Haxhiu gjithashtu ka theksuar se për sigurimin e votave për të votuar ndryshimet kushtetuese në Kuvend duhet përveç mbështetjes së deputetëve edhe ajo e ndërkombëtarëve.