Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Nrecaj: Mesazhet e Johnsonit të qarta, reformë në drejtësi

Drejtori ekzekutiv i organizatës CLARD, Anton Nrecaj, ka thënë se mesazhet e Lisa A. Johnson, Zëvendës Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, janë të qarta, që duhet reformë në drejtësi.

“Unë e pashë këtu një kërkese të zonjës Johnson, nga ne si kosovarë, si institucione, si shoqëri civile mbi bazën e të cilës ne i dhamë një zotim, i dhamë një premtim që ne do të bëjmë maksimumin që Kosova të bëjë reformat e nevojshme, duke përfshi edhe pjesën e konsensusit politik për çështjen e vettingut, duke përfshirë edhe pjesën e përfshirjes se martesës në Kodin Civil dhe fuqizimin e rendit dhe sigurisë në vend, duke përfshirë edhe këtë pjesën e fuqizimit të institucioneve të sigurisë përfshirë edhe Policinë e Kosovës”, tha Nrecaj në “Tempus” të KTV-së.

Ai shtoi se kundrejt asaj çfarë ka ofruar, Johnson theksoi që gjithmonë në çdo hap do ta kemi në vazhdimësi mbështetjen dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara te Amerikës.

“Kjo është shume e rëndësishme dhe shumë vitale për neve, për shkak se natyrisht në shumë faza të zhvillimit të sistemit tonë të drejtësisë jemi ballafaquar me shumë sfida dhe gjithmonë në krah kemi pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Nrecaj.