(I përditësuar 11:10) - Presidentja, Vjosa Osmani dhe ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Todd D. Robinson në një konferencë të përbashkët për media kanë vlerësuar bashkëpunimin mes dyja vendeve.
Osmani ka thënë se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur që Byroja Ndërkombëtare për Narkotik dhe Sundim të Ligjit i ka ofruar vendit përgjatë viteve.
Ajo ka thënë se mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezentë në çdo sektor.
"Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e byrosë që e udhëheq ndihmëssekretari Robinson, duke përfshirë edhe vet themelimin e Policisë së Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95 për qind të qytetarëve. Po ashtu edhe të Agjencisë Kosovare të Forenzikës, Akademisë për Sigurinë Publike të Kosovës, e cila ka edukuar breza të tërë të policëve tanë si dhe Inspektoratit të Policisë i cili si institucion po siguron që të ruhet profesionalizmi dhe respektohet ligji në çdo hap të institucioneve tona ligj zbatuese. Falë mbështetjes së INL-së përgjatë viteve janë bërë reforma pozitive e të rëndësishme në institucionet tona përkatëse dhe shënuar progres i vazhdueshëm edhe në luftën krimit të organizuar, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Në takim me ndihmës sekretarin po ashtu e informova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme SHBA-së. Ky anëtarësim do të kontribuonte thellësisht në rritjen e kapaciteteve tona duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike për secilin qytetar të Republikës sonë pa dallim. Të vetmit që përfitojnë nga mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale, transnacionale. Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe SHBA-së që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me SHBA-në.
Edhe
Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në INTERPOL
Në anën tjetër Robinson, ka deklaruar se SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit.
Ai ka thënë se po punojnë për një Kosovë më të mirë sot.
Robinson ka shtuar se po punojnë për një të ardhme më të mirë për të gjithë kosovarët.
“Fakti që jam këtu tregon mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për atë që Policia po punon, shërbimet e sigurisë që po bëjnë për qytetarët e Kosovës mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme dhe porosia ime, për ta, për ju të gjithë është që SHBA-ja është këtu për t’iu mbështetur në përpjekjet e tuaj për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë sot por edhe për një Kosovë më të fort, më të sigurt e transparentë në të ardhmen, për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Osmani takohet me Robinsonin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ndihmëssekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Todd D. Robinson.
Edhe
Osmani flet për mbështetje nga administrata Trump 2: Kjo duhej t’i pengonte vetëm Serbisë
Pas këtij takimi, Robinson e Osmani do të mbajnë konferencë për media.
Robinson ka arritur për një vizitë në Kosovë gjatë ditës së djeshme. Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Robinson me të arritur është ndalur në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin e bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar.