Presidentja Vjosa Osmani ka veçuar rëndësinë e bashkëpunimit që institucionet e Kosovës duhet të kenë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në. Ajo, pas takimit me ndihmëssekretarin amerikan për sundim të ligjit, Todd Robinson, ka kërkuar mbështetjen e SHBA-së për anëtarësim në INTERPOL. E Robinson ka premtuar vazhdim të përkrahjes për Kosovën, përkatësisht për institucionet e saj të sigurisë e të drejtësisë. Ai ka marrë pjesë në dhurimin e një donacioni prej 6 milionë dollarësh për gjykatat dhe burgjet e Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në organizatën e INTERPOL-it është i pamundur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në deklarimin për media të enjten, pas takimit me ndihmëssekretarin amerikan për sundim të ligjit, Todd Robinson, ajo ka theksuar domosdoshmërinë e koordinimit me ndërkombëtarët.
“Ky anëtarësim do të kontribuonte thellësisht në rritjen e kapaciteteve tona duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të garantimit të sigurisë publike për secilin qytetar të Republikës sonë pa dallim. Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale, transnacionale”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur Kosovën në çdo hap të procesit të shtetndërtimit.
“Pra, në përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikëve, në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër trafikimit e njëkohësisht kanë kontribuuar edhe në forcimin e kapaciteteve tona për sundim të ligjit, që është prioritet i institucioneve tona”, ka thënë ajo, duke shtuar se të gjitha këto janë dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit me partnerë.
Osmani ka renditur institucionet e sigurisë në Kosovë, të cilat tha se mbajnë vulën e Byrosë që e drejton ndihmëssekretari Rodd Robinson.
“Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e byrosë që e udhëheq ndihmëssekretari Robinson, duke përfshirë edhe vetë themelimin e Policisë së Kosovës, e cila sot gëzon besimin e mbi 95 për qind të qytetarëve. Po ashtu, edhe të Agjencisë Kosovare të Forenzikës, Akademisë për Sigurinë Publike të Kosovës, e cila ka edukuar breza të tërë të policëve tanë si dhe Inspektoratit të Policisë, i cili si institucion po siguron që të ruhet profesionalizmi dhe të respektohet ligji në çdo hap të institucioneve tona ligjzbatuese”.
SHBA-ja dhuron donacion 6 milionë dollarësh për gjykatat dhe burgjet e Kosovës
Ndërkohë, ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit, Todd Robinson, ka premtuar vazhdim të përkrahjes për Kosovën, përkatësisht për institucionet e saj të sigurisë e të drejtësisë.
"Porosia ime për ju është që SHBA-ja është këtu për t’iu mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, të drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por edhe për një Kosovë më të fortë, më të sigurt e transparente në të ardhmen, për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Pas takimit me Osmanin, në Pallatin e Drejtësisë, ndihmëssekretari amerikan ka marrë pjesë në dorëzimin e donacionit 6-milionë dollarësh për gjyqësorin, si dhe Shërbimin Korrektues. Donacioni përfshin pajisje që mundësojnë digjitalizimin e proceseve gjyqësore, duke ofruar mundësitë e regjistrimeve audiovizuele të seancave gjyqësore, transkriptimin e tyre, si dhe mundësinë për video-konferenca mes gjykatave e burgjeve.
Nga udhëheqësit e institucioneve përfituese, donacioni është vlerësuar i rëndësisë së veçantë e që do të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe të besimit në sistemin e drejtësisë.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se me instalimin e pajisjeve që janë pranuar donacion nga SHBA-ja, do të rriten transparenca, efikasiteti e ekonomizimi i procesit gjyqësor.
“Për shkak se u mundëson palëve dhe gjykatës nga vende të ndryshme të ndjekin dhe përcjellin seancën gjyqësore në mënyrë të veçantë nga shërbimi korrektues, por njëkohësisht jep një mbrojtje dhe siguri të veçantë për kategoritë e ndjeshme siç janë dëshmitarët e mbrojtur dhe viktimat në rastet kur rreziku i procesit gjyqësor konsiderohet i lartë”, ka thënë ai.
Zogaj është lavdëruar për transparencën që, sipas tij, e ofron gjyqësori në Kosovë, derisa ka thënë se preokupim mbetet lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit e dukurive të tjera negative.
E, Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka deklaruar se si institucion janë storie suksesi falë mbështetjes së administratës amerikane.
Përfitimet nga donacioni i SHBA-së
Sipas Dibranit, donacioni nga SHBA-ja është ndër më të rëndësishmit për sistemin e drejtësisë.
“Përmes këtij sistemi do të zvogëlojmë nevojën për transport të personave nga gjykata dhe burgjet dhe anasjelltas duke bërë që proceset gjyqësore të jenë më të sigurta, por natyrisht edhe me efiçiente”, ka thënë Dibrani.
Përfitimet e sistemit të drejtësisë së Kosovës nga donacioni amerikan i përmendi edhe ndihmëssekretari Robinson. Ai ka thënë se digjitalizimi i gjykatave është e ardhmja. Sipas tij, me teknologjinë e video-konferencave do të mundësohet që dëshmitarët të paraqiten në gjykata nga distanca, duke bërë kështu që të rritet siguria dhe të reduktohet ngarkesa e stafit.
“Ka shumë përfitime nga kjo teknologji, përfshirë edhe aftësinë e sektorit të drejtësisë për të ofruar transkriptim të saktë dhe të detajuar të proceseve gjyqësore në Kosovë. Transkriptimi jo vetëm që do të kapë me saktësi procedurat gjyqësore dhe parandalojnë apelimet e panevojshme por, në mënyrë dramatike do të zvogëloj kostot operative duke eliminuar dosjet në letër”, ka thënë ai.
Robinson ka shtuar se, përmes mundësive që ofrohen nga pajisjet, Kosova mund të reduktojë transferimet e panevojshme të të burgosurve, përfshirë edhe ata me rrezik të lartë, duke mundësuar që ata të jenë pjesë e procesit përmes videove nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Donacioni 6-milionë dollarësh që përfshin pajisje për regjistrime audio e video do të shpërndahet në disa institucione. Kësisoj, 8 salla të gjykatave kryesore do të mund të bëjnë regjistrim audio dhe video, transkriptimin e realizimin e videokonferencave, 83 salla të gjykatës do të kenë mundësi vetëm të regjistrimit audio, dy Gjykatat e Apelit do të kenë mundësinë e takimeve përmes video-konferencave, 133 zyre të gjyqtarëve do të kenë pajisje të transkriptimit e 16 objekte të SHKK-së do të kenë kapacitete të takimeve përmes video-konferencave.
Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit, Todd Robinson, në Kosovë do të qëndrojë edhe të premten, derisa paraprakisht për dy ditë ka vizituar edhe Shqipërinë.