Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se propozimi i Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit nga pakica serbe, është antikushtetues dhe se Kuvendi nuk është konsituuar ende.
“Ne tani e kemi Listën Serbe e cila ka fituar shumicën e votave të deputetëve serbë dhe në kuptimin e legjitimitetit është subjekti parlamentar që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Bugaqku në “Tempus“ në KTV.
Sipas tij, deputeti Rashiq nuk mund të vetë-nominohet për nënkryetar të Kuvendit, meqenëse nuk përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti.
“Zoti Rashiq as nuk mund të vetë-nominohet, pra s’ka të drejtë të nominohet si kryetar ose nënkryetar i Kuvendit. Por, mendoj që ai nuk vie nga Grupi Parlamentar i Listës Serbe dhe rrjedhimisht propozimi i tij, në mënyrë të domosdoshme është antikushtetues, sepse nuk përfaqëson shumicën e deputetëve, ose shumicën e përfaqësuesve që kanë votuar në zgjedhjet e datës 9 shkurt”, tha ai.
Bugaqku tha se kjo amulli e interpretimit po bëhet për qëllime politike.
“Unë mendoj se krejt kjo amulli e interpretimit dhe shtrembërim i interpretimit të normave kushtetuese, besoj që po bëhet për qëllime politike. Është gjetur një model ose një hapësirë për të ataku Listën Serbe në kuptimin e propagandës, popullizmit dhe sjelljes politike, e mbase edhe të njëfarë loje që po përgatitet vendi për me shku në zgjedhje të përgjithshme dhe në atë mënyrë të ruhet ky bilanci i votave që i kanë fituar në zgjedhjet e fundit”, shtoi ai.
Hulumtuesi theksoi se Kuvendi nuk është konstituuar ende.
“Kushtimisht unë mendoj se Kuvendi ende nuk është konstituu. Pa i zgjedh tërë nënkryetarët e kryesisë së Kuvendit, sepse së paku në tri aktgjykime përcaktohen grada kushtetuese që konsiderohet se është konstituuar Kuvendi në momentin kur zgjedhet kryetari dhe të gjithë nënkryetarët”, përfundoi Bugaqku.
Misini: Jemi duke shkuar drejt izolimit, përgjegjësi kanë edhe partitë opozitare
Shkumbin Misini, profesor i Ekonomisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se vendi është duke shkuar drejt izolimit dhe se për këtë, përgjegjësi kanë edhe partitë opozitare.
Eksperti kritikoi opozitën, duke thënë se opozita në vend është inekzistente.
Misini tha se Kosova po shkon drejt migrimit total, ndërsa përmendi edhe ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe sfida të tjera me të cilat ballafaqohen qytetarët.
“Brenga ime për vendin është se në momentin që Kosova po shkon me këtë ritëm, është duke shkuar drejt migrimit total”, tha Misini.
Eksperti shtoi se zgjidha për këtë do të mund të ishte reforma e thellë opozitare.

Qorrolli: Dëmi do të ishte më i vogël nëse Hekuran Murati do të ishte kryetar
Adem Qorrolli, ekspert i Ekonomisë vlerësoi se dëmi do të ishte më i vogël nëse do të votohej për kryetar të Kuvendit ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“Gabimi më i madh opozitar është që nuk e kanë votu këtë (Hekuran Muratin) për nënkryetar të Kuvendit. Dëshira ime është që në vend të Dimal Bashës të ishte Hekuran Murati se dëmi do të ishte më i vogël sepse si kryetar Kuvendi do të ishte vetëm me pozitë procedurale”, tha Qorrolli.
I ftuar në “Tempus“ në KTV, Qorroli foli edhe për qeverisjen katërvjeçare të ministrit Murati, sa i përket dallimit import-eksport, duke përmendur ngritjen e importit të materialit ndërtimor për arsye që siç përmendi ai, kompanitë vendore nuk janë licencuar.

Lidhur me tregun e hapur të energjisë, ai tha se nëse vazhdon tregu i hapur, sipas të dhënave që kanë, do të përballemi me inflacion dhe rritje të çmimeve çdo produkt që prek industria prodhuese.
Sipas Qorrollit, më së shumti do të pësojë industria prodhuese dhe ajo e ndërtimit, pikërisht aty ku sipas tij, Kosova e ka fokusin. Tha se pritet edhe një valë e re e migrimit.
“Pritet migrimi i popullsisë edhe një valë mjaft e rrezikshme, sepse këta janë profesionistë, sepse nuk kemi më punëtorë të thjeshtë. Sipas të dhënave, në mars të vitit 2026 nëse vazhdon tregu i hapur dhe mbyllen firmat me mbi 50 punëtorë, ne do t’i kemi deri në 60 mijë persona të migruar”, tha Qorrolli.
Eksperti theksoi edhe mungesën e nxënësve nëpër shkolla, ku çdo klasë sipas tij ka mungesë rreth tre apo katër nxënës më pak. Po ashtu, sipas tij, kemi edhe rritje të papunësisë.
Jakaj: Moszgjedhja e nënkryetarit serb është më shumë qëllim politik sesa juridik
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, duke diskutuar lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, tha se moszgjedhja e nënkryetarit serb është më shumë qëllim politik sesa juridik.
“Pra, është më shumë një qëllim politik sesa një qëllim juridik që në mënyrë të pastërta, në mënyrë transparente një parti politike siç është Lëvizja Vetëvendosje me pru që atë parti politike (Listën Serbe) me heq prej skenës politike. Kjo çështje nuk mund t’i cenohet asnjë komuniteti”, tha Jakaj.
Ai tha se kandidatët për nënkryetarë të komuniteteve joshumicë do duhej të votoheshin në pako.
Pretendimi dhe konstatimi se Kuvendi është konstituuar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb, Jakaj tha se po bëhet nga kryetari Dimal Basha dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Një interpretim i qëllimshëm dhe i dëmshëm për parimet demokratike dhe për parimet e sundimit të ligjit në Kosovë”, tha Jakaj.
Hulumtuesi tha se Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare tregojnë se kur konsiderohet i konstituuar Kuvendi.
Jakaj tha se Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se Lista Serbe ka qenë e lidhur me Milan Radioiçiqin, gjë që sipas tij është fakt që nuk mund të mohohet ngase Radoiçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe.
“Por, për t’u ndjekur procedurat që një parti politike në Kosovë të shpallet e jashtëligjshme, janë kritere të cilat janë të parapara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, pra: kur e cenon sigurinë kombëtare, rendin kushtetues, rendin publik, kur në programin ose në dokumentet e asaj partie proklamohet që pushtetin don me marrë në dhunë dhe kur një parti politike është e regjistruar në një vend tjetër dhe don me perfomu në Kosovë”, tha Jakaj.
Sipas tij, nuk është arritur të dëshmohet në mënyrë procedurale se pjesëtarët e Listës Serbe kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë ose në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e gazetarëve.