Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e cilësoi antiligjore zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit ishte i pritshëm dhe e bëri të qartë se asnjë subjekt parlamentar nuk mund ta keqpërdorë të drejtën e propozimit.
Megjithatë ai ka vlerësuar se këtë vendim Kushtetuesja do të duhej ta merrte në periudhën kur po konstituohej Kuvendi.
“Aktvendimi i Kushtetueses ishte i pritshëm. Gjykata ka bërë të qartë se asnjë subjekt parlamentar që ka diskrecion të propozimit të një kandidati për kryetar apo për nënkryetar të Kuvendit, nuk mund ta keqinterpretojë ose ta keqpërdorë këtë të drejtën e propozimit duke mos e propozuar një kandidat. E vetmja mundësi që ishte parashikuar që mund të vijë deri te keqpërdorimi i kësaj të drejte ishte fakti që mund të mos propozonte kjo parti politike asnjë kandidaturë... Kushtetuesja do të duhej që këtë vendim ta nxirrte në periudhën kur ishim duke konstituuar Parlamentin e Kosovës, afatet kanë qenë të qarta sa i përket parashtresës së Listës Serbe. Nuk e kuptoj arsyen se pse gjykata e sqaroi kaq vonë këtë çështje. Ky aktgjykim vlen si precedent i së ardhmes”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Bugaqku ka shtuar se me anë të këtij vendimi Gjykata ka mbrojtur rendin kushtetues të Republikës dhe ka treguar se përfaqësimi i komuniteteve është i garantuar.
“Pasi të përfundojë procesi i verifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar faktin se duhet brenda 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit të Kuvendit. Pa u zgjedhur komplet kryesia e Kuvendit nuk kemi konstituim të Parlamentit të Kosovës dhe rrjedhimisht i bie që fare ende nuk është funksionalizuar Kuvendi me legjislaturën e re. Mund të zvarritet procedura në mënyrë që të shkelet afati 30-ditor i konstituimit të Kuvendit dhe në këtë rast Gjykata nuk e ka sqaruar pasojën juridike që ndodh nëse ky afati 30-ditor nuk respektohet”, ka theksuar tutje ai.