Analisti politik, Seb Bytyçi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e cilësoi antiligjore zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit, është i pamjaftueshëm sepse ka mangësi për sqarime se si do të zgjidheshin situata të tilla në të ardhmen.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Bytyçi ka thënë se është e pamjaftueshme për zgjidhje të krizës me të cilën mund të përballet vendi.
“Nuk është ofruar ndonjë rrugëdalje apo sqarim për rastet e ardhshme, thjeshtë është konstatuar ajo që ndoshta është ditur se kush ka të drejtë të propozojë nënkryetarin nga komuniteti serb. Kjo është diçka e pamjaftueshme nëse bëhet fjalë për zgjidhje të krizës që mund ta kemi dhe sipas të gjitha gjasave do të kemi edhe një rast tjetër në Gjykatën Kushtetuese ku ndoshta nën ndonjë vendim tjetër mund të sqarohen disa çështje se çfarë ndodhë kur deputeti i propozuar për nënkryetar nga shumica e komunitetit serb nuk i fiton votat e shumicës së Kuvendit, si duhet të ecet përpara në atë rast. Ka mangësi vendimi i gjykatës sepse nuk jep ndihmë për situata të tilla për të ardhmen”, ka thënë ai.
Bytyçi ka theksuar se vendimi i Kushtetueses nuk ua imponon shumicës parlamentare që ta votojë një kandidat sepse është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Sigurisht do të ballafaqohemi me një situatë të ngjashme dhe përsëri do të ketë kontestim. Vendimi nuk ua imponon shumicës parlamentare që ta votojë një kandidat sepse është në kundërshtim me Kushtetutën. Zgjedhja e Nenad Rashiqit nuk është konsideruar jokushtetuese, procedurat apo hapat se si ka ardhur deri aty janë konsideruar jokushtetuese”, ka shtuar ai.
Sipas Bytyçit, nuk do të ketë bllokadë tjetër për konstituim të Kuvendit, sepse ka dy rrugëdalje të mundshme.
“Nuk mendoj se do të ketë bllokadë. Janë dy rrugëdalje të mundshme. Njëra është të ketë marrëveshje me Listën Serbe, që të votohet i propozuari i Listës Serbe në këmbim të kuorumit, rrugëdalja tjetër është të shkohet ngjashëm siç është vepruar me zgjedhjen e z.Rashiq. Pra, që të dërgohet përsëri lënda në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë ai.
Sa i përket postit të presidentit, Bytyçi pret përsëritje të skenarit të 2021-tës kur Lidhja Demokratike e Kosovës ia pati mundësuar kuorumin për zgjedhje si presidente Vjosa Osmanit. Sipas tij, kësaj partie do t’i konvenonte po që se Osmani mbetet në postin e presidentes.
“Obligim nuk kanë, por u konvenon sepse në pozitën e presidentes Osmanit nuk i lejohet drejtpërdrejtë angazhimi në politikë. Pra nuk do të ketë fuqi politike që do ta betononte përçarjen përfundimtare të LDK-së. Nëse znj. Osmani kthehet aktive në politikë, kjo do të ishte humbje e shpresës për LDK-në që t’i kthejë disa vota që shpreson t’i kthejë. Për këtë arsye besoj se LDK-ja do të ofrojë sërish kuorum”, ka thënë ai.