Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se Qeveria po bën politikë me plagë të Kosovës.
“Mendoj që kemi në Qeveri, Qeverinë e parë të Kosovës, e cila në vijimësi të bërjes politikë, e përdor edhe luftën edhe krimet e luftës për të bërë politikë”, tha Gruda në “Tempus” të KTV-së.
Ai përmendi premtimet që kryeministri Albin Kurti i ka bërë karshi krimeve të luftës.
“Ka thënë se nuk do të shkoj në dialog pa u gjet secili i zhdukur i Kosovës, pa u pagu dëmet e luftës, etj, të cilat ai i ka rendit më mirë se unë, sot nuk ndodh asnjëra. Pra, ka qenë bërje politikë me një plagë të Kosovës”, theksoi Gruda.